Kryebashkiaku Tushe Bano trajner objektiv eshte Superiorja

Kryebashkiaku Tushe: Bano trajner, objektiv është Superiorja

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, njëherësh president i klubit të futbollit, në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur se tekniku lushnjar, Artan Bano do të drejtojë ekipin verdhëjeshil edhe për sezonin 2016-2017.

Fatos Tushe

Fatos Tushe

"Kam urdhëruar daljen e ekipit në fushë një muaj më parë për të nisur përgatitjet. Pasi kam parë kontratat kam vendosur që Artan Bano të jetë trajneri i skuadrës së Lushnjës për sezonin e ri, duke e rikonfirmuar në krye të pankinës", është shprehur presidenti Tushe. Edhe për sezonin e ri klubi lushnjar do të jetë në varësi të plotë të Bashkisë së Lushnjës. Shoqëria e themeluar më datë 11.09.2013 ka një kapital të regjistruar që është 35 milionë lekë të vjetër dhe zotërohet nga Bashkia Lushnjë.

Donatorët

Gjatë kësaj periudhe te skuadra e Lushnjës është folur edhe për donatorë të ndryshëm, të cilët mund të ndihmojnë financiarisht ekipin. Por, kryebashkiaku konfirmon se nuk ka pasur asnjë kontakt. "Nuk kemi pasur kontakte për aksionarë të tjerë. Bashkia e Lushnjës vijon të jetë aksionarja e vetme.

lushnja

E kemi mbështetur dhe do ta mbështesim futbollin duke qenë të hapur dhe të negociueshëm", u shpreh presidenti Fatos Tushe. Në lidhje me objektivin ai deklaroi se për këtë sezon ekipit të futbollit do t'i kërkohet kalimi në Kategorinë Superiore. "Objektivi për këtë sezon është kalimi në Kategorinë Superiore", ka mbyllur numri një i klubit verdheblu.

Skuadra

Lushnja ka nisur prej kohësh përgatitjet, ndërkohë që është ruajtur grupi i lojtarëve të sezonit të kaluar dhe janë afruar vetëm dy lojtarë të rinj. Aktualisht lojtarët janë në gjendje të mirë fizike dhe gati për të rinisur kampionatin. Gjithsesi për të rivalizuar për ngjitjen në Superiore, ekipit i nevojiten përforcime. Te myzeqarët, për momentin, nuk flitet për një gjë të tillë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që lojtarë të rinj dhe cilësorë të vihen nën urdhrat e trajnerit Bano në ditët në vijim.

ALBAN ALUSHI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama