Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, grumbulloi 26 lojtarë në ditët e marketingut të organizuar në Mynih. Teksa shpalosi planet e tij për Botërorin 2014, “arkitekti” gjerman gjatë një interviste për “sz” rrëfen disa ngjarje ende të pathëna nga jeta e tij. Ndër to ka qenë shpërthimi në lot pas vdekjes së Robert Enke, librat dhe aktorët e preferuar, këndimi i himnit kombëtar…
Lëv, ku e patë fitoren e Botërorit 1990?
Në atë kohë isha lojtar i Shafauzenit. Finalen e pashë me shokë dhe kolegë. Si gjerman duhet që të mbroja mendimet e mia karshi zviceranëve.
Luani vetë futboll?
Një ose dy herë në javë luaj kalçeto me miqtë e mi.
Cilat libra lexoni më shumë?
Lexoj me qejf romane historike dhe biografi. Para disa ditësh fillova të lexoj biografinë e Vili Brand.
Për cilin lojtar ju ka ardhur më shumë keq dhe keni derdhur lot?
Kur u informova se portieri ynë Robert Enke vrau veten, qëndrova zgjuar gjithë natën dhe qaja.
Edhe pse Italia ju mundi në 2012-ën, ju nuk i ndaheni kuzhinës italiane…
Për të ngrënë shkoj gjithnjë tek italianët. Pavarësisht humbjes në EURO 2012, gjej një cep dhe ulem te restorantet italiane.
Cila është aktorja juaj e preferuar?
Shkoj shpesh në kinema. Aktorja Johana Uokalek dhe Haike Makaç më pëlqejnë shumë. Megjithatë, aktorja ime më e preferuar është Karoline Herfurth. Nëse ajo luan në një film, do e shoh patjetër.
Çfarë ndjesie ju jep himni kombëtar?
Më emocionon. Himni sinjalizon mendjen dhe trupin tim dhe më thotë: Tani, jepi forca! Himni më jep fuqi të prezantoj dhe përfaqësoj vendin tim edhe emocionalisht.
Si ju drejtohen lojtarët?
Një trajner ka më shumë ose më pak autoritet, sepse ai lejon t’i thërrasin me ju ose me ti. Nuk lejoj të më thërrasin “zoti Lëv”. Disa më flasin me ti, si Podolski. Të tjerët më thonë trajner për të shmangur ti.











