Joshua Martson mesova shqip punova me shqiptar ndihem shqiptar

Joshua Martson mesova shqip, punova me shqiptar, ndihem shqiptar
Këndvështrim ndryshe të fenomenit të gjakmarrjes, që nga filmi “Falja e gjakut” deri te reportazhet në faqet e të përditshmes “Corriere della Sera”. Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFilmFest e preu “shiritin” me filmin shqiptar “Falja e Gjakut”, i regjisorit amerikan Joshua Martson. Filmi i cili vetëm tri ditë më parë u zgjodh nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë si prodhimi shqiptar që do të përfaqësojë kinemanë tonë në garën për çmimet “Oskar”, u bë shkak që, mes stafit realizues shqiptar që parakaloi në tapetin e kuq përpara Teatrit Kombëtar të Prishtinës, të ishte dhe regjisori amerikan Joshua Martson. “Është shumë kënaqësi që vijmë të prezantojmë filmin këtu, sepse kur filluam xhirimet e filmit “Falja e Gjakut” një nga qytete ku jemi ndalur për të bërë audicionet për filmin ishte dhe Prishtina, ku ne arritëm të gjejmë shumë aktorë të talentuar”- tha Martson, që befasoi të gjithë duke folur në gjuhën shqipe.

Ai ndaloi pak në bashkëbisedimin me gazetarët edhe në rrugëtimin që filmi i tij i frymëzuar mbi një subjekt shqiptar ka bërë në festivalet më të rëndësishme të botës që nga Berlini, Sindei, Finlanda, Moska e së fundi edhe në Amerikë. “Por unë mendoj se festivali më i rëndësishëm është këtu në Prishtinë”- shtoi ai. E pas lajmit të përzgjedhjes nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë se filmi “Falja e Gjakut” do të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në garën për ‘Okar’, regjisori amerikan Joshua Marston ka folur për udhëtimet, punën në realizimin e filmit në Shqipëri. “Pas tre viteve punë për këtë film, pasi jetova në Shqipëri, mësova gjuhën shqipe, punova me njerëzit e këtij vendi, mësova të ndihem shqiptar.

Duke u përpjekur të realizonim këtë film dhe të bënim diçka të vërtetë, m’u desh të kuptoja të gjitha detajet, jo vetëm për kanunin dhe gjakmarrjen, por për jetën, për shpresat dhe zhgënjimet e adoleshentëve, p.sh. për të përfunduar edhe shkollën e lartë. Kam bërë qindra biseda gjatë të cilave kam bërë mijëra pyetje dhe kam pirë shumë raki... Besoj se e vetmja gjë që e vonon pasaportën time është se duhet të kisha hequr dorë nga duhani... Jam shumë krenar që, pasi dilnin nga kinemaja, njerëzit thoshin se dukej një film i bërë nga një shqiptar. E vërteta është se ai është realizuar nga qindra shqiptarë dhe ndihem i privilegjuar që pata mundësinë të punoja me ta”, tha regjisori Marston. Në edicionin e 3-të të PriFilmFets do të shfaqen 39 filma në shtatë kategori të ndryshme. Në konkurrim do të jenë filma nga Danimarka, Shqipëria, Franca, Maqedonia, Bosnja etj., por edhe serb, në konkurrimin jozyrtar, risi kjo këtë vit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, bëjnë të ditur organizatorët e festivalit. Anëtarë të jurisë janë Gedon Burkhard, i cili është stërnip i aktorit të madh Aleksandër Moisiu; kritiku i filmit nga Britania e Madhe, Filip Bergson (Philip Bergson); dhe regjisori izraelit Itai Tamir. Juria ndërkombëtare, me president Gedeon Burkhard, aktor në filmin “Inglorious bastards” të Tarantinos, do të japë gjashtë çmime, që janë “Hyjneshat e arta”. Pjesë e programit është edhe Retrospektiva franceze, që i dedikohet regjisorit Claude Chabrol.

Corriere della Sera: Një tjetër histori izolimi

Me titull “Fëmijët e humbur shqiptarë, të murosur në shtëpi për t’i shpëtuar grindjeve”, e përditshmja italiane ‘Corriere della Sera’ i ka kushtuar sot një reportazh fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri. “Dy vëllezër, njëri 17 vjeç dhe tjetri 15 vjeç, Darjan e Vladimir (emra të sajuar por personazhe të vërtetë), kanë kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën të mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, madje nuk kanë dalë prej saj as për të shkuar në shkollë”- kështu e nis rrëfimin e tij gazetari Ettore Mo, i cili ka udhëtuar në Shkodër për të patur një panoramë te qartë të asaj çfarë ndodh në Shqipëri, duke sjellë protagonistë dhe personazhe të angazhuar në procesin e pajtimit të gjaqeve. Në reportazhin e tij ai shkruan se “nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Në këto 20 vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i shpeshtë emigrimi i malësorëve shqiptarë, që braktisin shtëpitë, stanet dhe bagëtitë e tyre në rajonin verior, në kërkim të punës dhe të paqes.

Mbi të gjitha, të paqes.” Nga viti 1991 e deri më sot janë me mijëra personat që janë vrarë, dhe të shumtë fëmijët të cilët, si rezultat e ngujimit, kanë mbetur analfabetë. E gjithë historia e gazetarit italian “ngërthehet” te dy adoleshentet me emër të sajuar (për shkak të frikës), por të vërtetë, duke u ndalur edhe në atë që ai e quan rikthim pas në Kanun, “një kod i 1400-ës”, që, sipas asaj që i kanë treguar në Malësinë e Shkodrës, “mbulon me rregulla të gjitha aspektet e jetës”, duke cituar se “gjaku duhet të paguhet me gjak”. Flet për të edhe një nga ndërmjetësuesit e pajtimit të gjaqeve, Aleksandër Kola: “gjatë viteve të diktaturës nuk ka patur vrasje të tilla, pas rënies së saj rastet janë shtuar”.

Kola i rrëfen në fund gazetarit të huaj se në vend ka një harmoni të shkëlqyer mes besimeve fetare. Ndërsa për Luigj Milan (Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe Shqiptare) “gjakmarrja është një fenomen tipik i shoqërive ku ligji nuk është mjaftueshëm i fortë dhe për këtë arsye marrëdhëniet në mes familjeve dhe të afërmve janë burimi kryesor i autoritetit.” Sipas tij, dy janë zgjidhjet: informimi i popullatës lidhur me madhësinë dhe kompleksitetin e problemit, dhe e dyta që është afatshkurtër, arrestimi i menjëhershëm dhe ndëshkimi i përgjegjësve për këtë lloj krimi”- shkruan më tej ‘Corriere della Sera’.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama