Kur nuk puthnin shqiptaret

Kur nuk puthnin shqiptarët
Ajo nuk e di se kur ishim të vegjël, prindërit na thoshin të mbyllnim sytë kur protagonistët në një film të huaj këmbenin një puthje. Në socializëm puthjet në publik ishin të ndaluara. As që mund të bëhej fjalë që një çift të këmbente puthje në rrugë e aq më pak në ndonjë film, ku flitej për një histori dashurie, personazhet të putheshin. E gjithë situata dashurore apo erotike në një prodhim të para viteve ’90 përmblidhej në një shikim sy më sy, një kapje prej dore, shumë-shumë në një ledhatim në faqe.

Në këtë aspekt, artistes gjermane Verena Kyselka i duken argëtues filmat shqiptarë, edhe pse tek ata mund të mos ketë asgjë për të qeshur. Megjithëse nuk kupton atë që thuhet, i bie në sy mungesa e një puthjeje. Këtë situatë anormale, ajo e ka shfrytëzuar për projektin e saj “Territory of intimacy” (Territori i intimitetit), që prej dy ditësh e ka ekspozuar tek Galeria e Vogël në Tiranë.

Përgjatë tri javësh, Kyselka ka qëmtuar në Arkivin Shqiptar të Filmit ku ka përzgjedhur 16 filma, të krijuar gjatë periudhës 1958-1992. “Situata është e tillë që duhet të ketë patjetër një puthje, është një situatë erotike, shikuesi e pret një gjë të tillë, por… asgjë”, - thotë ajo. E ardhur në Shqipëri për një projekt mbi puthjet në hapësirat publike, ajo mendoi të shfrytëzonte pikërisht elementin puthje në filmat shqiptarë, element që në të vërtetë mungon. Puthjet e munguara ajo i ka zgjedhur në galerinë e filmave si “Apasionata” (1983) me regji të Kristaq Mitros, ku dashuria mes Arturit (Kastriot Çaushi) dhe Mirës (Matilda Makoçit) përmblidhet në ca shikime të ngulta e ca shëtitje nëpër parqe. Një vit më vonë, në filmin “Duaje emrin tënd”, regjisori Mitro, këtë herë në bashkëpunim me regjisorin Ibrahim Muçaj, tenton ta bëjë ca më të vërtetë dashurinë e Jonës (Rajmonda Bulku) dhe Arsenit (Ndriçim Xhepa). Tashmë në park nuk kemi thjesht një shëtitje, apo një rendje “ngriva-shkriva”, por edhe nja dy rrokullisje mbi gjethet e verdha. Madje-madje edhe ndonjë puthje të hamendësuar pas një peme (pema duhet të ishte gjithmonë). Apo është skena ku Trimi (Xhevdet Feri) e ka mbështetur pas muri Marigonë (Elvira Diamantin) dhe tenton ta puthë tek “Përrallë nga e kaluara”. Por ja që vajza e shkathët, i shpëton duarsh. Ndër të tjera, ka përzgjedhur edhe shikimet e ëmbla që Despina (Rabie Hyka) i hedh Migjenit pas perdes me grep në filmin “Një natë pa dritë” me regji të Gëzim Erebarës. Janë këto disa nga “territoret intime” të përçudnuara nga socializmi, që Kyselka i ka mbledhur në projektin e saj. Nëse ka ndonjë peng në karrierën e një regjisori është padyshim që nuk realizoi dot një skenë erotike për të qenë. Por regjimi ishte i qartë në këto gjëra. “Interesante është të shohësh se në film është më e pranishme prekja mes burrave se mes një gruaje dhe një burri. Një karakteristikë kjo e vendeve të Evropës Lindore”, - thotë artistja, që sigurisht nuk hamendëson ndonjë marrëdhënie homoseksuale në këto raste. Por si“një situatë jonormale dhe të pakuptueshme për vendet e tjera, që në një skenë erotike të mos ketë puthje”, - vazhdon ajo. Me “territor intimiteti”, artistja gjermane, nuk kupton një zonë të caktuar brenda hapësirës ku ne jetojmë. Për të janë veprimet që përcaktojnë njeriun, një territor i ndërtuar nga historia, natyra, politika, mjedisi familjar, fëmijëria. Ndërsa me intimitet kupton shumë më shumë se seksualitet. Është një koncept social, emocional dhe mendor. Këtë kompleksitet ndjesish dhe kushtesh ajo i kërkon shpesh tek filmat, që Kyselka i konsideron pjesë të historisë prej të cilës mund të mësosh shumë për të ardhmen.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, ajo ka gjetur boll material për projekte të ardhshme. Gjithnjë përmes mediumeve që përdor si videoarti, instalacioni, ajo kërkon të realizojë një projekt mbi emigracionin në Shqipëri. “Momentalisht jetoj pranë Ambasadës Greke dhe çdo mëngjes dëgjoj zërat e punonjësve të Ambasadës që thërrasin emrat e njerëzve për viza”, - thotë ajo.

Projekti “Territory of intimacy”, për të cilin Verena ka punuar për tre javë, vazhdon ndërkaq të jetë në zhvillim e sipër. Përveç “katalogimit” të puthjeve të munguara në filmat shqiptarë, ajo po mbledh edhe eksperienca të njerëzve të thjeshtë. Në hyrje të Galerisë së Vogël ka vendosur një kuti, ku njerëzit mund të hedhin “historitë” e tyre të dashurisë. Ku dhe kur e kanë dhënë puthjen e tyre të parë në një ambient publik. Deri tani në atë kuti nuk është futur asnjë histori.

Jeta në një dosje

Nuk është hera e parë që artistja Verena Kyselka hulumton në “territore të dhunuara”. Vajza e një njeriu që ka provuar burgun në ish- Gjermaninë Lindore, Kyselka e di fare mirë se ç’do të thotë intimitet i cënuar. Në një nga faqet e Galerisë së Vogël, ajo ka ekspozuar edhe një pjesë të ekspozitës “Conspiracy Dëellings” (Vendbanimi i fshehtë). Janë faqe të shkëputura nga Dosja e saj e gjetur në zyrat e Shërbimit Sekret në Gjermani (STASI), dosje të cilat u hapën në vitin 1993. Është e gjithë jeta e saj e mbledhur në një dosje. Artistja tregon se kishte dijeni për këtë gjë dhe se gjatë gjithë kohës ndihej e përgjuar.

Alma Mile
Nga Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama