Kledi Kadiu ne Venecia Anija e embel historia e jetes sime

Kledi Kadiu ne Venecia Anija e embel, historia e jetes sime
“Anija e ëmbël” e regjisorit Daniele Vicari, u dha të dielën në mbrëmje premierë në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi që rrëfen historinë dramatike të 20 mijë shqiptarëve në bordin e anijes “Vlora” 21 vjet më parë, është një ndër filmat që shfaqet jashtë konkurrimit në Venecia. Para shfaqjes, regjisori Daniele Vicari dhe një nga personazhet e filmit, balerini Kledi Kadiu, rrëfyen eksperiencat personale në realizimin e këtij dokumentari. “Dokumentari ‘Anija e ëmbël’ është në fakt metafora e një populli pa atdhe që kërkon një të ardhme. Është një histori interesante që erdhi si një goditje për Italinë dhe për gjithë Europën, mendoj. Ideja për këtë film lindi duke gërmuar në imazhet arkivore të realizuara me mjeshtëri nga disa operatorë.

Kështu doli kjo histori, që është historia e Italisë dhe e 20 mijë shqiptarëve, ‘banorë’ të përkohshëm të anijes ‘Vlora”, – tha regjisori Vicari në prag të premierës së filmit. Për realizimin e këtij dokumentari regjisori Vicari ka përdorur imazhe të rralla nga fondi i Arkivit Shtetëror të Filmit, ku qëndroi për disa ditë me radhë. Një anije mallrash që deri para 8 gushtit të vitit 1991 transportonte sheqer, do të kthehej në anijen e ëndrrave dhe dhimbjes së 20 mijë shqiptarëve. Kjo është dhe arsyeja që regjisori e ka titulluar dokumentarin e tij “Anija e ëmbël”.

Dokumentari është realizuar përmes intervistave me personazhe që u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje dhe imazheve arkivore brenda dhe jashtë anijes. Mes protagonistëve shqiptarë të asaj dite janë Halim Milaqi, komandant i anijes “Vlora”, Eva Karafili, Agron Sula, Robert Budina dhe Kledi Kadiu. “Më në fund një film që tregon historinë e vërtetë të një populli. Rrëfen kulturën, gjuhën, traditat dhe sidomos të kaluarën e tij. Tregon ngjarjet e zhvilluara 21 vite më parë, jo vetëm për mua, por për mijëra shqiptarë. Është një histori mjaft interesante e jetës sonë, që padyshim ndikoi në jetën e gjithsecilit banor të asaj anijeje. Unë mendoj pikërisht se ky ka qenë momenti më i rëndësishëm jo vetëm në jetën time, por në jetën e atyre 20 mijë shqiptarëve që u detyruan të kthehen mbrapsht, duke ua prishur ëndrrën për një të ardhme”, – tha balerini shqiptar para premierës së filmit në Venecia. Për regjisorin Vicari, suksesi i këtij filmi nuk qëndron tek historia që rrëfehet, por tek përzgjedhja e personazheve.

“Nuk ka qenë aq historia që kam zgjedhur për këtë film sesa personazhet, të cilët ishin të gatshëm të viheshin përpara kameras dhe të flisnin lirisht me orë të tëra për ato ditë. Në këtë mënyrë, personazhet e mia e rijetuan edhe një herë atë periudhë duke shpluhurosur nga kujtesa edhe momente që edhe vetë habiteshin sesi u kishin mbetur në mendje. Kjo e bën historinë unike”. Por sigurisht që historitë mbi emigracionin dhe mënyrën sesi shtete të ndryshme i trajtojnë emigrantët nuk kanë përfunduar me anijen “Vlora”. “Si qytetar italian, unë nuk jam dakord me mënyrën sesi qeveria italiane sillet me emigrantët. Unë nuk i mbështes politikat e qeverisë për emigrantët, politika që jo rrallë herë kanë shkaktuar viktima. Duke parë filmit, dalëngadalë publiku kupton sesi i ka paragjykuar ata njerëz që zbarkuan me anijen “Vlora” në Bari duke i parë thjesht si klandestinë. Një paragjykim që ne shpesh edhe sot kemi për refugjatët.

Do të kuptojmë se ata janë njerëz, janë fëmijë, pleq, të rinj e të reja që kërkonin një botë më të mirë, kërkonin lirinë”, – thotë regjisori. Ndërsa për balerinin shqiptar Kledi Kadiu, është pak e vështirë të pohosh se tashmë italianët dhe të huajt jetojnë të lumtur si në një familje e madhe. “Është e vështirë ta mendosh këtë si bashkëjetesë në një familje të madhe. Unë gjithmonë e kam menduar dhe parë si një ekip futbolli apo kompani kërcimi, ku nuk shihet pasaporta e njërit apo tjetrit, por shihet vetëm harmonia dhe bashkëpunimi mes njerëzve të kombësive të ndryshme”. Dokumentari “Anija e ëmbël” do të shfaqet edhe sot në Festivalin e Filmit në Venecia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama