Kriminelet shqiptare te keqinjte e Hollivudit

Kriminelët shqiptarë, të këqinjtë e Hollivudit
Filmi, i cili është një bashkëpunim franko-amerikan me tipare totalisht hollivudiane, ka në qendër një ish-oficer te CIA-s, Bryan Mills, rol i cili luhet nga aktori i mirënjohur, 56-vjecari Liam Neeson. I ndarë nga gruaja, Neeson vjen në Los Anxhelos për të qenë pranë së bijës Kim (Maggie Grace), një adoleshente e llastuar që po shijon jetën luksoze të siguruar nga njerku i saj i ri, një biznesmen i suksesshëm dhe tepër i pasur. Kur disa ish-kolegë të CIA-s ndërhyjnë për t’i siguruar një punë Brian Mills si truproje i një këngëtareje të famshme (Holly Valance), ai arrin ta shpëtojë këngëtaren në mënyrë spektakolare nga një tentativë për ta plagosur duke treguar se nuk e kishte humbur aspak nuhatjen instiktive dhe zhdërvjelltësinë për të goditur.

Me këmbënguljen e ish-gruas, Mills e lejon të bijën të shkojë për një vizitë në Paris të Francës me shoqen e saj Amanda. Sapo mbërrin në Paris, të dyja vajzat rrëmbehen nga një bandë kriminelësh shqiptarë të drejtuar nga kapoja i tyre Marko, personazh që luhet nga aktori shqiptar në ngritje i Hollivudit, Arben Bajraktari. Mills niset menjëherë për të shpëtuar të bijën në Paris dhe e kupton se ka vetëm 96 orë para se vajzat të përfundojnë të droguara në ndonjë treg të fëlliqur mishi të bardhë apo në haremin e ndonjë arabi të pasur. Shpejtësia e veprimeve të stilit Jason Bourne nga filmi Bourne Ultimatum nga momenti që e bija rrëmbehet ndërsa po fliste në telefon me të, është frymëmarrëse dhe marramendëse. Me ndihmën e zellshme të policisë së Parisit, të cilët mezi prisnin momentin për të anihiluar këtë rrjet famëkeq dhe tepër të rrezikshëm trafikantësh, si dhe me ndihmën e një përkthyesi shqiptar që kishte edhe ai hesape personale me Markon, Mills fillon misionin e tij duke eliminuar me brutalitet dhe shpejtësi pjesëtarët e kësaj bande gjakatare. Urrejtja për pengmarrësit dhe dëshira për çliruar vajzat e rrëmbyera e shndërron Neeson në një makinë vrasëse të pamëshirshme.

Pasi e gjen bordellon ku kishin qendrën kriminelët shqiptarë, ai i shkatërron plotësisht atë dhe me një tempizëm topitës, vret të gjithë pjesëtarët e bandës që gjendeshin brenda, para se t’i vihet në ndjekje Markos dhe ta vrasë edhe atë. Ky nuk është rasti i parë që shqiptarët sillen në filmat hollivudianë për të personifikuar personazhe të botës së krimit, duke u veshur me tipare tepër të egra dhe gjakatare. Në filmin e fundit të Sid Kalisë “In With Thieves”, një rrjet kriminelësh shqiptarë, trafikantë droge të kryesuara nga Antoni, përbëjnë “të këqinjtë” e skenarit të filmit. Tek “Taken”, regjisori dhe njëkohësisht skenaristi Luc Besson, përveç personazhit, është kujdesur që në filmin e tij personazhi shqiptar të luhet gjithashtu nga një aktor shqiptar. E kush më mirë do ta luante këtë rol se Arben Bajraktaraj, i cili fitoi famë pas debutimit të tij në filmin e fundit të Harry Potter “Harry Potter and the Order of the Phoenix”? Kinematografia amerikane, e etur për personazhe të rinj me karakter negativ, pasi ka ezauruar kombësi të tilla si ruse, kineze, kolumbiane etj. duket se ka filluar t’i bëjë “të modës” shqiptarët në filmat me kriminelë. Në to, personazhet shqiptarë kanë marrë trajtat e kriminelëve të paskrupuj dhe me temperament tepër të ashpër.

Nga: Avni Aliaj : AlbaniaMail.co.uk

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama