Kujtim Gjonaj Po xhiroj per Hasan Tahsinin

Kujtim Gjonaj: Po xhiroj per Hasan Tahsinin
Regjisori u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin në kinematografinë shqiptare si regjisor, skenarist dhe producent veçanërisht në filmin dokumentar.

Miq, kolegë, bashkëpunëtorë e kineastë ishin bërë bashkë në Arkivin e Filmit në ceremoninë e dekorimit të regjisorit Kujtim Gjonajt nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ndonëse jo gjithçka shkoi siç ishte parashikuar (Arkivi u përfshi në terr për mungesë të energjisë elektrike dhe kjo është e dyta herë pas ceremonisë së 65-vjetorit të themelimit të këtij institucioni), kjo nuk e pengoi Gjonajn të bënte një rrugëtim në më shumë se 40 vite karrierë artistike, shoqëruar me suksese, çmime, emocione e përkushtim. Pas dokumentarit “Ëndrra e Çamërisë”, është në proces xhirimi për një figurë të madhe të historisë, Hasan Tahsinin.

Zoti Gjonaj, çfarë përfaqëson për karrierën tuaj titulli “Mjeshtër i Madh”?

Është kulminacioni i vlerësimit të krijimtarisë sime. Në një rast të tillë të kalon para syve tërë rruga jote e krijimtarisë dhe ndien krenari, emocion dhe guxim për t’i thënë vetes që kam bërë diçka të mirë në rrugën e gjatë dhe të vështirë të artit dhe kulturës shqiptare. E ndiej veten tepër të gëzuar që në ceremoninë e dekorimit kisha pranë miq, kolegë, kineastë, regjisorë me të cilët kam bashkëpunuar që nga stadet e fillimit të krijimtarisë sime deri në momentin që flasim.

Krijimtaria juaj është komplekse (letërsi, skenarë filmash, publicistikë), por ju jeni ndalur te filmi dokumentar. Përse këtë gjini në vend të filmit artistik?

Filmi dokumentar është pasqyrim i drejtpërdrejtë i jetës së përditshme. Në një farë mënyre, dokumentaristët, mirë apo keq janë shkruesit direkt të historisë së një vendi. Gjatë karrierës sime kam krijuar disa filma historikë për Shqipërinë dhe shqiptarët, figura të shquara, dokumentarë për këngët dhe vallet shqiptare etj. Edhe filmin artistik e kam për zemër, por shihja që mundësitë, dhuntitë dhe aftësitë e mia ishin për filmin dokumentar.

Pas dokumentarit “Ëndrra e Çamërisë” me të cilët u vlerësuat edhe me çmimin “Kult 2011”, keni ndonjë ide për një dokumentar të ri?

Më shumë sesa një ide, është një film konkret që jemi duke e xhiruar. Bëhet fjalë për një figurë monumentale të historisë shqiptare si Hasan Tahsini, gjeniu i diturisë, shkencës, astronomisë, patriotizmës, thelluesi i parë i universitetit të Stambollit. Koha e nxehtë na ka penguar për xhirimet, por filmi nis që me shkollën “Hasan Tahsini” në Tiranë, nxënës i së cilës kam qenë edhe unë, rrugën që mban emrin e tij, e për të shpërshfaqur më tej të gjithë figurën e të madhit Hasan Tahsini. Ky dokumentar është një projekt i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, ndërkohë që me iniciativën private kam në formatim edhe një film për të madhen Margarita Xhepa, jetën dhe  veprën e saj artistike.

Nga Çamëria te një figurë çame. Çfarë e përligj interesin tuaj?

Popullsia çame është popullsi vitale me vlera të mëdha qytetare dhe vlera kombëtare, gjë që e dëshmojnë figura të shquara si Hasan Tahsini, Mitrush Kuteli, Dora D’Istria etj. Mjafton të them që edhe në këtë ceremoni ata më kanë nderuar me praninë e tyre.

Çfarë e dallon krijimtarinë tuaj të para viteve ’90 me atë të këtyre 20 viteve?  

Nëse flasim për faktorin kohë, unë nuk shoh ndonjë ndryshim te vetja ime. Është i njëjti pasion, përkushtim, dashuri për të bërë filmin. Unë vazhdoj ta quaj edhe sot një film të mirë “Më e madhja dashuri”, ndonëse i ishte kushtuar figurës së Enverit, partisë, popullit që punon e djersin, sepse kjo është historia jonë që nuk mund ta mohoj. Ishte kërkesa artistike ajo që më shqetësonte dhe jo personazhi i filmit tim. Me të njëjtin seriozitet kam bërë filmat e pas ’90-s, Jeronim De Radën, Nënë Terezën, Faik Konicën, Ëndrra e Çamërisë, Hasan Tahsinin që kam tani. Sigurisht që tashmë kemi liri, nuk ekziston më censura, por kjo nuk ka bërë që të heq dorë nga kërkesa artistike.

Regjisori 

Kujtim Gjonaj është një nga kinodokumentaristët më të njohur shqiptarë të brezit të viteve ’70, që me krijimtarinë e tyre sollën një frymë të re në dokumentaristikën shqiptare për nga tematika dhe trajtimi artistik. Emëruar në Kinostudio fill pas mbarimit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi (1969), pas një përvoje e veprimtarie të bollshme si redaktor e skenarist, në mesin e viteve ‘70 Kujtim Gjonaj kalon në regjisurë duke xhiruar deri më sot rreth 100 filma dokumentarë në shumicën e të cilave është autor i skenarit. “Zëri yt, Rini”, “Studiues i apasionuar”, “Më e madhja dashuri”, “Bashkëkohësit”, “Qytet në telajo”, “Etyd pranë detit”, “”Kështjella e këngëve”, “Drejt Europës” (1991), “Shembja e idhujve”(1993), “Gjaku ynë i shprishur”, “Ditët e fundit të një Luani” (Ali Pasha), “Nënë Tereza”, “Enciklopedia që ecte me këmbë” (Faik Konica), “Ëndrra e Çamërisë”, janë disa nga filmat e tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama