Gjithcka qe duhet te dini per Ligen e Kampioneve 2013-2014

Gjithcka qe duhet te dini per Ligen e Kampioneve 2013-2014

UEFA ka publikuar dje shifrat më domethënëse të edicionit 2013-2014 të Ligës së Kampioneve, i cili u mbyll të shtunën në darkë me finalen spektakolare mes Real Madridit dhe Atletiko Madridit. Shifrat flasin për rrugëtimin e suksesshëm të skuadrës së Ançelotit, por edhe për rekorde të tjera të thyera gjatë këtij edicioni, që do të kujtohet gjatë si një nga më entuziazmuesit:

10

Përveç fitores së trofeut të 10 nga Real Madridi, në ndeshjen e pestë në fazën në grupe, Bajern Mynih u bë skuadra e parë që fiton 10 ndeshje radhazi në Ligën e Kampioneve. Rekordi u regjistrua falë suksesit 3-1 ndaj CSKA Moskës, duke kaluar shifrën e 9 fitoreve të regjistruara nga Barcelona në sezonin 2002-2003.

17

Kristiano Ronaldo e filloi sezonin duke vendosur një rekord në fazën në grupe, me 9 gola të realizuar. Ecuria e tij e jashtëzakonshme vazhdoi edhe në fazën me eliminim direkt, në të cilin ndeshja e para ku ai nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës ishte gjysmëfinalja e parë ndaj Bajern Mynih. Rekordi i mëparshëm i turneut u thye në takimin e kthimit ndaj bavarezëve, ndërsa goli në finale vulosi shifrën mbresëlënëse të 17 golave në një edicion.

1

Për herë të parë, një stadium priti dy ndeshje të ndryshme brenda 24 orëve. Zeniti luajti kundër Austria Vjenës në “Stadion Petrovski” në Shën Petersburg me datë 1 tetor, ndërsa një ditë më vonë, në të njëjtën fushë, u luajt sfida mes CSKA Moskës dhe Viktoria Plzen, për shkak të terrenit të rënduar në stadiumin “Khimki”.

69

Autogoli i mbrojtësit Inigo Martinez të Real Sociedad pas 69 sekondave në ndeshjen kundër Mançester Junajtid është më i shpejti i të gjitha kohëve në Ligën e Kampioneve.

128

Goli i Roman Kienast ndaj Portos në ndeshjen e pestë, ishte i pari në fazën në grupe për debutuesit e Austrisë së Vjenës. Falë këtij goli, të 128 skuadrat që kanë marrë pjesë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës të paktën një herë.

0-0

Barazimi 0-0 i Mançester Junajtid ndaj Real Sociedad në fazën në grupe ishte ndeshja e 20 e skuadrës angleze pa asnjë gol të shënuar. Kësisoj, Mançester Junajtid barazoi rekordin që mbahej nga Milani.

4

Zlatan Ibrahimoviç u bë lojtari i katërt që shënon 4 gola në të njëjtën ndeshje të Ligës së Kampioneve, gjatë suksesit 5-0 të PSG ndaj Anderleht në fazën në grupe, në atë që ishte fitorja më e thellë jashtë fushe e parisienëve në Europë. Rekordmeni mbetet Lionel Mesi, me 5 golat e shënuar në suksesin 7-1 të Barcelonës ndaj Bajer Leverkusen në vitin 2012.

16

Në ndeshjen e dytë të fazës në grupe, mesfushori Juri Tielemans i Anderlehtit, u bë lojtari i tretë më i ri që aktivizohet në Ligën e Kampioneve. Futbollisti ishte 16 vjeç e 148 ditë kur zbriti në fushën e lojës si titullar, duke luajtur 90 minuta kundër Olimpiakos. Celestin Babajaro (16 vjeç e 87 ditë) dhe Alen Haliloviç (16 vjeç e 128 ditë) janë lojtarët e vetëm që kanë debutuar në një moshë më të re në këtë turne.

3

Ndeshja Anderleht-Olimpiakos shënoi një tjetër arritje, pasi Kostras Mitroglu u bë futbollisti i parë grek që shënon 3 gola në një ndeshje të turneut, gjatë suksesit 3-0 të ekipit të tij.

5

Pas sukseseve me Milanin në vitet 2003 dhe 2007, Karlo Ançeloti u bë trajneri i pestë që fiton Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme pas Ernst Hapel (Fejenord 1970, Hamburg 1983), Otmar Hitzfeld (Dortmund 1997, Bajern Mynih 2001), Zhoze Murinjo (Porto 2004, Inter 2010) dhe Jup Heinkes (Real Madrid 1998, Bajern Mynih 2013). Ai iu bashkua gjithashtu Bob Paisli të Liverpulit si trajneri tjetër që ka fituar 3 herë trofeun.

5

Kjo ishte finalja e pestë mes skuadrave të të njëjtit shtet, e dyta radhazi pas asaj mes ekipeve gjermane në edicionin e mëparshëm. Kjo ishte finalja e dytë krejtësisht spanjolle, pas asaj Real Madrid-Valencia të vitit 2000, e para me ekipe të të njëjtit qytet.

41

Real Madridi ka shënuar 41 gola në këtë edicion. Ndonëse ende larg 45 golave të Barcelonës në sezonin 1999-2000, ky është një rekord për një edicion me 13 ndeshje, duke kaluar shifrën 35 që ishte vendosur nga madrilenët dhe katalanasit në sezonin 2011-12.

50

Kristiano Ronaldo është lojtari i parë që regjistron 50 ndeshje në Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme. Futbollisti regjistroi ndeshjen e 51 me Realin në finale, ndërsa ka luajtur më parë 52 ndeshje me Mançester Junajtid.

0

Bajern Mynih u bë viktima e radhës e rregullit ku asnjë skuadër nuk ka arritur të mbrojë titullin e fituar që nga momenti kur turneu u ristrukturua me formulën e re.

200

Mançester Junajtid u bë klubi i parë që arriti shifrën e 200 ndeshjeve në Ligën e Kampioneve. Kjo shifër u barazua nga Real Madridi në finalen e Lisbonës, duke arritur bilancin e jashtëzakonshëm të një trofeu në çdo 20 ndeshje.

6

Rekordi i pjesëmarrjeve radhazi në gjysmëfinalet e turneut të Barcelonës u ndal pas eliminimit përballë Atletiko Madridit.

142

Eliminimi në çerekfinale i Barcelonës dhe Mançester Junajtid bëri që të mbetet në fuqi rekordi i 142 ndeshjeve në Ligën e Kampioneve të Raul Gonzalez. Çavi dhe Rajan Gigs e ndjekin me një ndeshje më pak, por vetëm spanjolli do të jetë në gjendje ta thyejë këtë rekord, pasi uellsiani u largua nga futbolli i luajtur.

100

Katër lojtarë regjistruan ndeshjen e tyre të 100 në këtë edicion: Zlatan Ibrahimoviç, Petr Çeh, Kristiano Ronaldo dhe Frank Lampard. Këta dy të fundit kanë debutuar në të njëjtën datë, 16 shtator 2003. Totali i lojtarëve me 100 a më shumë ndeshje në Ligën e Kampioneve ka shkuar kësisoj në 21.

Sezoni 2014-2015

Edicion me mungesa të famshme, pritet një tjetër “grup vdekje”

Edicioni i ardhshëm i Ligës së Kampioneve fillon me turnetë paraeliminatorë më 1 korrik, ndërsa mbyllet me finalen e programuar më 6 qershor të vitit 2015 në Berlin. Në listën e pjesëmarrësve mungojnë 3 skuadra që e kanë fituar trofeun në dekadën e fundit: Milan, Inter dhe Mançester Junajtid. Kjo ka bërë që edhe renditja në vazo të pësojë ndryshime të mëdha, duke krijuar mundësinë e një tjetër “grupi vdekje”. Në bazë të shpërndarjes në vazo, shorti mund të vendosë hipotetikisht bashkë Real Madrid, Borusia Dortmund, Liverpul dhe Monako, një katërshe të jashtëzakonshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama