Klubi vendos Kapllani-Ahmataj ne krye te Teutes provizorisht

Klubi vendos, Kapllani-Ahmataj në krye të Teutës provizorisht

Pas largimit të Gugash Maganit, klubi i Teutës ka zgjedhur pasuesin e tij. Në fakt, nuk do të jetë një trajner, por dy. Klubi durrsak duket se do të ndjekë modelin e Kukësit, i cili për një periudhë të caktuar u drejtua nga dyshja Duro-Lika.

Ndeshja e futbollit, Teuta-Kukesi, 2-1, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin Niko Dovana, ne Durres.

Drejtuesit kanë vendosur që në krye të skuadrës përkohësisht të jetë Xhevahir Kapllani dhe Julian Ahmataj, ndërsa pjesë e stafit provizorisht do të jetë edhe shefi i klubit Eduart Salillari.

Do të jetë pikërisht kjo treshe që do të drejtojë skuadrës durrsake deri në gjetjen e një tjetër "timonieri".

Ky vendim i presidentit Edmond Hasanbelliu është bërë zyrtar mbrëmë, gjatë darkës së fundsezonit që u shtrua nga klubi. Ish-portieri i Teutës, i cili ka qenë edhe trajner i ekipit B, në bashkëpunim me Ahmatajn, do të jetë në krye të ekipit për një periudhë të papërcaktuar.

Ky staf pritet që të drejtojë durrsakët në Ligën e Europës. Megjithatë, në rast se ecuria e skuadrës do të jetë e mirë në kompeticion, nuk përjashtohet mundësia që ata të marrin besimin e drejtuesve për më gjatë. Nuk është e para herë që në Durrës u besojnë trajnerëve të rinj, të cilët kanë befasuar duke rezultuar të suksesshëm.

Merkato - Pasi është zgjidhur çështja e pankinës, e cila kishte mbetur bosh prej ditësh, tashmë Teuta do të nisë zyrtarisht që të mendojë për konfigurimin e skuadrës për Europën.

Ashtu si sezonin e kaluar, do t'u besohet lojtarëve të rinj në moshë, të cilët pas këtij kampionati kanë fituar eksperiencën e duhur dhe kanë shansin që të bëjnë diferencën.

Lojtarët që janë pa kontratë pritet që të rinovojnë shumë shpejt duke qenë pjesë e organikës për Ligën e Europës. Por, veç blindimit të kontingjentit, nuk do të mungojnë as prurjet e reja, që do të përforcojnë skuadrën për këtë kompeticion.

Darka - Presidenti i ekipit ka mbledhur skuadrën mbrëmë për darkë. Edmond Hasanbelliu ka përgëzuar lojtarët për sezonin që sapo u mbyll, por edhe për kualifikimin në Ligën e Europës.

Në darkë kanë qenë pothuajse të gjithë protagonistët, por ka pasur edhe mungesa, si Moçka, Kadriu, Lukiç dhe Jildemar. Ndërsa ra në sy edhe prezenca e Maganit dhe Dervishit, që edhe pse të larguar, iu bashkuan skuadrës për të festuar arritjen sezonale.

Jeton Rexhmati


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama