Konfliktet per Faljen e Gjakut percillen ne Oskar

Konfliktet per 'Faljen e Gjakut' percillen ne 'Oskar'
Duke u gdhirë 4 tetori përfundon afati i hyrjes së filmave konkurrentë për çmimet “Oskar”. Tre filma, mes tyre dhe filmi shqiptar i Joshua Martson, janë klasifikuar si të “rrezikuar” që në fillim, për shkak të polemikave që kanë hapur në vendet nga vijnë.

“Një tërbim ka shpërthyer në Shqipëri në përzgjedhjen e filmit hyrës që do të prezantojë kombin e vogël për çmimet “Oskar”. Vendi ballkanik, i famshëm për adhurimin e Wisdom Norman, është në debat për përzgjedhjen që ka bërë Qendra Kombëtare Kinematografike duke ia dhënë të drejtën e përfaqësimit në kategorinë e “Filmit më të mirë në gjuhë të huaj” për “Oskar” regjisorit amerikan, Joshua Martson”, - kështu shkruan e përditshmja londineze “The Guardian”, vetëm pak orë nga mbyllja e afateve të fundit për regjistrim në konkurrimin për çmimet “Oskar”. Ndërkohë që sipas faqes zyrtare të Akademisë së Filmit për çmimet “Oskar”, këtë vit deri tani janë regjistruar 44 filma në gjuhë të huaj, që synojnë çmimin më prestigjioz të kinemasë botërore, por deri në përfundim të afatit të fundit duke u gdhirë 4 tetori (me orën tonë) pritet të vijnë dhe 20 filma të tjerë. Një vit më parë ishin 65 filma që u regjistruan, nga të cilët, 5 prej tyre u përzgjodhën nga Komisioni i çmimeve “Oskar”, i kryesuar nga Mark Xhonson (Mark Johnson), si kandidatë për kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”.

Edhe këtë vit do të ndiqet e njëjta procedurë si ngaherë. “Por disa prej filmave që në procesin e regjistrimit kanë hapur diskutime dhe polemika”, - shkruan faqja zyrtare e çmimeve “Oskar”, duke listuar me radhë filmat që kanë hapur polemika: Filmi shqiptar “Falja e gjakut”, me regjisor amerikanin Xhoshua Martson (Joshua Martson), është përcjellë me një letër ankimuese nga regjisori Bujar Alimani, i cili thotë se filmi “Falja e gjakut” nuk përfaqëson tërësisht sipas kritereve kinemanë shqiptare.

Por komisioni përzgjedhës i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në shkresën dërguar komisionit të kryesuar nga Mark Xhonson, ka argumentuar se “Falja e Gjakut” që fitoi “Ariun e Argjendtë” në Berlin, është tërësisht në gjuhën shqipe, trajton një temë shqiptare, aktorë shqiptarë dhe një pjesë e stafit realizues janë shqiptarë. Kjo nuk është hera e parë që regjisori Xhoshua Martson përballet me zemërimin e regjisorëve vendas. Edhe në filmin e tij “Maria Full of Grace”, që u përzgjodh si hyrja e Kolumbisë në vitin 2005 për çmimet “Oskar”, u skualifikua në fund pikërisht për shkak të polemikave të ngjashme që kishte filmi nga regjisorët vendas. Por të paktën, aktorja kryesore Katalina Sandino Morena (Catalina Sandino Moreno) e filmit arriti të merrte çmimin “Oskar” për interpretimin e saj në “Maria Full of Grace”. “Shpresojmë që të mos ndodhë e njëjta gjë edhe me filmin shqiptar”, - shkruajnë mediat amerikane.

Por i takon në fund komisionit për të “vërtetuar” nëse filmi i amerikanit Xhoshua Martson ka mjaftueshëm elementë shqiptarë sa për t’u kualifikuar. Por duket se jo vetëm shqiptarët kanë probleme të tilla. Në listën e filmave të diskutueshëm është edhe përzgjedhja e Kinës, me regjisorin Zhang Yimou, “Lufta e luleve”, që rrëfen një histori epike nga periudha e invazionit japonez. Filmi është 40% në gjuhën vendase dhe 60% në gjuhën angleze, që është një lloj hileje e vogël për t’u shpëtuar rregullave strikte të Akademisë. Gjithashtu, filmi francez ka hapur polemika në komisionin përzgjedhës. Franca zakonisht zgjedh filma konkurrentë në Kanë për t’u përfaqësuar në çmimet “Oskar”, por duke qenë se drejtorit i Festivalit të Kanës, Thiery Fermaux, është gjithashtu në komisionin zyrtar të përzgjedhjes së filmave francezë për në “Oskar”, ai zgjodhi filmin më të vlerësuar nga kritika, titulluar “Deklarat e Luftës”, që rrëfen historinë e dy prindërve të rinj që janë vazhdimisht në përpjekje për të përvetësuar diagnozën e kancerit për fëmijën e tyre. Ky film hapi polemika, sepse komisioni përzgjedhës për filmin francez që do të përfaqësohet në “Oskar” injoroi filmin fitues të Kanës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama