Idrizi shmang bojkotin Lerini presionet ankohuni me shkrim

Idrizi shmang bojkotin: Lërini presionet, ankohuni me shkrim

Sinan Idrizi takohet me Gugash Maganin. Administratori dhe trajneri i skuadrës kanë drekuar së bashku ditën e djeshme, ashtu sikundër "Panorama Sport" bëri me dije në numrin e djeshëm. Takimi mes Maganit dhe Idrizit ka zgjatur për më shumë se 1 orë e 30 minuta.

Magani Idrizi

Mësohet se trajneri Magani i ka bërë me dije në takim administratorit Idrizi shqetësimin e ngritur nga lojtarët për pagat. Burime brenda takimit thanë gjithashtu për gazetën se kreu i pankinës vlonjate i ka thënë Idrizit se është hera e dytë që lojtarët i kanë kërkuar pagat. "Është hera e dytë që lojtarët më kanë folur për çështjen e pagave. Unë u kam dhënë siguri atyre, siç më keni thënë edhe ju. Por me sa duket, e duan këtë siguri edhe zyrtarisht nga ju", mësohet se i ka thënë Magani.

Administratori

Kreu i klubit vlonjat i ka thënë trajnerit se lojtarët nuk duhet që të bëjnë presione, por të shikojnë punën e tyre. Idrizi i ka kërkuar Maganit se për çdo ankesë lojtarët t'i drejtohen me shkrim. "Nuk ka përse lojtarët të bëjnë presione për pagat që tani. Kampionati ende nuk ka nisur dhe kështu që as puna e tyre nuk ka nisur akoma, nuk janë bërë gati ende borderotë. Unë nuk trembem nga presionet që lojtarët mund të më bëjnë nëpërmjet mediave. E kam thënë qartë, kush do të rrijë, kush do të ikë. Unë nuk kam çështje pagash. Ka rregulla një institucion, ndaj Flamurtari është ai i rregullave", është shprehur Idrizi në takimin me teknikun.

flamurtari

Administratori Sinan Idrizi e konfirmoi dje për gazetën edhe takimin me Maganin. Por edhe këtë herë, nuk kanë munguar batutat nga kreu i klubit për situatën më të fundit. "Po, sot (dje) zhvillova takimin me trajnerin. Folëm për rregullat. Flamurtari funksionon me rregulla dhe jo me presione. Historia është e thjeshtë. Vazhdoni ju, thoni se Flamurtari nuk ka paga. E vërtetë, nuk kemi. Jemi të falimentuar. Nuk ka paga. (qesh)", u shpreh me batutë Idrizi.

Takimi

Administratori Sinan Idrizi, nisur nga situata e krijuar për pagat dhe nga një tentativë e mundshme për të bojkotuar stërvitjen apo ndeshjen me Skënderbeun, është takuar dje pasdite edhe me lojtarët. I shoqëruar edhe nga drejtues të lartë të klubit, Idrizi ka ndjekur nga afër stërvitjen. Kreu i klubit, me prezencën e tij në seancën stërvitore, ka treguar se te Flamurtari nuk ka probleme dhe se lojtarët duhet ta kenë mendjen te stërvitja.

flamurtari stervitje

Mësohet se Idrizi ka folur edhe para skuadrës, ku ka kërkuar impenjim maksimal për ndeshjen me Skënderbeun, por pa dhënë një afat për shpërndarjen e pagave. "Çfarë është kjo çështja e pagave? Çfarë problemi keni? Në vend të shikoni punën aty, merreni me çështje që nuk ju takojnë. Impenjohuni maksimalisht për ndeshjen me Skënderbeun. Atë shikoni ju. I lini presionet. Shikoni se si të më shpërbleni mua, zhgënjimin e një viti më parë", mësohet se u ka thënë Idrizi lojtarëve.

Ermal Sika



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama