Kineastet Te ndryshoje ligji

Kineastët: Të ndryshojë ligji

Qendrës Kombëtare Kinematografike i duhet të përballet me presione dinamike. Fundi i 2007 shënon mbarimin e mandatit të bordit aktual, bërthama që ka në dorë projektet filmike shqiptare. Për t'i prirë zhvillimeve, kineastët e shoqatës "Lumiere" deklaruan të shtunën sugjerimet në adresë në Qendrës. I rizgjedhuri kyetar i "Lumiere", regjisori Kujtim Çashku, tha që "QKK ka nevojë të shkundet dhe të jetë transparente për politikat e saj dhe për buxhetin". "Shkundja" konsiston në ndryshimin e strukturës së bordeve dhe në pasjen e një strategjie për projektet filmike ku investohen paratë e taksapaguesve. "Lumiere" një nga katër shoqatat që eksizton në Shqipëri për të gjitha gjinitë e kinemasë, hedh idenë e bordeve të veçuar: për filmin artistik (metrazh i gjatë dhe i shkurtër) me 7 anëtarë (aktualisht është me 5 anëtarë); për dokumentarin 5 anëtarë dhe një bord me po kaq përbërje për filmin e animuar.

E ka këtë "të drejtë" që kur kryetari i Qendrës, Xhevdet Ferri, i ftoi shoqatat të propozojnë jo vetëm anëtarët e bordit, por edhe sugjerime për amendamente të ligjit "Për Kinematografinë". Po strategji e Qendrës ç'do të thotë? Një kuptim që i jep Çashku strategjisë, lidhet me selektimin dhe miratimin e atyre lloj skenareve ku projektohet Shqipëria dhe shqiptarët, pasi kinemaja më shpejt se cilido art tjetër mund t'i flasë botës për çka ka ndodhur dhe ndodh në Shqipëri. "Po marr rastin e Serbisë që ka realizuar 5 filma me temën e konfliktit, pikërisht tani para dokumentit final të Kosovës, dhe po i shpërndan në gjithë festivalet. Apo rasti i filmit për Rumaninë e Çausheskut, fitues i "Palmës së artë", në Kanë." Tani që buxheti për kinemanë po kap shifrën 1 miliardë e 600 mijë lekë (të vjetër), si asnjëherë tjetër, QKK ka shanse për mendojë për "luksin" e quajtur strategji.

Debati i kineastëve e pati peshën kryesore tek tri çështje, tri amendamente për Ligjin "Për Kinematografinë" (1996): përjashtimi nga TVSH e produktit kinematografik të realizuar nga shtëpitë filmike; përjashtimi nga taksa doganore e pajisjeve dhe materialit filmik që nuk kanë qëllim tregu, por vijnë dhe blihen nga shtëpitë filmike për nxitjen prodhimit kinematografik. Shqipëria është ndër ato pak vende ku është ruajtur tvsh dhe taksa doganore për shumë mallra jo të konsumit, dhe ndoshta i vetmi vend ku këto detyrime ndaj shtetit janë 20% të vlerës së mallit.

Dhe së fundi, çdo të bëhet me pasurinë filmike të prodhuar deri në vitin 1990 në Kinostudion "Shqipëria e Re". Ky problem i bërë tërkuzë në 17 vjet zgjidhet me ligj me amendamentin për "kalimin e pronësisë ekonomike të filmave (artistikë dhe televizivë) të prodhuar para viteve 90, tek autorët për të shmangur dhe stopuar piraterinë aktuale".

Për hir të së vërtetës, Qendra në këtë drejtim është palë me kineastët. Edhe në strategjinë kombëtare për kulturën, Xhevdet Ferri propozon "riorganizimin dhe ndryshimin e modelit të administrimit të të drejtave të autorit kinematografik për veprat e prodhuara para vitit 1997", vepra të cilat kanë hyrë edhe "rrugës së biznesit të shitjes së formateve elektronike për përdorim familjar".

Megjithëse Qendra ka treguar këtë vullnet verbal, praktikisht është hedhur në anën tjetër të llogores. Në vitin 2005 ajo iu bind një urdhri të një ministri kulture,Bujar Leskaj që ia kalonte për administrim QKK pasurinë filmike në fjalë.

Një vit e gjysmë pas, vihet në dispozicion ky urdhër i Leskajt i cili i jep të drejtë Qendrës të kryejë operacion dhe duke detyruar Arkivin Qendror të Filmit të përfshihet në të. Këto operacione komerciale, i ndjeri Ilia Xhokaxhi, drejtori i arkiviti refuzoi sa mundi, deri në daljen e urdhrit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

"Me një ministër kulture gjeolog, çfarë mund të pritet? Edhe kur postin e kanë pasur kolegët tanë e kanë parë kinemanë si djalë të prurë nga pas", thotë Todi Bozo, producent, anëtar i shoqatës "Lumiere". "Gjithë filmat dokumentarë të arkivit janë hedhur në Beta, i kanë kaluar QKK dhe kanë marrë rrugën e tregut". Sa për filmat artistikë të prodhuar deri në nëntëdhjetën, kjo rrugë ka vite që është marrë, madje shiten blihen nëpërmjet internetit.

Sipas regjisorit Çashku, administrimi që i bën QKK këtij korpusi si vepër kolektive, duke mos bërë njohjen legjitime të autorëve, ashtu siç e kërkojnë konventat ndërkombëtare për të drejtën e autorit (autorë: skenaristi, regjisori, kompozitori)na kthen në kohën e revolucionit kulturor kinez ku gjithçka që prodhohej ishte për popullin dhe vepër e popullit.

"Prona e para nëntëdhjetës i kaloi Qendrës Kombëtare Kinematografike e cila u bashkua me Arkivin dhe u shndërrua në qendër shitje blerje. Tani duhet të afishohemi në një betejë që s'do ta kemi të lehtë",- përfundon regjisori. Fjalën e ka për betejën ligjore për miratimin e amendamenteve, njëri prej të cilëve synon t'i vejë fre piraterisë. Nëse kjo përpjekje do të vonohet, në këtë mes është QKK e cila iu bind një urdhri në kohënkur në dokumentet e saj të strategjisë ruheshin dhe ruhen akoma amendamentet.

Kundërthëniet

Në debatet për të drejtat e autorit, Xhevdet Ferri shpall konkluzionet:

Hartimi dhe shpallja e aktit përcaktues të përqindjes së përfitimit nga ana e autorëve mbi të ardhurat e siguruara nga administrimi i prodhimit të ish- Kinostudios, administruar nga QKK, si dhe mënyra e shpërndarjes së saj; Miratimi dhe prodhimi i pullës përkatëse për tu mbivendosur në produktin kinematografik për përdorim familjar (kaseta, dvd, etj) dhe nxjerrja nga tregu e mallit të palicensuar.

Në traktatin për strategjinë kombëtare i depozituar në MTKRS, Ferri shpall për kinemanë këtë prioritet:

Rivleresimi, riorganizimi dhe ndryshimi i modelit te administrimit te te drejtave te autorit kinematografik per veprat e prodhuara para vitit 1997.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama