Instituti Italian i Kultures sjell filmat e suksesshem ne Tirane

Instituti Italian i Kulturës sjell filmat e suksesshëm në Tiranë
Pasditen e sotme, në sallën e Bibliotekës të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë do të shfaqet filmi “Katerina shkon në qytet”, me aktorët Sergio Castellitto dhe Margherita Buy dhe regji të Paolo Virzit. Katerina, 13-vjeçare, bijë e një profesori filozofie dhe një gruaje shtëpiake të ndrydhur, largohet nga provinca e saj e humbur bashkë me familjen, për të jetuar në kryeqytetin italian, Romë. Adoleshentja do të futet me vështirësi në jetën e përditshme të metropolit dhe do të miqësohet me Margaritën dhe Danielën, bijën e madhe të një shkrimtareje të njohur. Në qendër të vëmendjes nuk është lufta dhe konflikti i klasave të shoqërisë, njerëzve të thjeshtë dhe intelektualëve dhe as “goditja” e klasës punëtore, por pasiguria dhe qorrsokaku ku ndodhen të rinjtë e sotëm, të cilët nuk kanë modele të qarta për të ndjekur në jetë dhe nuk dinë të marrin drejtimet e duhura për shkak se as prindërit nuk i orientojnë dhe kuptojnë siç duhet. Gjatë vitit të parë të shkollës në kryeqytet Katerina do të përjetojë shumë ndryshime dhe peripeci, mes festash VIP, aventurash, qendrave sociale etj.

Jeta e saj dhe personaliteti do të pësojnë një goditje. Gjërat në qytet nuk duken më aq të bukura sa më parë. Tashmë gjithçka shikohet me ngjyra, jo më bardhë e zi. Ky ishte dhe subjekti bashkë me mesazhet që ofron filmi i parë që do të shfaqet sot nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Ndërsa gjatë ditëve në vijim, e më konkretisht më 21 mars, do të jepet një tjetër film i suksesshëm italian me regji të Leonardo Pieraçionit, i cili është dhe protagonist i filmit bashkë me aktorët Giorgo Panariello dhe Roko Papaleo. E kemi fjalën për “Të dua në të gjitha gjuhët e botës”. Më datë 28 të po këtij muaji do të shfaqet sërish një tjetër film në Bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës, i titulluar “Kunati im”, me regji të Alessandro Piva-s dhe interpretimin e aktorëve Sergio Rubini dhe Luigi Lo Cascio. Në këtë film ngjarjet zhvillohen në Barin e vitit 2000; Toni dhe Vito janë dy burra tepër të ndryshëm mes tyre. Ata janë kunetër dhe nuk para shkojnë shumë me njëri-tjetrin.

Të shtrënguar nga rrethanat të dy marrin një udhëtim me makinën e Tonit përmes ambienteve të ndryshme metropolitane. Vito papritur gjendet në një tjetër jetë, një tjetër qytet, ku kodet e sjelljes që ai ka të ngulitura në karakter dhe në mendje nuk “pinë më ujë”, ndërkohë që Toni duket se i njeh mirë dhe është absolutisht padron i fuqishëm i tyre. Gjatë natës teksa flenë bërryl mbi bërryl dy kunetërit duket se ata nisin t’i japin njëri-tjetrit më tepër besim dhe të nesërmen në mëngjes kontradiktat janë venitur. Por në atë letargjinë e qytetit që zgjohet dalëngadalë një surprizë e hidhur i pret...

Petrika GROSI : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama