Koha e kometes filmi fitues i perzgjedhur nga kritika

Koha e kometës, filmi fitues i përzgjedhur nga kritika
Kritikët shikojnë si një ndër pretendentët për çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, bashkëprodhimin shqiptaro-gjerman "Koha e kometës", një variacion mbi novelën e Ismail Kadaresë "Prilli i thyer". Përmbyllja e sezonit turistik në Shqipëri po përkon dhe me zhvillimin e një evenimenti të rëndësishëm artistik në qytetin e Durrësit. Duke u zhvilluar në dy pika atraktive të qytetit bregdetar, në amfiteatrin antik dhe pallatin e kulturës, nga fundjava e kaluar mbrëmjet durrsake janë bërë edhe më të zhurmshme. Banorë të qytetit, turistë të huaj apo artdashës nga qytete të ndyshme të vendit po ndjekin axhendën e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, ku në konkurrim deri në datën 31 gusht do të jenë 16 filma të autorëve nga vende të ndryshme të botës. Organizatorët kanë preferuar një fillim të bujshëm të Festivalit, ku në ditën e parë kanë vendosur në garë shfaqjen premierë të filmit që po përflitet si pretendenti kryesor për çmimin e madh "Gladiatori i Artë", prodhimin shqiptaro-gjerman, "Koha e kometës", me regji të Fatmir Koçit. Koçi është dhe autor i skenarit, i cili është një variacion mbi novelën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, "Prilli i thyer". Në një nga rolet kryesore ishte Blerim Shestani, i cili ndihet i gëzuar që premiera e filmit pati një sukses të jashtëzakonshëm në ditën e parë të Festivalit, ashtu si 8 muaj më parë në premierën e Berlinit, kur u prit shumë ngrohtë nga kritika e huaj.

Shestani ka besim se "Koha e kometës" do të jetë më i vlerësuari në këtë event artistik. "Mendoj se është filmi më i kompletuar i kësaj gare. Ne do ta fitojmë çmimin e madh", - thotë Shestani. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1914, kur Shqipëria drejtohej nga Princ Vidi. Një histori lufte, por dhe bashkëjetese fetare. Pikërisht novela "Prilli i thyer" i Kadaresë, ku është mbështetur filmi është fituese e çmimit prestigjoz në Londër, "Man Booker International 2005". Mbrëmjen e së dielës ka konkurruar dhe filmi "Instalacioni i dashurisë", një bashkëprodhim gjermano - slloven. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me cilësinë dhe të presidentit të Festivalit, mendon se kjo ngjarje e rëndësishme, nuk do të mbetet vetëm premierë, por do të krijojë traditën e vet. “Gjithashtu autoritetet lokale në qytetin bregdetar do të jenë shumë të ndjeshme për mbështetjen e projekteve të tjera kulturore dhe artistike", - tha Dako. Gjatë ditëve të Festivalit të Durrësit është duke u zhvilluar dhe një sesion i veçantë retrospektiv i filmit shqiptar. Aty do të shfaqen 12 filmat më të mirë në vite, që janë dhe fitues të 12 festivaleve kombëtare.

"Koha e kometës" premierë në Kosovë

Filmi "Koha e kometës", me regji të Fatmir Toçit do të jepet premierë edhe në Kosovë. Premiera e filmit do të jepet në Prishtinë, konkretisht në kinemanë ABC, nga data 2 shtator, përderisa po në këtë datë filmi pritet të jepet premierë edhe në kinemanë “Millenium”, në Tiranë. Por, organizatorët në Prishtinë dhe në Tiranë nuk kanë mundur të japin informacione se a do të vijë nga SHBA aktorja kryesore e këtij filmi Masiela Lusha, e cila luan rolin kryesor. Premiera e këtij filmi i cili u dha të shtunën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës është pritur shumë mirë nga kritika shqiptare.

16 filmat në garë për çmimin "Gladiatori i artë"

E ndërsa nata e parë ka prezantuar një produksion shqiptaro-gjerman dhe një tjetër serb, përgjatë ditëve të festivalit do të shfaqen edhe 14 filma të tjerë, mes të cilëve: prodhimi italo-francez "Life sentence"; filmi kroat "True miracle"; bashkëprodhimi i artistëve nga Shqipëria dhe Kosova "Secrets"; filmi "Installation of love", që vjen si bashkëpunim i artistëve nga Sllovenia dhe Gjermania; filmi grek "Correction"; ai estonez "Georg"; filmi çek "I served the King of England"; bashkëprodhimi anglo-iranian "Ahlam dreams"; filmi turk "Ëhite angel"; filmi norvegjez "Mirush"; bashkëpunimi boshnjako-kroat "Living and the dead" dhe filmi shqiptar "Mao Ce Dun".

Çmimet e festivalit:

Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë)
Çmimi i Jurisë
Filmi më i mirë shqiptar
Aktorja më e mirë
Aktori më i mirë
Çmimi i karrierës

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama