Kinemaja shqiptare shum? pak prurje p?r Berlinin

Kinemaja shqiptare, shum? pak prurje p?r Berlinin
Shqipëria ka prezantuar vetëm 7 filma në takimin me preselektorët e Berlinales një më shumë se Kosova dhe shumë më pak se vendet e tjera të Ballkanit si Kroacia, Serbia, Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin, prej ditësh janë ulur para ekranit për të kaluar në skanerin e tyre jo pak, por 130 filma nga Ballkani. Tre preselektorët e Festivalit të Filmit në Berlin janë pjesë e projektit të këtij festivali për një vëmendje më të madhe ndaj filmit që vjen nga rajoni i Ballkanit. Treshja e përzgjedhur si preselektorët e Ballkanit, po shohin filmat e ardhur në Tiranë nga Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, me qëllim përzgjedhjen e realizimeve më të mira për premierë botërore në Festivalin e Filmit “Berlin 2012”.

Shqipëria paraqitet tek preselektorët me 7 filma, kurse 6 vijnë nga Kosova. Një ditë para largimit të tyre nga Shqipëria, Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin zhvilluan një takim me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Në edicionin e këtij viti të organizuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike, komisioni përzgjedhës ka marrë në shqyrtim 2 filma artistikë, 1 dokumentar, si dhe shumë filma me metrazh të shkurtër dhe shumë shpejt do bëjë përzgjedhjen. Në takimin e zhvilluar me ministrin Bumçi u ra dakord për zhvillimin e Javës së Filmit Shqiptar në Gjermani, më qëllim promovimin e vlerave të kulturës shqiptare. Gjithashtu, ata folën edhe për mundësinë që ofron Shqipëria për kineastët e rinj dhe pjesëmarrjen e tyre në Festivalin e Filmit në Berlin, në të cilin është ngritur një forum i veçantë për promovimin e tyre.

“Kineastët e rinj janë në kërkim të vendeve të reja, të paeksploruara, dhe Shqipëria ka mundësi të kthehet në një vend ku të prodhohen filma të huaj. Duke pasur parasysh se sa shumë është shtrenjtuar në botë industria e filmit, Shqipëria ofron mundësi për ta kthyer kinematografinë në industri fitimprurëse”, - tha njëra nga përfaqësuesit, zonja Hoffman. Për edicionin e 62-të të Berlinales që zhvillohet në 2012, komisioni do të shqyrtojë në Tiranë rreth 130 filma nga Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, që përfshijnë filma artistikë të metrazhit të gjatë, filma të metrazhit të shkurtër, dokumentarë dhe filma vizatimorë.

Selektorët asnjë koment mbi filmat

Qëllimi i vetëm i vizitës së tyre në Tiranë është vetëm kalimi në “skanerin” e syrit të filmave që pretendojnë të jenë pjesë e Berlinales. Procesi i punës ua ndalon komentet mbi filmat që ata kanë parë, megjithatë, preselektorët gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë kanë zhvilluar takime me regjisorë, skenaristë e producentë të rinj dhe në karrierë. Shqipëria për gati një javë u bë për herë të parë organizatore e këtij takimi, i cili është mbajtur vitin e kaluar në Shkup. Nga filmat shqiptarë të prezantuar, preselektorët zgjodhën vjet filmin e Bujar Alimanit “Amnistia”. Këtë vit janë paraqitur në fazën e parë selektive rreth 130 filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar. Shqipëria paraqitet me 7 filma, nga të cilët 2 artistikë, “Farmakon” i Joni Shanajt dhe “Out of Touch” i Andi Delianës, ndërkohë që ftesa u është bërë të gjithë krijuesve dhe jo vetëm atyre që janë mbështetur me buxhetin e shtetit. Për herë të parë, Qendra Kinematografike e Kosovës është paraqitur në aktivitetin që po organizohet në Tiranë me preselektorët e Berlinales. Drejtori i Qendrës, Fatos Berisha, regjisorët Ekrem Kryeziu, Agim Sopi e të tjerë, kanë qenë të pranishëm në takimin e organizuar me tre përfaqësuesit e Berlinales. “Nuk di të them saktësisht se përse Qendra jonë Kinematografike nuk ka qenë më parë e pranishme në këtë takim me preselektorët e Berlinit. Ndoshta edhe për mungesë të kontakteve me Berlinalen apo me institucione të tjera.

Ky lloj seleksionimi është mënyra më e mirë për të arritur në aktivitete të tilla të rëndësishme, sepse edhe nëse nuk përzgjidhesh, e di që selektorët e kanë parë filmin dhe merr një feedback prej tyre”, - u shpreh një nga përfaqësuesit e Kosovës, Fatos Berisha. Preselektorëve u janë paraqitur tre filma artistikë nga Kosova; “Agnus Dei” i Agim Sopit, “Kodi i Jetës” i Ekrem Kryeziut dhe “Heroi” i Luan Kryeziut, si dhe tre filma me metrazh të shkurtër: “Kaseta e Martesës” nga Arjan Shaban, “Kolona” nga Ujkan Hysaj dhe “Shkurta” nga Arzana Kraja, të gjithë të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Ndryshe nga viti i shkuar, rajoni i Ballkanit rezulton të ketë një rritje me rreth 30% të filmave të realizuar. Kjo është e dukshme edhe në Shqipëri, por gjithsesi Shqipëria dhe Kosova e kanë të pamundur të krahasohen me vende si Kroacia, që paraqitet me rreth 30 filma në garën e parë selektuese për në Berlin.

Një pjesë e krijuesve, për arsye teknike apo të mospërfundimit të filmit, nuk ia kanë dalë dot të prezantohen në kohë. Edhe pse tashmë ekziston edhe mundësia që kineastët të aplikojnë në faqen zyrtare të Berlinales. Takimi me preselektorët është për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Berlin një mundësi shumë e mirë dhe një garanci që filmat e përzgjedhur prej tyre të përfshihen në programin dhe kategoritë përkatëse të festivalit. Gjatë bisedës me kineastët, preselektorët kanë bërë të qartë se tendenca e prodhimeve që i paraqiten një publiku ndërkombëtar ka të bëjë jo vetëm me tematika të ngushta lokale, por edhe me tema që gjejnë një jehonë për një publik të huaj.

Kineastët e pranishëm, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova, kanë qenë të interesuar veçanërisht për një mundësi më shumë të depërtimit të filmit shqiptar. Tre preselektorët largohen sot nga Tirana, ndërkohë që përzgjedhja e tyre i komunikohet Qendrës Kombëtare Kinematografike. Filmi i parë shqiptar që shkoi në Festivalin e Filmit në Berlin ishte “Amnistia”, i regjisorit Bujar Alimani. Filmi u përzgjodh si pjesëmarrës në seksionin International Forum të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin dhe arriti të fitonte trofeun e këtij forumi. Edicioni i 62-të i Festivalit të Filmit në Berlin do të mbahet nga data 9-22 shkurt 2012.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama