Idrizi Magani me 99 trajner i Flamurtarit

Idrizi: Magani, me 99% trajner i Flamurtarit

Gugash Magani është trajneri i ri i Flamurtarit. Mësohet se dje klubi ka arritur akordin përfundimtar me trajnerin që sezonin e sapombyllur ka drejtuar Teutën. Sinan IdriziTrajneri i ri pritet që të mbërrijë sot në Vlorë, për të nisur menjëherë punën për ndërtimin e ekipit të ri. Administratori Sinan Idrizi konfirmoi dje për "Panorama Sport" se sot do të ketë një takim tjetër me trajnerin Magani në Vlorë, edhe pse nuk nxitohet të bëjë konfirmimin përfundimtar.

"Parimisht, kemi rënë dakord me trajnerin Magani, por unë nuk dua të nxitohem dhe të konfirmoj se ai do të jetë trajneri i ri. Do të takohemi sërish nesër (sot). 99% mund ta quaj të mbyllur, por ka edhe 1%. Nesër (sot) e mbyllim këtë çështje", tha Idrizi. Plani - Pasi larguan të gjithë futbollistët pas humbjes me Skënderbeun në ndeshjen e fundit, duket se drejtuesit e Flamurtarit kanë ndryshuar mendje.

Burime pranë klubit kanë konfirmuar për "Panorama Sport" se tanimë gjërat po shihen më kthjellët, por gjithsesi janë të paktë ata lojtarë që pasi mbyllën kampionatin me ekipin do të vazhdojnë aventurën edhe sezonin e ardhshëm.

Nga të huajt, drejtuesit e klubit preferojnë të mbajnë vetëm dy lojtarë. Bëhet fjalë për sulmuesin Danilo Alvesh dhe për uruguaianin Ingacio Nikolini. Ndërkaq, të paktë do të jenë edhe lojtarët shqiptarë. Bëhet me dije se vetëm dy prej tyre po piketohen për të qenë pjesë e vlonjatëve në sezonin e ri.

Shanset për të qëndruar i kanë portieri Ilion Lika dhe vlonjati Hektor Idrizaj. Sa u përket kosovarëve, thuajse të gjithë janë të larguar. Vetëm Kushtrim Lushtaku mund të shihet si alternativë për të qëndruar. Ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve nuk ka asnjë sinjal se mund të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama