Ish-kampionia e Evropes iken me koken ulur nga Evropiani
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Grekët kaluan të parët në avantazh në fundin e pjesës së parë me anë të sulmuesit Angelos Haristeas, por mesfushori Ruben de la Red barazoi në minutën e 61-të.
Me Spanjën që kishte lënë pushim të gjithë titullarët në prag të ndeshjes çerekfinale ndaj Italisë, në program të dielën e ardhshme dhe kampionët e Evropës në 2004-n, Greqinë që luante vetëm për pak krenari, ndeshjes i mungoi rivaliteti i ndeshjeve të mëparshme në grup.
Spanja pati një shans në fillim të takimit, kur De la Red nuk gjeti për pak kuadratin, ndërsa Ksabi Alonso për pak zuri në befasi portierin Antonis Nikopolidis, kur lëshoi një gjuajtje drejt portës nga një distancë më të madhe se 50 metra. Përsëri Alonso qethi shtyllën në dy raste, por ishte Greqia që zhbllokoi rezultatin dhe kaloi në avantazh tri minuta para përfundimit të pjesës së parë. Haristeas iu vodh mbrojtjes spanjolle dhe goditi bukur me kokë për të mposhtur portierin Pepe Reina dhe duke shënuar golin e parë të skuadrës së tij në këto finale.
Lojtarët grekë festuan pas golit, duke vrapuar drejt portierit Nikopolidis, të cilit i ishte dhënë shiriti i kapitenit për nder të ndeshjes së tij të fundit me Kombëtaren, duke qenë se ka deklaruar tërheqjen. Alonso thuajse shënoi, kur topi i goditur prej tij nga 25 metra u përplas në shtyllë në fillim të pjesës së dytë, por ishte De la Red, i cili barazoi me golin e tij të parë për Spanjën.
Mesfushori tundi rrjetën, duke shfrytëzuar një asist me kokë të Dani Guizas, që zotëroi një krosim të gjatë të Sesk Fabregas.
Më vonë, Guiza shënoi emrin në listën e golashënuesve, duke realizuar golin e tij të parë për Spanjën me një goditje të fuqishme me kokë, që mundi Nikopolidisin dhe fiksoi fitoren e nëntë radhazi të iberikëve.
Nëse rezervat spanjolle e cilësuan këtë ndeshje si një shans për të fituar një vend në formacion për ndeshjen ndaj Italisë, duhet thënë se shumë prej tyre dështuan në këtë mundësi, teksa vetëm Fabregas dhe Alonso, së bashku me titullarin Andres Iniesta, ishin ata që shkëlqyen. I vetmi titullar i zakonshëm i hedhur dje nga minuta e parë në fushë ishte mesfushori Andres Iniesta, edhe ky një zgjedhje e detyruar për shkak të gjendjes jo të mirë të Santi Kazorlas.
Aragones: S’doja Italinë në çerekfinale Trajneri i Spanjës
Luis Aragones, menjëherë pas ndeshjes së fituar ndaj Greqisë, nisi të mendojë për çerekfinalen e të dielës ndaj Italisë, që për shumë dekada ka qenë një “mace e zezë” për spanjollët. “Tani do të fokusohemi te çerekfinalja ndaj Italisë. Do të jetë e komplikuar dhe duhet të jemi në 110 për qind të forcave tona, - tha Aragones. – Unë mendoj se skuadra është e gatshme për këto lloj ndeshjesh. Italia është ekipi që unë s’do dëshiroja të përballesha në çerekfinale. Ajo është kampione e botës, ekip shumë i vështirë për t’u përballuar. Lojtarët janë kompetentë, dinë të luajnë në periudha të mira e të vështira”
Guiza: Bukur të shënosh në Evropian
Sulmuesi i Spanjës, Dani Guiza, është shprehur shumë i lumtur që arriti të shënojë në Evropian dhe për më tepër, duke qenë se ishte goli i tij i parë me Kombëtaren. “Jam shumë i lumtur që arrita të shënoj golin tim të parë me Kombëtaren në një kompeticion si Evropiani. Për më tepër që i dha edhe fitoren skuadrës sime, pavarësisht se tri pikët nuk ishin aq të rëndësishme. Kemi një ekip me të vërtetë të fortë, i cili ka arritur të tregojë potencialin e tij në tri ndeshjet e para. Tashmë duhet të vazhdojmë të japim më të mirën tonë dhe shpresoj që edhe unë të luaj sërish”, tha sulmuesi Dani Guiza.
Rehagel: Nuk patëm fat
Trajneri gjerman i Greqisë, Oto Rehagel, arkitekti i triumfit të helenëve në Evropianin e Portugalisë në vitin 2004, ia vuri fajin fatit për atë disfatë të çuditshme të skuadrës së tij të mërkurën ndaj Spanjës. “Mendoj se nuk patëm aq shumë fat sa për të fituar dhe spanjollët u treguan shumë të gatshëm të reagonin në kohën e duhur. Gjithsesi, ne synonim që t’i jepnim lamtumirën turneut me një stil të denjë dhe besoj se ia arritëm, pasi bëmë një ndeshje të bukur”, këmbënguli trajneri.