Joshua Martson ‘Ariu i Argjendte’ i dedikohet Shqiperise

Joshua Martson: ‘Ariu i Argjendte’ i dedikohet Shqiperise
Fakti që filmi shqiptaro-amerikan që trajton gjakmarrjen, “Falja e gjakut”, mori çmimin e ‘Ariut të Argjendtë’ për skenarin në Berlinale, të shtunën në mbrëmje, ka bërë tashmë xhiron e botës. Ndërkaq, edhe filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit mori çmimin “C.I.C.A.E.”, vlerësime që janë dhënë nga juria e pavarur. Ndërsa ‘Ariun e Artë’ dhe pjesa më e madhe e çmimeve të Festivalit të Berlinit kanë shkuar për filmin iranian “Nader dhe Simin, ndarja” , që edhe ky trajton konfliktet mes traditave strikte fetare dhe jetës moderne në Iran. I njëjti ka fituar edhe ‘Ariun e Argjendtë’ për aktorët më të mirë - mashkull dhe femër. Kineasti dhe bashkëskenaristi amerikan Joshua Marston dhe ai shqiptar Andamion Murataj u nderuan të shtunën me ‘Ariun e Argjendtë’ të Berlinales së 61-të për skenarin e filmit “Falja e Gjakut”. “Fakti që këtë çmim po e ndaj me Andamionin më gëzon veçanërisht.

Sepse ai pasqyron më së miri bashkëpunimin e mrekullueshëm mes nesh. Për mua ky çmim i dedikohet Shqipërisë, ndërsa Andamioni ua dedikon shkodranëve, pa të cilët ky skenar nuk do të ishte realizuar”, tha regjisori amerikan Joshua Marston mbas dhënies së çmimit ‘Ariu i Argjendtë’ në Berlin. Filmi, për prodhimin e të cilit, përveç ShBA-së dhe Shqipërisë kanë dhënë ndihmesën edhe Danimarka dhe Italia, trajton pasojat komplekse të gjakmarrjes në Shqipërinë e sotme. Skenari i filmit është ndërtuar në bazë të intervistave të shumta që dy skenaristët zhvilluan gjatë një udhëtimi 1-mujor në Shkodër e rrethinat e saj.

Udhëtimi i parë në Shqipëri

Kineasti amerikan Joshua Martson nuk kishte qenë kurrë më parë në Shqipëri. Një ditë teksa lexonte në një të përditshme amerikane, që një herë në javë sjell për lexuesit amerikan lajme nga Shqipëria, i bën përshtypje një fakt i botuar, ku flitej për vetëgjyqësinë mes familjeve shqiptare. Pas kësaj kërkoi lidhjet e tij me Shqipërinë. “Para se të realizoja këtë film, unë nuk kisha qenë kurrë më parë në Shqipëri, prandaj kolegu im Andamion më dërgoi në një udhëtim 1-mujor nëpër Shqipëri, për të kuptuar kulturën e këtij vendi, por dhe traditat lokale. Vendosa që këtë film t’ia kushtoj kolegut tim dhe Shqipërisë, kur kuptova sesa e rëndësishme ishte për ta tradita.

Në Shqipëri disa kode zakonore kanë ende vlerë dhe fëmijët hyjnë shpejt në botën e të rriturve dhe rregullave të tyre. Por, për të kuptuar sesi funksion kjo shoqëri, duhet ta shohësh atë me mendje të hapur. Kur filmi u shfaq në Shqipëri, provokoi shumë diskutime, por interesi ynë ishte të “fotografonim” jetën e disa adoleshentëve që silleshin si të rritur, duke u udhëhequr nga koncepti i ndershmërisë dhe besës si dhe dëshirës për hakmarrje.”- shprehet Martson para gazetarëve menjëherë pas marrjes së çmimit. Për të filmi më shumë sesa Kanunin trajton në vetvete një histori konflikti mes brezash, “veçanërisht në një shoqëri që po përjeton periudhën e tranzicionit”- shuan Martson kureshtjen e gazetarëve. Teksa foli për filmin e tij "Falja e gjakut", që ka marrë jetë në Shqipëri, ashtu sikundër trajton një histori shqiptare, ai i është përgjigjur interesit të medias së huaj mbi filmin e Shqipërinë, ku ka vënë theksin te fakti që ai nuk ka dashur të dëmtojë imazhin e Shqipërisë duke folur për gjakmarrjen.

"Dua të përsëris, që të jem i qartë. Nuk është një film që përpiqet ta tregojë Shqipërinë si një vend mesjetar. Përkundrazi, po përpiqem të them se Shqipëria është një vend modern që po kalon kohë të vështira", - tha Marston, duke iu përgjigjur interesit të medias. Ndërsa aktori kryesor i filmit, adoleshenti Tristan Halilaj u shpreh për gazetarët: "Kanuni nuk është përdorur dhe aq shumë këto kohë, po ka ende familje që janë shumë të lidhura me të. Megjithatë, është diçka që i takon së kaluarës". Në filmin e tij të dytë artistik regjisori Joshua Martson trajton pasojat sociale të gjakmarrjes në veriun e Shqipërisë. Pasoja, të cilat ashtu si edhe vetë fenomeni, janë më se komplekse.

Niku, një 17- vjeçar nga veriu i Shqipërisë, është në klasën e fundit të gjimnazit. Ai ka rënë në dashuri me një vajzë dhe ëndërron që me të mbaruar shkollën të hapë një kafene me internet. Edhe Rudina, e motra, e cila është 15-vjeçare, ëndërron të vazhdojë universitetin kur të përfundojë gjimnazin. Por befas ndodh diçka që do t'ua ndryshojë jetën dy të rinjve. Familja, pas një grindjeje të ashpër për tokën, kryen një vrasje. Niku dhe Rudina bien në rrethin vicioz të gjakmarrjes. Ndërsa Niku, i cili sipas kanunit duhet të rrijë i ngujuar, bie në depresion, Rudina, e cila merr në dorë biznesin e të atit, sa vjen e forcohet. Sindi Laçej, e cila luan Rudinën, e njeh këtë situatë nga afër.

Ajo jeton në Shkodër dhe ka pasur rastin të njohë shumë bashkëmoshatare të saj, që kanë fatin e protagonistes 15-vjeçare. “Rrethanat i detyrojnë vajzat të bëhen më të forta se djemtë, sepse ato duhet të sigurojnë mbijetesën e familjes. Edhe Rudina rritet, dhe forcën që ka nga brenda e nxjerr jashtë”, u shpjegoi gazetarëve të huaj Sindi Laçej. Siç e shpjegon dhe Joshua Marston, ai nuk donte të bënte një film për gjakmarrjen, por për konfliktin mes të resë dhe të vjetrës. “Ka pasur shumë filma më parë për këtë temë, gjakmarrjen në Shqipëri, gjakmarrjen në Kalabri, apo në vende të tjera, por ata janë marrë me fenomenin vetë. Mua më interesonte konflikti ndërmjet tradicionales dhe arkaikes, sidomos në një shoqëri tranzicioni.” – tha Joshua

Si e mblodhi familjen shqiptare regjisori Martson

Muaj të tërë regjisori amerikan Joshua Marston dhe kineasti shqiptar Andamion Murataj kishin kaluar nëpër audicione në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, derisa kishin gjetur kombinimin e përshtatshëm të familjes.“Unë e ndjeva që në momentin e audicionit se sa me përkushtim e kishte nisur punën Joshua. Në Shkodër kishte gjetur fëmijët, Nikun dhe Rudinën. Dritën e gjeti në Kosovë, kolegen Ilire (Vinca Çelaj) dhe pastaj erdhi në Maqedoni, ku gjeti babën dhe pastaj filloi procesi i krijimit të kimisë brenda një familjeje”, - rrëfen Refet Abazi, i cili luan rolin e babait. Si rrallë ndonjëherë më parë në filmat shqiptarë, dialogët tingëllojnë më se të natyrshëm. Kjo është jo vetëm meritë e lojës së aktorëve, por edhe e hulumtimit të gjatë të Marston dhe Muratajt në familjet e Shqipërisë së veriut, ku arritën të mblidhnin me qindra anekdota, sidomos nga jeta e të rinjve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama