Gjermani-Spanje skemat e finales

Gjermani-Spanjë, skemat e finales

Nëse Spanja do të arrijë të mundë Gjermaninë sot, ai do t‘i bashkohet Hoze Vilalongës si i vetmi trajner që ka arritur t‘i japë këtij kombi trofeun e një turneu madhor. Vilalonga e arriti këtë objektiv në Evropianin e vitit 1964, kur Spanja mundi Bashkimin Sovjetik në turneun që organizoi vetë, por suksesi i Aragones do të ishte më domethënës, pasi do të vinte pas një turneu ku morën pjesë 16 skuadra shumë të forta.


Aragones, me raste, jep përshtypjen e një njeriu ekscentrik, por më shumë se një gjysmëshekulli eksperiencë në futbollin e niveleve të larta, i ka dhënë atij njohuri që të tjerët nuk i kanë. Ai nuk cilësohet një takticien i mirë, metodat e tij të stërvitjes janë të vjetra, por "El Sabio" (I mençuri) është një motivues i shkëlqyer dhe duket se ka vetinë të marrë maksimumin nga lojtarët e tij atëherë kur i nevojitet. Aragones, i cili duket se do t‘i bashkohet Fenerbahçes pas përfundimit të turneut, nuk ka lejuar asnjëherë që të tjerët të ndërhyjnë në punën e tij dhe u bë i famshëm pas polemikave publike me presidentët e skuadrave që ka drejtuar në Primera Division. Ai ka kritikuar shpesh edhe Federatën Spanjolle, duke i kërcënuar disa herë me dorëheqje. Megjithatë, ai ka fituar respektin e lojtarëve, ndonëse nuk ka pasur asnjëherë frikën për t‘u përplasur me ta. Lënia jashtë skuadre e Kanizares dhe Raul e ka bërë më të thjeshtë administrimin e ekipit, ndonëse gjatë turneut kishte zënka me Torres dhe Serxho Ramos. "Shefi ka ditur si të na nxitë dhe ne erdhëm këtu jo vetëm për të kaluar pengesën psikologjike të çerekfinaleve, por për të fituar turneun", ishin fjalët e Ksavit, një prej liderëve të kësaj skuadre.



Deklarata: Hoze Antoino Kamaço është i bindur:  "Evropianin do ta fitojë Spanja"

Hoze Antonio Kamaço është një legjendë. Kapiteni i finales së fundit: 27 qershor 1984, Francë-Spanjë 2-0, goli i Platinisë e i Bellone. Në kthim spanjollët u pritën si heronj. Në fund të fundit kishin humbur kundër të zotëve të shtëpisë, vendit organizator. Kamaço, 81 prezenca me kombëtaren, e fundit një fatalitet i vërtetë, pikërisht kundër Gjermanisë në Evropianin e 1988. Përfundoi keq, 2-0 për gjermanët në fazën në grupe. Por sot është i bindur, muzika do të ndryshojë. "Po, besoj te fitorja e Spanjës, - nënvizon i bindur dhe plot pasion. - Besoj sepse është skuadra e vetme e këtij Evropiani që ka një identitet, një stil të saj". Duhet të besojmë edhe ne. Kamaço beson te eksperienca e tij, te njohuritë e tij të futbollit. Të gjithë në këmbë përpara atij që ka luajtur te Reali i Madridit nga 1973 deri më 1989, atij që ka drejtuar klubet prestigjioze ashtu sikurse vetë Realin, Seviljen dhe Benfikën (pankina e tij e fundit), dhe Spanjën për një katërvjeçar, nga 1998 deri 2002. Më pas shpjegon psenë e një fenomeni. "Sekreti i Spanjës së Aragones? Janë të gjitha decizive. Forca e kësaj skuadre është grupi". Teorinë konkrete Hose Antonio e sqaron edhe me shembullin konkret: "Fabregas është një lojtar i jashtëzakonshëm, por deri tani ka nisur lojën nga pankina. Çesk bëhet i madh vetëm kur luan bashkë me të tjerët". Kjo është alkimi. "Dhe ju do të pyesni për mesfushën, shton ai. Sena është i mrekullueshëm, kjo edhe falë Ksavit, Iniestës e Silvës. Këta katër lojtarë janë pjesa që kompleton tjetrën". Por ai e di mirë që përballë do të ketë Gjermaninë. " Gjermania të jep gjithmonë përshtypjen se po dështon, por kur s‘e pret të shënon gol".


Kamaço: Ndeshjen e fundit në karrierën si futbollist e ka humbur në Evropianin 1988, 0-2 ndaj Gjermanisë


Statistika: Spanjollët, më të kompletuarit në EURO 2008


Statistikat e turneut që po shkon drejt fundit tregojnë se Spanja është pa dyshim favorite për të fituar EURO 2008 në finalen që zhvillohet sot në "Ernst Happel Stadion". E para dhe më e rëndësishmja mes statistikave është ajo se skuadra e Aragones, në kundërshtim me rivalët e Gjermanisë, nuk është mundur në asnjë takim. Spanjollët regjistruan tri fitore në ndeshjet në grup, e ndonëse u ndalën në 0-0 pas 120 minutave kundër Italisë, arritën të triumfonin nga pika e bardhë e penalltive. Fitorja e tyre 3-0 ndaj Rusisë në gjysmëfinale shënoi diferencën më të thellë të golave në 6 ndeshjet me eliminim direkt të këtij turneu. Për më tepër, me 11 gola të shënuar, duke përjashtuar penalltitë, iberikët kryesojnë listën e ekipeve më rezultative, pasi kanë shënuar një gol më shumë se Gjermania dhe Holanda. Këta të fundit, të eliminuar në çerekfinale, kanë një mesatare më të mirë golash për ndeshje se spanjollët, 2.5 ndaj 2.2, por nëse iberikët gjejnë katër herë rrugën e rrjetës në finale, atëherë do të kryesojnë edhe në këtë klasifikim. Nuk ka rëndësi nëse Spanja luan me një apo me dy sulmues, ajo mbetet skuadra që ka regjistruar më shumë tentativa në portë gjatë turneut, 104 të tilla me mesataren mbresëlënëse 20.8 në ndeshje. Po të krahasohet me 58 tentativat e Gjermanisë që ka mesataren 11.6, shihet që ka ndryshim të madh mes dy ekipeve. Edhe gjuajtjet në kuadrat flasin për Spanjën, 44 gjuajtje me mesataren 8.8 në ndeshje janë thuajse dyfishi i shifrës 23 të gjuajtjeve në kuadrat të Gjermanisë.



Gjermania: Mesfushori 31-vjeçar është rikuperuar nga dëmtimi në brinjë dhe është i gatshëm të japë kontributin për skuadrën e Hoakim Lëv  Frings, 100 për qind gati për finalen

"T‘i vëmë nën presion"

Torsten Frings bëri të ditur se është plotësisht i rikuperuar pas dëmtimit në brinjë dhe është gati për të zënë vendin e tij në mesin e fushës në finalen me Spanjën. 31-vjeçari theu një brinjë në ndeshjen e fundit në grup, përballë Austrisë, dëmtim që e detyroi të qëndronte jashtë formacionit titullar në çerekfinalen emocionuese me Portugalinë. Mesfushori i Verder Bremenit filloi stërvitjen vetëm përpara gjysmëfinales me Turqinë, ndeshje ku Frings u aktivizua në fund të pjesës së parë. Lojtari këmbëngul se rikthimi i parakohshëm në fushat e lojës nuk e ka agravuar dëmtimin dhe pohon se është i gatshëm që të luajë nga minuta e parë në finalen e Vjenës. Frings tha: "Edhe në ndeshjen kundër përfaqësueses turke, aktivizimi me brinjën e thyer përbënte rrezik, megjithatë nuk ndjeva asnjë shqetësim. Jam plotësisht i gatshëm për të luajtur dhe të përballem me sfida të rëndësishme si kjo që na pret përballë Spanjës në finale. Nuk e di nëse trajneri do të më besojë një fanellë titullari, por jam 100 për qind i gatshëm për të dhënë kontributin tim për Gjermaninë". Shqetësimi kryesor i trajnerit Hoakim Lëv është forma e mesfushorit, ndërkohë që në kampin kundërshtar, Luis Aragones duhet të bëjë pa golashënuesin më të mirë të skuadrës, sulmuesin David Vija. Sipas të gjitha gjasave, trajneri veteran do të aktivizojë mesfushorin e Arsenalit, Çesk Fabregas dhe "luftaraku" Frings e ka të qartë se problemet kryesore për Gjermaninë do të vijnë nga forma e jashtëzakonshme e "armatës spanjolle". "Ata kanë një ekip të fortë, janë shumë të mirë teknikisht dhe çdo aksion i rrezikshëm niset nga qendra e mesfushës", vazhdoi Frings. "Detyra jonë kryesore është që të ushtrojmë sa më shumë presion dhe të mos i lejojmë që të zhvillojnë lojën e tyre të zakonshme, në të kundërt do ta kemi shumë të vështirë". Gjithsesi, ai beson se Gjermania do të paraqitet në lartësinë e duhur, duke përfunduar: "Mund të na akuzojnë për shumë gjëra, por nuk duhet të harroni se u jemi përgjigjur të gjitha kritikave që na janë bërë deri më tani: kjo është arsyeja përse luajmë në finalen e Euro 2008". Një nga armët e skuadrës së Lëv në finale do të jetë saktësia në finalizim: në vetëm 23 gjuajtje në kuadrat në 5 ndeshje, ata kanë shënuar 10 gola.



Legjendat

Rumenige: Nuk jemi të bukur, por praktikë

Bekenbauer i trembet teknikës së spanjollëve

Karl Hainc Rumenige, administratori i deleguar i Bajernit të Mynihut, e vlerëson kombëtaren gjermane si një skuadër praktike. "Kjo Gjermani nuk është aq cilësore sa disa skuadra të tjera pjesëmarrëse në Euro 2008, si Portugalia, Holanda apo Italia. Ajo nuk është e bukur në lojën e saj, por praktike në arritjen e rezultatit", tha 52-vjeçari, që ndërmjet 1976 dhe 1986 ka luajtur 95 ndeshje me përfaqësuesen gjermane, duke shënuar 45 gola. "Skuadra e Lëv ka disa karakteristika unike: ajo nuk dorëzohet kurrë, marshon dhe fiton. Janë rikthyer kohët e vjetra. Spanja është superiore? Po, është favorite për lojën e bukur, për klasin që ka. Nuk duhet harruar as se t‘i shënosh 7 gola Rusisë në dy ndeshje duhet të jesh vërtet një skuadër e fortë".

Rreth finales kundër "Furisë së Kuqe" ka folur edhe një tjetër emër i madh i futbollit gjerman. Franc Bekenbauer tha se përfaqësuesja spanjolle ka shanse të fitojë Euro 2008, nëse në finale do të luajë ashtu si me Rusinë. "Në pjesë e dytë të gjysmëfinales me Rusinë, paraqitja e Spanjës ishte më e mirë që personalisht kam parë në këtë dekadën e fundit. Me lojë të tillë, ata mund të mposhtin çdo skuadër në botë", deklaroi 62-vjeçari Bekenbauer. "Futbollistët spanjollë janë shumë të zgjuar teknikisht, e në këtë pikë ua kalojnë edhe gjermanëve. Nuk di të them nëse gjermanët janë fizikisht më të fortë se kundërshtarët e tyre të finales së Evropianit". Bekenbauer, që në vitin 1990 ishte trajneri që shpalli Gjermaninë kampione të botës, beson se vetëm Mikael Balak mund ta ndihmojë skuadrën të rikuperohet nga forma e keqe e treguar në gjysmëfinalen me Turqinë.


Bekenbauer: Fitues i Euro 1972 dhe Botërorit 1974 si lojtar, ai e ka vlerësuar si të suksesshëm Euro 2008



Finalja Garë edhe për  çmimin "Lojtari më i Mirë"

Në finalen e së dielës nuk do të luhet vetëm për trofeun më të rëndësishëm kontinental në rang përfaqësuesesh, kupën "Henri Delaunai", por edhe për çmimin e UEFA-s, për "Lojtarin më të Mirë të Euro 2008". Normalisht, në një aktivitet që ka "prodhuar" ndeshje të mëdha dhe momente shumë dramatike, ekziston një numër i limituar kandidatësh për t‘u nderuar me çmimin që organizatorët do të akordojnë të hënën. Në rast se Gjermania triumfon, kapiteni Mikael Balak do të jetë futbollisti që ka më shumë shanse të vlerësohet si "Më i Miri". Mesfushori ishte protagonist i një paraqitjeje mjaft të mirë në fazën e grupeve, i jashtëzakonshëm në fitoren 3-2 që Gjermania arriti në çerekfinalen me Portugalinë. Paraqitja e tij u prish në gjysmëfinalen me Turqinë, ndeshje ku në fakt e gjithë skuadra zhvilloi një lojë shumë të dobët. Kandidat mjaft i fortë është edhe Bastian Shvajnshtajger, i cili nga zëvendësues është shndërruar në lojtar të rëndësishëm të formacionit. Ai shënoi golin e parë me Portugalinë dhe asistoi në dy rrjetat e tjera, ndërkohë që shënoi edhe në fitoren me Turqinë. Në skuadrën gjermane, shans real për çmimin "Lojtari më i Mirë" ka edhe Lukas Podolski, që në Botërorin 2006 u vlerësua si "Lojtari i Ri më i Mirë". Për Spanjën në garë është kapiteni Iker Kasiljas: në pesë ndeshje "gardiani" nuk ka bërë asnjë gabim. Shanse të mëdha kanë edhe Çesk Fabregas dhe David Vija (pavarësisht dëmtimit dhe mungesës në finale). Lojtari i vetëm në garë, që nuk bën pjesë në dy skuadrat finaliste është rusi Andrei Arshavin.



Kuriozitete


Përballjet

19 ndeshje

8 fitore Gjermania

5 fitore Spanja

6 barazime


Sfidat

Gjermania dhe Spanja janë përballur 19 herë ndërmjet tyre, sfida nga të cilat gjermanët kanë dalë tetë herë fitues. Iberikët janë treguar më të fortë vetëm në pesë raste. Këto dy skuadra janë ndeshur pesë herë në Kupën e Botës ose në Kampionatin Evropian: Gjermania ka fituar tri herë, ndërsa Spanja vetëm një herë



Fitorja e vetme spanjolle

Fitorja e vetme e Spanjës në historinë e Kampionatit Evropian është regjistruar në vitin 1984, kur ata triumfonin 1-0 në fazën e grupeve. Goli i legjendarit Antonio Maçeda, i realizuar me kokë në kohën shtesë eliminoi Gjermaninë Perëndimore: rasti i vetëm deri në vitin 2000 që kjo skuadër nuk e kalonte turin


Lehman e Aragones, rekorde

Jens Lehman do të bëhet lojtari më i vjetër që luan një finale në Evropian: 38 vjeç e 232 ditë, duke thyer primatin e holandezit Arnold Muhren (37 vjeç e 23 ditë) në finalen e vitit 1988 me Bashkimin Sovjetik. Edhe spanjolli Luis Aragones do të bëhet trajneri më i vjetër në një finale kontinentale: 69 vjeç e 337 ditë


David Vija, në kuotën 4

David Vija shpreson se do të shpallet golashënuesi më i mirë i Euro 2008. Gjithsesi, spanjolli nuk do të mund të shënojë gola të tjerë në këtë eveniment, pasi mungon në finale për shkak të një dëmtimi në kofshë. Rreziku më i madh për yllin e "Furisë së Kuqe" vjen nga gjermani Lukas Podolski që numëron 3 gola të shënuar


Gjermania, finalja e gjashtë

Gjermania ka vendosur një rekord të ri për finale të luajtura në Evropian: ndeshja e sotme do të jetë e gjashta dhe e para pas 12 vjetësh. Ata janë vendi që e kanë fituar më shumë trofeun, në edicionet 1972, 1980 dhe 1996. Shqetësimi i vetëm është "bilbili" italian, Roseti, me të cilin gjermanët kanë pësuar një prej humbjeve më të thella në vitet e fundit: 5-1 me Rumaninë, më 28 prill 2004




Gjermania

4-2-3-1

Tr: H. Lëv

Lehman 1

Fridrish 3 Metzelder 21 Mertesaker 17 Lahm 16

Frings 8 Hitzelshperger 15

Shvajnshtajger 7 Balak 13 Podolski 20

Klose 11



Mbrojtja

Lëv ka konfirmuar Fridrish në krahun e djathtë, pasi ai ka arritur në shumë raste të korrigjojë gabimet e dy qendrave Mertesaker dhe Metzelder që nuk janë në formën më të mirë


Mesfusha

Frings rikthehet titullar dhe bashkë me Hitzelshperger do të mundohet të ndalojë sulmet kundërshtare, për të krijuar më shumë liri për Balak, i cili do të luajë në mbështetje të sulmit


Sulmi

Klose do të jetë i vetmi sulmues i mirëfilltë, por Podolski nga e majta dhe Shvajnshtajger nga e djathta do të krijojnë panik në mbrojtjen kundërshtare me depërtimet e tyre të shpejta




Spanja

4-2-3-1

Tr: L. Aragones

Kazijas 1

S. Ramos 15 Pujol 5 Marçena 4 Kapdevila 11

Sena 19 Ksavi 8  Iniesta 6 D. Silva 21

Fabregas 10

Torres 9

Mbrojtja

Deri tani, katërshja titullare e ndërtuar nga Aragones ka arritur të shfaqet në një formë të shkëlqyer, pasi i ka lejuar kundërshtarët të shënojnë vetëm 3 gola në 5 ndeshje


Mesfusha

Ky është padyshim reparti më i fortë i Spanjës, ku aktivizimi i Fabregas ka shtuar më shumë cilësi dhe shpejtësi në manovrën ofensive. Ksabi Alonso dhe Kazorla janë alternativa të vlefshme


Sulmi

Mungesa e Vijës do të ndjehet në finale, por Torres ka treguar se është më rezultativ kur luan i vetëm në këtë repart. Guiza pret momentin e tij, pasi ka treguar me Rusinë se është në formë



Gjyqtari Roberto Roseti (Itali)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama