Kenga e monotonise

Shok besnik, shok i vjetër që ngahera e kam pranë, si në ditët më të helmuara të jetës sime, ashtu dhe në ato më të lumtura.
Sahat i vogël, i bukur, gjysmëhekur, gjysmë-ergjënd, që s'flet as qan, veç murmurit këngën melankolike, monotone të jetës që shkon. Ikën ngahera, ikën pa kthyer kokën prapa. Ikën dhe, bashkë me të, ikim dhe ne. Na lajmëron se koha shkon dhe fluturon, edhe këndon një këngë monotone; këngën e monotonisë tik-tak. Ç'këngë tragjike! Fillon ajo këngë e helmuar te djepi, dhe mbaron te tabuti. Një tjetër pas teje do ta vazhdojë këngën, dhe pas tij një tjetër; por le të kthehemi te sahati.

Tridhjetë vjet rresht, kudo që vajta, ngado që shkova, e kisha ngahera në xhepin e djathtë të jelekut, duke kënduar këngën e monotonisë. Ndrova shokë, ndrova qytete, ndrova kostume, ndrova shtëpi, por sahatin e kam ngahera në xhepin e djathtë të jelekut.
Është lidhur ngushtë sahati im besnik me kujtimet e plot tridhjetë vjetëve. Sa herë e shoh, me vinë parasysh shokët që kanë vdekur, miqtë që kam larg. Me shkon si vetëtima gjithë jeta e pamvarur e një djalërie nostalgjike. Gjithë e shkuara është para meje, sa herë që fut dorën në xhep për të pyetur shokun tim besnik, ç'kohë është, ai përgjigjet: tik-tak! Përgjigje lakonike, monotone, që s'do të thotë asgjë dhe që thotë shumë gjëra.

Thotë ndofta ajo këngë monotone: "përse dëshpërohesh? Je edhe djalë! Ke një të ardhme përpara. Varet nga ty që ajo e ardhme të jetë e shkëlqyer ose jo! Përse kaq pesimizëm? A është vërtet kaq e zezë jeta sa e pandeh ti? Përse? Përse bëhesh vegla e muskulit, që të ka dhënë zoti peshqesh dhe që quhet zemër? Përse skllav i emocioneve? Shikomë mua, stoik, mbi çdo gjë gjakftohtë dhe krenar! Vepro si unë". Ndofta këto do të thotë kënga monotone e sahatit. Por sahati pa zemër, s'ka asnjë krahasim me njerinë plot ndjenja dhe zemër. Ambienti shoqëror e ka bërë, që ajo zemër dhe ato ndjenja të shërbejnë për fatkeqësinë e tij. Zemra njerëzore shumë herë rreh për ëndrra të shkuara, për sytë e kaltër të një vajze që s'e ke parë qysh prej kohe, për trupin selvi të asaj që në gjunjë të këndonte këngën e shpirtit.
Erdhi koha që të rrahurat e zemrës të ndryshojnë drejtim. Sa për sahatin, ai s'merr vesh, lëre të këndojë këngën e monotonisë gjersa të ndryshket!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama