Heroina e re e Kosoves

Heroina e re e Kosoves

Pas Majlinda Kelmendit, një tjetër sportiste e madhe e Kosovës ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për Donjeta Sadikun, e cila po i radhit një nga një sukseset ndërkombëtare.

Boksierja nga Gollaku të hënën është shpallur kampione e Evropës për të reja, në evenimentin prestigjioz që u mbajt në Ordu të Turqisë.

Ajo është kthyer të martën mbrëma në Prishtinë, ndërsa nuk e ka fshehur gëzimin për suksesin e jashtëzakonshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

“Para shkuarjes në Turqi e kam thënë se po shkoj për medalje të artë dhe këtë e realizova. Kemi punuar shumë me trajnerin dhe kemi shkuar edhe në përgatitje në Bullgari, ku kam ushtruar me boksieret më të mira në botë”, ka thënë Donjeta pas arritjes në Prishtinë, ku u prit nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), të prirë nga presidenti Besim Hasani, i cili e uroi boksieren për këtë sukses.

“Me dy medaljet e saj, e dyta në botë dhe e para në Evropë, kjo vajzë e re po dëshmon se ka kapacitete për arritje të mëdha në sportin e boksit. Ajo po i bashkëngjitet listës së shpresave olimpike dhe KOK-u me kujdes dhe me programe të veçanta të zhvillimit, do ta përcjellë në rrugëtimin e saj drejt Lojërave Olimpike ‘Tokyo 2020’”, ka thënë kreu i sportit kosovar për gazetën Zëri.

“Normalisht, janë katër vjet dhe ka shumë gara dhe shumë mundësi për t’u dëshmuar. KOK-u përgëzon Donjetën, trajnerin e saj, klubin dhe Federatën për këtë sukses, që e nderoi sportin dhe ngriti lart imazhin e shtetit. Brenda një jave, në rrafshin ndërkombëtar u arritën tri medalje nga tri vajza, nga tri luanesha që synim e kanë Olimpiadën 2020”, ka përfunduar Hasani.

Ndër të tjera, Donjetën në aeroportin “Adem Jashari”, përpos drejtuesve të KOK-ut, e ka pritur edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

“Me kampionen e re të Evropës në boks, Donjeta Sadiku. Definitivisht mund t’i pushtojmë garat në sportet individuale në Evropë e më gjerë. Sukseset s’kanë të ndalur. Urime Donjetë, urime Kosovë, krenar”, ka shkruar ministri në “Facebook”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama