Kupa e Shqipërisë është festuar gjatë nga skuadra e Kukësit, që pas gëzimit në kryeqytet menjëherë pas finales me Laçin këtë herë ka ndarë trofeun me qytetarët kuksianë. Klubi kishte parashikuar një festë madhështore, e cila duhet thënë se ka nisur që në kryeqytet. Lojtarët dhe stafi teknik janë nisur drejt qytetit verilindor me limuzina dhe mjete të tjera luksi, ku nuk kanë munguar edhe pijet alkoolike, të cilat në këtë ditë ishin të lejuara.
Më pas, të gjithë lojtarët dhe stafi teknik kanë parakaluar në rrugën kryesore të qytetit me autobus, për t'u vendosur përfundimisht në orën 19:00 në sheshin para bashkisë, ku edhe ka nisur ceremonia. Pasi kanë mbajtur fjalën e tyre disa nga drejtuesit, skena u ka mbetur këngëtarëve të ftuar për këtë eveniment, që ishin emra të njohur të muzikës shqiptare.
Irma dhe Eranda Libohova, Anxhela Peristeri, tenori i njohur Kastriot Tusha, por edhe rapsodët e Kukësit kanë argëtuar të pranishmit në qendër të qytetit. Natyrisht që në këtë aktivitet nuk kanë munguar edhe tifozët ultras.
Aktiviteti i ka dhënë gjallëri për disa orë qytetit dhe banorëve të tij që, përveçse kanë festuar triumfin e skuadrës së tyre, janë argëtuar nën tingujt e muzikës. Kupa e Shqipërisë ishte trofeu i parë për skuadrën e Kukësit pas katër viteve që luan në nivele mjaft të larta.
Ekipit të drejtuar nga presidenti Gjici i mungon një titull kampion, që do të jetë objektivi kryesor në sezonin e ardhshëm futbollistik.