Gorishti thyen heshtjen ne Kanada

Gorishti thyen heshtjen në Kanada

Sapo ka përfunduar xhirimet e një filmi në Montreal dhe pa festuar ende komplimentet e shumtë të bërë nga ana e regjisores, merr një tjetër lajm. Do të luajë një rol në një film, ku interpreton edhe aktori hollivudian Val Kilmer. Pas disa roleve të suksesshme viteve të fundit, aktori Artur Gorishti provon fatin gjetkë. Larg në Montrealin e ftohtë. I larguar një vit më parë, pasi përshkoi kalvarin e shumë shqiptarëve që emigrojnë jashtë vendit, Gorishti ka filluar të shijojë frytet e punës. Nga Kanadaja e largët, vijnë lajmet më të fundit. Gorishti tashmë ka marrë situatën në dorë. Vetëm pak ditë më parë përfundoi xhirimet në një film kanadez, ku luan një ndër rolet e "vijës së parë". Interpreton rolin e Fatosit, një taksisti, që punon bashkë me personazhin kryesor. Ndan të njëjtën taksi me të dhe e shoqëron nëpër peripecitë e saj. Filmi titullohet "Suzie", mban regjinë e Micheline Lanctôt dhe pritet të shfaqet gjatë vitit 2008. Skenat e filmit u xhiruan përgjatë 21 ditëve në Montreal. Suzi, 58 vjeç, punon si shofere taksie natën. Festën e Hallowenit një grua e re braktis në makinë një fëmijë dhjetëvjeçar, duke i lënë në duar një adresë (të të atit të fëmijës) dhe një kartmonedhë50 dollarëshe.

E përfshirë edhe vetë në një krizë familjare Suzi e ndjen se duhet t'i vijë në ndihmë këtij fëmije të mjerë, të braktisur. Pas shumë vajtje-ardhjesh nga njëri prind tek tjetri, në një moment ajo mendon të arratiset bashkë me të, por nuk mbërrin më larg se aeroporti. Më në fund ajo vendos t'ua kthejë fëmijën prindërve, të cilët janë pajtuar. E detyruar të kthehet në vetminë e saj të thellë, tashmë është e bindur që jeta të rezervon të papritura të çuditshme. Përveç Micheline Lanctot, që interpreton gjithashtu rolin kryesor, në film marrin pjesë Gabriel Gaudreault, Pascale Bussières, Normand Daneau, Arthur Gorishti, Caroline Bouchard, etj. Nën regjinë e Micheline Lanctôt (fituese e shumë çmimeve mes të cilëve dhe "Albert-Tessier" në vitin 2000), filmi me metrazh të gjatë "Suzie" do të ketë si drejtor fotografie François Dutil, drejtor artistik Éric Barbeau, etj. Mësohet që Gorishti t'ia ketë dalë me sukses këtij filmi në gjuhën frënge, ndërkohë, që vetëm pak ditë më parë, ka marrë aprovimin për interpretimin në filmin "XIII" (13), ku interpreton aktori Val Kilmer. Sigurisht bëhet fjalë për një rol të vogël, por që për një aktor shqiptar, nuk është pak. Ndoshta ky është hapi i parë drejt Holliwoodit. Mësohet se xhirimet për këtë film do të fillojnë në datën 20 janar. Do të xhirohet fillimisht në Toronto e më tej në Neë York.

Artur Gorishti është një nga aktorët më të suksesshëm shqiptarë, gjatë viteve të fundit. Numëron disa role të rëndësishme në filma si "Butrinti", ku luan rolin e Ugolinit, "Slogans" ("Parullat"), i cili ka fituar çmimin e rinisë në "Kanë" dhe në filmin "Gjoleka, djali i Abazit". Përveç aktrimit, Gorishti ushtrohet edhe në pikturë e fotografi, të cilat nuk i ka ekspozuar vetëm në Tiranë, por edhe në Amerikë.

 
Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama