Gjici shpreson te kualifikimi tregon kushtin per konfirmimin e Likes

Gjici shpreson te kualifikimi, tregon kushtin për konfirmimin e Likës

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, mendon se skuadra e tij ka shanse reale të kalojë në turin tjetër të Ligës së Europës pasi ka luajtur si e barabartë në takimin e parë në transfertë ndaj Austrisë së Vjenës.

gjici lika dervishi

"Ishim të pafat në ndeshjen në Austri, që për të qenë realistë duhej të përfundonte në barazim. Nuk ka faj askush, as Emini për rastin e humbur në fund. Paraqitja e skuadrës në pjesën e dytë të lojës na jep besim se mund ta përmbysim situatën në ndeshjen e kthimit dhe pavarësisht se Austria e Vjenës është një ekip i madh. Ne të gjithë mendojmë se mund të kalojmë në turin e tretë. Nuk kemi aspak presion dhe skuadra është e qetë. I kam kërkuar lojtarëve të luajnë ashtu si në pjesën e dytë në Vjenë. Nëse shënojmë në pjesën e parë, kemi shanse të mira", tha ai për "SuperSport".

kukesi austria

"Kërkoj që tifozët të na mbështesin ndaj Austrisë së Vjenës. Jo vetëm ata që bëjnë tifo për Kukësin, por të gjithë sportdashësit, sepse me turet që kemi kaluar në Europë gjatë këtyre viteve i kemi dhënë një imazh ndryshe futbollit shqiptar. Kur luajmë në Kupa, nuk përfaqësojmë vetëm klubin tonë, por të gjithë vendin. Për këtë arsye ka ndodhur që huazuam lojtarë nga Skënderbeu, Tirana na u gjet pranë për fushat stërvitore, ndërsa Federata e Futbollit dhe presidenti Duka na kanë ndihmuar me udhëtimet me çarter. Nuk bëhet fjalë për aleanca, por për bashkëpunim në të mirën e futbollit tonë. Si president i Kukësit do të bëja të njëjtën gjë nëse nuk do të luanim në Kupa, do t'i huazoja të gjithë lojtarët për të përforcuar ekipet që na përfaqësojnë në Europë", vijoi ai.

kukesi stervitje

Presidenti i Kukësit shpjegoi edhe se cilat ishin objektivat e skuadrës në vijim, pas daljes nga Europa. "Me Skënderbeun, Partizanin apo edhe Tiranën jemi konkurrentë për titullin. Edhe këtë vit do të synojmë të jemi në garë, pasi kemi një skuadër cilësore. Asnjë nga lojtarët nuk largohet, as Emini për të cilin është spekuluar. Përkundrazi ne do ta përforcojmë ekipin në disa role, kryesisht në mesfushë, për të pasur alternativa dhe konkurrencë. Pero Pejiç te Kukësi? Nuk ka pasur biseda. Ai e ka numrin tim dhe nëse dëshiron të kthehet mund të vijë të më takojë".

Trajneri Lika

Trajneri Lika

Po kush do të jetë trajneri i Kukësit? Gjici nuk konfirmon përfundimisht Likën, por bëri të qartë se nëse skuadra kalonte edhe një tur në Europë, trajneri do t'i siguronte vetes një kontratë afatgjatë. "Stafi, me në krye Likën dhe asistentët e tij, ka punuar mjaft mirë dhe jemi të kënaqur. Mund të them se nëse e kalon edhe Austrinë e Vjenës dhe na kualifikon në turin e tretë, Hasan Lika e ka blinduar postin e trajnerit".



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama