Jete

Jam ai që s’kam qenë,

do të jem ai që nuk jam.

 

Pemë po të isha ,të mbija ndanë lumit,

të gjelbëronin shpresat,të binin fletët e trishtimit,

mbi degët e përkulura të thinjej bora,të ulërinte era,

netëve një ëndërr:

të vinte pranvera...

 

Do  t’i grishja zogjtë

të vinin tek unë të ngrinin fole,

të cicëronin,lodronin një çast pas shtegtimit;

mbi mua papritur të vërshonin ujërat ,

trungun dallgët të ma rrihnin.

Zogjtë të ikin,në liri-

të ikin...

Fëmijët të kacavirreshin ,

gjethet t’i këpusnin për herbariume,

mbas punës punëtorët të pinin cigare

me duar të trasha si copëra trungjesh.

 

Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,

djema,mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.

 

Jam ai që s’kam qenë,

do të jem ai që nuk jam.

 

Le të vinë druvarët,trungun le ta presin,

nën tokë,

për rilindje,

rrënjët le të mbesin.

Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,

por jo arkivole;

mbi krye të kem qiellin e madh,

nën këmbë as hije,

mbi tryezat e sajuara prej eshtrave të mia

mbështesni bërrylat,

bini në mendime.

 

Jam ai që s’kam qenë,

do të jem ai që nuk jam.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama