Hijet qe kanosin kinemane shqiptare

Hijet që kanosin kinemanë shqiptare
A janë konkurruese realizimet shqiptare përballë atyre të huajave, sa të mirëpritura janë për një publik të huaj në një kohë që për çdo vit të dhënat e kinemave shqiptare tregojnë një qasje të publikut tonë nga një kinema e huaj. Regjisori Bujar Alimani pranon se ka tentativa të suksesshme, por edhe probleme të shumta që lidhen si me anën regjisoriale ashtu edhe me aktrimin. Skenaristi Thomas Logoreci, njëkohësisht selektues i filmave në edicionin e shtatë të TIFF, shprehet se kinemaja shqiptare duhet të priret drejt autenticitetit, ndërsa regjisori shqiptar, Jani Zhonga, i larguar para 20 vjetësh në Greqi, ku ka njohur sukses në realizimet e animuara, thekson se kinemaja shqiptare s‘është shkëputur ende nga e shkuara.

Bujar Alimani: Aktorët tanë vuajnë ende nga teatraliteti

Mendoj se filmi shqiptar është konkurrues në arenën ndërkombëtare dhe ka pasur disa tentativa të suksesshme që e kanë vërtetuar këtë. Do të veçoja filmat "Tirana Viti 0" i Fatmir Koçit, "Parullat" i Gjergj Xhuvanit dhe "Nata pa hënë" e Artan Minarollit, që arritën të priteshin shumë mirë edhe në prezantime botërore dhe nuk është e rastit që janë realizuar nga tre regjisorë të rinj që kanë një këndvështrim tjetër ndaj kinemasë.

Të tjerët janë pak a shumë për një publik shqiptar. Edhe pse ka një tendencë për të mos u shkëputur nga kinemaja që ka në qendër njeriun, sigurisht që edhe regjisorët shqiptarë nuk mund të jenë indiferentë ndaj një tendence botërore për ta dixhitalizuar këtë zhanër. Unë mendoj se tematika shqiptare është joshëse për një publik të huaj, por, nga ana tjetër, jo rrallëherë ka qenë i pranishëm rreziku që në trajtimin e temave regjisori të mos qëndrojë me këmbë në tokë, por të jepet pas zgjidhjeve ekstreme, të cilat mendon se mund të surprizojnë botën. Si shembull të kundërt do të merrja kinemanë kineze apo atë iraniane, të cilat edhe pa bërë truke sjellin njeriun e tyre përmes realizimeve dhe personazheve që konkurrojnë denjësisht nëpër botë. Ndërsa nëse flasim për nivel të aktrimit dhe mundësitë që aktorët tanë të bëhen pjesë e realizimeve ndërkombëtare, kjo mund të ndodhë nëse do të arrijnë të zhdukin teatralitetin nga i cili vuajnë prej gjysmë shekulli. Aktorët tanë i sheh të vuajnë nga njëtrajtshmëria në të gjitha rolet dhe nga teatraliteti. Këto të dyja janë sëmundje për mjeshtërinë e aktorit. Besoj se më shumë shpresë japin të rinjtë, të cilët i asimilojnë mjaft shpejt format e reja të të luajturit në film. Për më tepër, ne shohim një kast aktorësh që janë në çdo film dhe për mua është një çështje morali që duhet zgjidhur, pasi përzgjedhja e aktorëve bëhet më shumë për të ruajtur miqësitë. Kjo nuk vjen as për mungesë të talenteve. Regjisorët janë dembelë, nuk thellohen tek aktorët. I zgjedhin ata sipas një modeli të paramenduar të rolit dhe harrohet të punohet për tjetërsimin e aktorit. Ne shohim me qindra aktorë të huaj që janë absolutisht të ndryshëm nga njëri rol në tjetrin dhe kjo arrihet me punë. Nuk është thjesht talenti i tyre për t‘u zhbërë nga një realizim te tjetri. Për këtë nuk mjafton as shprehja e rëndomtë që dëgjojmë zakonisht se skenari ka disa vjet që mbahet në duar. Aq më tepër që më duket e habitshme që realizimet e filmave në Shqipëri shkojnë me vite të tëra nga koha e miratimit të projektit dhe askush nuk përgjigjet. Filmat i konsideroj si shtatzënia e një gruaje, vjen koha dhe fëmija lind. Nuk mund të mbetet katër vjet në sirtar apo në zyrat e montazhit, të presë të bëhet miksazhi. Suksesi i një filmi për mua është një gërshetim në radhë të parë i subjektit e më pas edhe të mënyrës se si filmohet kjo temë. Veprat janë vula të autorëve për atë kohë që ato janë realizuar. Regjisori përsoset nëpërmjet punës. Ne matemi shpesh se duhet të bëjmë kryevepra.

Thomas Logoreci: Kineastët duhet të priren drejt origjinalitetit

Prodhimet kinematografike shqiptare të viteve të fundit mund t‘i vësh në krahasim me prodhime ndërkombëtare. Këtu nuk mungojnë as idetë dhe as talenti, por unë dyshoj se sa të sinqertë janë ata me filmin që bëjnë. Kam përshtypjen që kineastët shqiptarë duhet të shikojnë më shumë drejt një zëri origjinal se sa të bëhen imitime të filmave hollivudianë. Për më tepër, në botën jashtë, vetë Shqipëria është një vend i panjohur e pastaj edhe kinemaja e saj. Kineastët shqiptarë duhet të kenë iniciativën t‘i dërgojnë filmat e tyre nëpër botë, sepse për ta nuk është e lehtë të bëhen të njohur. E njëjta gjë ndodh edhe me TIFF, festivalin e filmit që organizojmë. Na duhet dhjetë herë më shumë punë që zëri ynë të dëgjohet në krahasim me festivale të tjera. Shpresoj që historia shqiptare të universalizohet. Ashtu siç në Amerikë gjen një libër të Kadaresë, pse të mos gjesh edhe një film shqiptar. Mendoj se këtu jeta është shumë intensive, shumë e fortë dhe njerëzit do të ishin kuriozë ta shihnin. Por deri më tani filmat më të njohur mbi Shqipërinë, si "L‘America" apo "Heshtja e Lornës", janë realizuar nga regjisorë të huaj. Besoj që një ditë njerëzit të lodhen duke parë "Transformer", Quantin Tarantino dhe të duan të shohin historitë tyre. Po ashtu ka nivele të mira të aktrimit. Aktorja shqiptare e filmit me metrazh të shkurtër "Iliriana" i regjisorit kosovar Ernest Meholli mund të jetë në çdo film ndërkombëtar. Besoj se gjenerata e re do të punojë gjithnjë e më shumë që Shqipëria të jetë e pranishme te një publik i huaj edhe përmes kinemasë.

Jani Zhonga: Kinemaja shqiptare s‘është shkëputur nga e shkuara

I larguar para 20 vjetësh nga Shqipëria, unë kam ndjekur më së shumti filmin e animuar. Gjithsesi besoj se filmi artistik mund të bëhet pjesë e të jetë konkurrent në kompeticionet botërore. Në Shqipëri nuk vuajmë për ide, por veçanërisht në filmat e animuar vazhdon të ketë probleme teknike si 20 vjet më parë. Ka ndryshime këto 2-3 vitet e fundit, ka edhe realizime që janë artistikisht të mira. Ka edhe përpjekje të kineastëve për të qenë në një hap me kohën, por shumë gjëra vazhdojnë të jenë si më parë, nuk është bërë ende shkëputja e madhe. Shoh mungesë bashkëpunimesh, ide që nuk merren e të çohen deri në fund dhe një nevojë për më shumë kontakte me zhvillimet kinematografike nëpër botë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama