Kukeli Nuk fluturojme por jemi gati per nje superstart

Kukeli: Nuk fluturojmë, por jemi gati për një superstart

"Çdokush ka dëshirë të fitojmë sa herë zbresim në fushë, por nuk duhet të harrojmë që Maroku është një skuadër që ka në përbërje futbollistë cilësorë e që janë pjesë e kampionateve elitare. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën tonë, pavarësisht se ka qenë vetëm një ndeshje miqësore. Mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje të pëlqyeshme, pavarësisht se nuk na shkoi gjithçka perfekt", nis fjalën e tij Burim Kukeli në një intervistë për "Panorama Sport".

Albania+v+Switzerland+Group+UEFA+Euro+2016+SusjiuvXjxex

Mesfushori i Kombëtares ka bindjen se lojtarët do të jenë maksimalisht të motivuar dhe të gatshëm për të përballuar vështirësinë që e pret Shqipërinë në një grup të tillë. Ai nuk komenton zgjedhjen e lojtarëve që lanë Shqipërinë për Kosovën, por ka një koment për vendlindjen e tij dhe për zgjedhjen që ka vendosur.

Ky është grumbullimi i parë pas Europianit, a mendoni se lojtarët janë "të ngopur" për shkak të arritjes në një kompeticion të tillë? Apo Europiani do të shërbejë si eksperiencë e fituar për këtë grup futbollistësh?

Europiani ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme dhe besoj që për të gjithë ne do të jetë e paharrueshme. Megjithatë, tashmë jemi në Kombëtare për të nisur kualifikueset e një edicioni të ri dhe e dimë çfarë grupi të vështirë kemi dhe se sa punë na duhet që të dalim me sukses. Kam bindjen që të gjithë do të jemi me 'këmbë në tokë'. Unë personalisht nuk ngopem asnjëherë me sukseset dhe besoj që kjo dëshirë është edhe për shokët e Kombëtares.

Është bërë çështje edhe ndryshimi i Kombëtares. Tre nga lojtarët që nuk u thirrën në Europian u larguan te Kosova. Si e gjykoni këtë zgjedhje?

Është vendimi i tyre dhe ne nuk mund ta gjykojmë. Secili prej tyre është shprehur se po largohet që të gjejnë më shumë hapësirë atje.

Albania+v+Switzerland+Group+UEFA+Euro+2016+TaL06F2C0Btl

Arsyetim i drejtë?

Më vjen keq, por nuk mund të përgjigjem. Di të them vetëm që është zgjedhje personale e gjithsecilit të bëjë dhe të thotë atë që dëshiron. Mos insistoni më shumë.

A ju ka kontaktuar trajneri Bunjaku apo drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës?

Jo, nuk më kanë kontaktuar. Unë kam vendosur që të luaj për Kombëtaren shqiptare dhe jam krenar për këtë fakt.

Do të ndryshonte diçka në vendimin tuaj në rast se do të kishit ftesë?

Ai që ju thashë më lart është vendimi im personal. Normalisht që unë e dua shumë Kosovën, sepse është vendlindja ime dhe i uroj të gjitha të mirat, por siç jua thashë është nder shumë i madh që jam pjesë e Kombëtares shqiptare.

Sa rrezikon Shqipëria që shumë lojtarë të pakënaqur të transferohen te Kosova?

Jo, nuk besoj se ekziston ky rrezik. Së pari, për dëshirën dhe zgjedhjen që këta lojtarë kanë bërë për këtë fanellë. Së dyti, edhe për faktin që ne kemi shumë futbollistë të talentuar që do të furnizonin mjaftueshëm të dyja Kombëtaret.

Sa shanse ka që të përsëritet mrekullia e Europianit edhe në Botëror?

Dihet tashmë që ne kemi një grup shumë të vështirë dhe gjithashtu formula e kualifikimit i pakëson mundësitë. Megjithatë, ne i kemi treguar vlerat tona edhe kur përballë kanë qenë ekipe shumë të mëdha. Sipas meje, starti i kualifikueseve do të jetë shumë i rëndësishëm. Normalisht që Spanja dhe Italia janë favoritet kryesore, por, nisur edhe nga ajo që u pa në Europian, nuk ka më skuadra të vogla. Unë shpresoj dhe besoj te një fitore ndaj Maqedonisë dhe më pas të bëjmë atë që dimë: vlerësimin maksimal për secilin kundërshtar.

Olsi Tujani



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama