Që në fillimin e reportazhit të gazetarëve italianë që e kanë patur shumë të lehtë ta gjejnë në kundërshtim me policinë vendase që “nuk di ende se ku gjendet ky person”, bëhet e qartë se ai pranon gjithçka: manipulimet, kërcënimet dhe fitimin e miliona eurove, ndërsa konfirmon se Seria A dhe Seria B në Itali është plotësisht e manipuluar. Në reportazh tregohet se si Ilievski urren shqiptarët dhe gazetarët italianë tregojnë sesi ai rri duke sharë sa herë që sheh një të tillë, ndonëse kalon qetësisht me makinën e tij BMW X5 mes përmes lagjes së shqiptarëve në Shkup. Shkaku për këtë urrejtje është se Ilievski është një ish-agjenti i policisë speciale maqedonase, atij grupi që mori pjesë në luftën e Kosovës, ku ka marrë si dhuratë edhe një vragë të thellë mbi vetull, nga i vjen edhe nofka “njeriu me shenjë” që i kanë vënë futbollistët italianë. Për të “respektuar” në mënyrën e duhur këtë nofkë, Ilievski ka bërë tatuazh edhe fytyrën e Al Paçinos, alias Toni Montona, në pulpën e këmbës, duke e treguar me krenari.
Para gazetarëve, Ilievski është treguar i sinqertë e ndonëse nuk ka treguar shumë emra, ka konfirmuar ata më të njohurit si Sinjori (sipas tij shefi i basteve në Itali), Mikoluçi, Gervasoni, Zamperni, Mauri apo Bentivoljo. Ndërkohë, ka shtuar se në këtë mesele është përfshirë rëndë edhe Xhuzepe Skuli, një emër i njohur i futbollit italian që luan për Xhenoan, falë edhe faktit se është nipi i një prej bosëve më të madh të mafias kalabreze, Xhuzepe Morabito.
“Njeriu me shenjë” ka treguar se ai vepronte në pjesën më të madhe të kohës vetëm si bastexhi, pasi ishin vetë futbollistët që e kontaktonin duke i dhënë rezultate të sakta, të siguruara nga vetë lojtarët apo nga akordet mes ekipeve. Sipas tij, Sampdoria, Kaljari, Bari, Leçe, Siena dhe Kievo ishin të gjitha skuadra që manipuluan rregullisht ndeshjet e tyre, ndërsa në këtë mënyrë u vendos edhe kush do të shkonte në Kupat e Evropës, kush do të shkonte në Serinë B e kush do të mbijetonte në Serinë A. Kuptohet, çdo akord sillte qindra mijëra euro në xhepat personave të përfshirë. Në të gjithë këtë reportazh, Ilievski ka bërë të qartë se në këtë histori, fajtorët realë janë futbollistët italianë, të etur për para, ndërsa ata shfrytëzohen për fitime marramendëse nga mafia, ku përfshihet edhe ajo shqiptare.
“Në Angli nuk ndodh, ndërsa në Itali po: bien dakord pastaj vënë baste dhe shesin informatat. Kur na e shesin neve, ose kur ne e zbulojmë vetë, vëmë baste të rënda. Në të kundërt, lojtarët ia shesin dikujt tjetër. Mafies siciliane, asaj shqiptare, hungarezëve apo Bepe Sinjorit që është një nga shefat e basteve sportive në Itali. Të tërëve me pak fjalë”, ishte tregimi i “njeriut me shenjë” i cili pavarësisht famës së një bosi të mafias, jeton i mbrojtur nga shumë truproja, nga frika se mos pëson të njëjtin fat me personazhin nga i cili ka marrë këtë nofkë.











