Kategoria e Pare starti do shtyhet per date 21 shtator

Kategoria e Parë, starti do shtyhet për datë 21 shtator

Shtyhet starti i kampionatit të Kategorisë së Parë. Atë që gazeta "Panorama Sport" e lajmëroi një ditë më parë, tashmë është fakt. Gara e sezonit të ri, që ishte parashikuar të niste më 10 shtator, do të fillojë më 21 shtator.

luftetari gjirokaster

Vendimi, megjithëse nuk është bërë publik, është marrë dy ditë më parë në një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Burime të sigurta pranë Federatës, bëjnë të ditur se është zhvilluar një mbledhje ku është diskutuar në lidhje me kampionatin e së Parës dhe problemet që kanë klubet.

Nuk përjashtohet mundësia që në disa raste të veprohet ashtu si një vit më parë, ku Gramshi që do të duhej të luante në të Parën, për shkak të mungesës së fondeve, ia la vendin Turbinës. Paraprakisht, mësohet se është rënë dakord që kampionati të shtyhet të paktën me 11 ditë dhe t'u lihet kohë klubeve për të shlyer detyrimet në Federatë dhe për të bërë edhe federimet.

Mësohet se klubet janë njoftuar për këtë shtyrje, në një kohë që ende nuk është bërë ndarja zyrtare e skuadrave në grupe dhe nuk është publikuar as kalendari. Gazeta ka tentuar të kontaktojë dje me drejtues të Sektorit të Garave pranë FSHF-së, por nuk kanë denjuar të përgjigjen në lidhje me këtë çështje.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama