I llastuar nga femrat dhe lodra ja jeta e picirrukut Dibala

I llastuar nga femrat dhe lodra, ja jeta e picirrukut Dibala

Paulo Dibala ka ruajtur ende fytyrën prej fëmije, edhe pse jeta e ka detyruar që të rritet më shpejt. Në moshën 15- vjeçare, pas vdekjes së babait të tij Adolf, ai u transferua në kolegjin e Instituto de Kordoba dhe kuptoi menjëherë se çfarë do të thotë që të bëhesh i madh.dibala Përkëdheljet e mamasë Alisia nuk ekzistonin më, mungonin edhe shakarat me dy vëllezërit e tij të mëdhenj, Gustavo e Mariano, pasi përditshmëria e tij ishte vetëm topi. Shumë vite të kaluara me sy të përlotur dhe sakrifica, por që shërbyen për të realizuar ëndrrën e babait të tij: të kishte një prej djemve të tij futbollist profesionist.

Dibala, instinktin e killerit e lë në fushë, pasi jashtë saj është i butë, një person që i pëlqen të përkëdhelet. Në Torino ai ka krijuar atë mikrouniversin e tij familjar, i cili i garanton ekuilibër dhe qetësi.

Mamaja, e vetmja që arrin ende ta bëjë të ndihet si një 10-vjeçar, bën shumë udhëtime vajtje-ardhje nga Argjentina dhe kur i bashkohet në Itali e llaston në të gjitha mënyrat e mundshme: e shoqëron në stërvitje dhe e pret deri në fund të saj, i përgatit pjatat e preferuara dhe e mbush me vëmendje.

Edhe Gustavi dhe Mariano udhëtojnë shpesh drejt Torinos dhe me ta, Dibala u gëzohet momenteve të dëfrimit, nga ndeshjet e kalçetos në tavolinë dhe bilardot te darkat argjentinase, nga sfidat në "PlayStation" te mbrëmjet në shtëpi, të gjithë përpara televizorit.

Dashuria dhe lodrat Kur Alisia nuk është, ajo që i dyfishon përkëdheljet është gruaja e dytë më e rëndësishme e jetës së Paulos, Antonela Kavalieri. Argjentinase si ai, gjithmonë prezente dhe e kujdesshme përkrah kampionit të ri. Anto (kështu e thërret Dibala me përkëdheli) dhe Paulo njihen prej një jete të tërë. Ajo e ndoqi fillimisht në Palermo, por edhe tani në Torino.

Vështirë t'i gjesh nëpër gazetat e "Gossip"-it: nëse kërkoni foto të tyre duhet të "gërmoni" në rrjetet e tyre sociale. Faktikisht Dibala është një tip i rezervuar, nuk i pëlqen që të përflitet për tema që nuk kanë lidhje me futbollin.

Antonela, në Argjentinë bënte karrierën e modeles, është një tifoze e Boka Junjorsit (skuadra argjentinase e futbollit) dhe e Majemi Hit (skuadra amerikane e basketbollit), ndërsa në Torino prezenca e saj në "Juventus Stadium" është e përhershme.

Përveç sportit, të dy së bashku ndajnë edhe një pasion tjetër, atë për "Legot", tullat plastike shumëngjyrëshe, të cilat kanë bërë dhe bëjnë të dëfrehen gjenerata të tëra fëmijësh. Sepse edhe në këtë aspekt Dibala ka mbetur një "picirruk" (këtë nofkë ia vunë në Palermo).

Paulo dhe Antonela dëfrehen gjatë mbrëmjeve duke ndërtuar e çmontuar ndërtesa të ndryshme dhe nuk dorëzohen derisa ta shohin produktin e tyre të përfunduar. Dhe sa më të vështira janë ndërtimet, aq më dëfryese është mbrëmja e tyre. Në një nga fotot e tyre të fundit, Paulo dhe Anto tregojnë krijimin e urës së famshme londineze, me dy kulla.

Kuadrat/R2 Me një çantë mbi shpinë, sy që duken sikur buzëqeshin përherë, fjalëpakët dhe kurrë të hedhura pa vend, Paulo është "djali i artë" klasik që bën vajzat të çmenden pas tij, por edhe mamatë. Tre tatuazhe (një byzylyk prej luftëtarësh dhe emrat e babait dhe të ëmës), pasioni për "PlayStation"-in, për serialet televizivë (në veçanti "Narkos" dhe "Prison Break") dhe admirimi për Papën.

Me pak fjalë, jeta e tij nuk pranon gjëra të tepruara, sepse Paulo Dibala, të vetmet "vese" i shfaq në fushën e lojës, kur me magjitë e tij detyron stadiumin që të brohorasë emrin e tij. Janë të pakët ata që dinë ta fshehin topin si ai, edhe më të pakët janë ata që kanë shpejtësinë e tij të të menduarit në fushë dhe të ekzekutimit.

Jo rastësisht, Pol Pogba nuk e thërret me emër Paulo Dibalën, por "fenomeni im", në të njëjtën kohë e ka pagëzuar me nofkën "kuadrat/R2", butonat që duhen shtypur në "PlayStation" për të ekzekutuar një goditje si ajo me të cilën shtriu në tapet Sasuolon.

"Paulo ka një dorë në vend të këmbës së tij të majtë", shprehej me shaka Huan Kuadrado. Të gjitha golat sivjet, të 18-të, i ka shënuar me të majtën, sepse me të djathtën mund dhe duhet të përmirësohet ndjeshëm. Maksimumi ka thyer disa xhama të "Vinovo"-s gjatë seancave stërvitore, por me atë të majtë dhe me atë fytyrë prej djali të mirë, atij mund t'i falet gjithçka.

Madje, edhe zërat e fundit për një lidhje sekrete me velinën bionde të emisionit "Striscia la Notizia", Irene Çioni, diçka që është përgënjeshtruar në qetësi, në heshtje të plotë nga Paulo Dibala, familja e tij dhe mbi të gjitha nga e fejuara Antonela Kavalieri. Sepse për publicitet jashtë fushe, numri 21 i Juventusit nuk ka nevojë, duke qenë se atë ai di ta bëjë shumë mirë brenda kuadratit të gjelbër, me këmbë dhe jo me fjalë...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama