Gjergj Xhuvani triumfon ne Festivalin e Filmit

Gjergj Xhuvani triumfon ne Festivalin e Filmit
Ceremonia e çmimeve

Festivali i 13 i Filmit Shqiptar është mbyllur mbrëmë me një ceremoni çmimesh e mbajtur në Teatrin e Operës dhe Baletit. I pranishëm në këtë mbyllje ka qenë edhe ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçci dhe të tjerë përfaqësues të politikës. Pasi kanë parë filmat, dy juritë e ngritura në këtë festival kanë dhënë edhe verdiktin e tyre. Juria e filmit të gjatë kryesohej nga regjisori i njohur Muharrem Fejzo, me anëtarë shkrimtarin dhe publicistin Aurel Plasari, regjisorin irlandez Mark Cousins, regjisorin kosovar Isa Qosja (fitues e edicionit të shkuar me filmin “Kukumi”) dhe regjisorin italian Claudio Fragasso. Juria që mori në shqyrtim filmat e shkurtër, dokumentarë e vizatimorë, përbëhej nga aktori kosovar që jeton në Vjenë, Astrit Alihajdaraj, shkrimtari dhe publicisti Mujë Buçpapaj, aktori dhe producenti kosovar Arben Zharku, drejtor i festivalit “Skena–UP”. Për një javë rresht, nga data 6-9 dhjetor, në kinema “Millenium” janë shfaqur 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë, ndërkohë që jashtë konkurrimit ishin edhe 43 filma të studentëve. Festivali shënoi tri shfaqje speciale: kopja e restauruar e “Nëntorit të Dytë”, dokumentari “Anija” i Roland Sejkos dhe “Besa Premtimi” i regjisores amerikane Rachel Goslins.

                   Çmimet e Festivalit


    Filmi Artistik Më i Mirë            -     “Lindje- Perëndim Lindje”,Gjergj Xhuvani
    Regjia e Filmit Artistik Më të Mirë – “Amnistia”, Bujar Alimani
    Aktori Më i Mirë -                  Fadil Hasa, “Mao Ce Duni”
    Aktorja Më e Mirë -                 Luli Bitri, “Amnistia”
    Aktori Më i Mirë për Rolet e Dyta  – Besart Kallaku, “Gjallë”
    Aktorja Më e Mirë për Rolet e Dyta – Margarita Xhepa, “Ne dhe Lenini”
    Filmi Dokumentar Më i Mirë         - “Rojtari i Bjeshkëve”, Antoneta Kastrati
    Filmi Vizatimor Më i Mirë         – “Kamioni”, Ilir Kaso
    Filmi i Shkurtër Më i Mirë       – “Dita e fundit e Loro Shestanit”, Sokol Keraj
    Çmimi Special i Jurisë            – Joni Shanaj, “Pharmakon”
    Çmimi i Karrierës                 – Muharrem Fejzo
    Çmimi jubilar i 100-vjetorit    – Petrit Ruka, “100 vjet me himin e flamurit”
    Çmimi special i organizatorëve  – Filmit dokumentar “Besa”, Rachel Goslins
    Çmimi special i organizatorëve  -Drejtorit italian të fotografisë Sebastiano Nino Celeste
    Çmimi special i organizatorëve – Drejtori francez i fotografisë Jacques Bouquin
    Çmimi special i organizatorëve – Alban Xhillari për themelimin e një kinemaje moderne si “Millenium”


Remo Girone: Do ta pranoja edhe një rol shqiptar

Emri i tij i vërtetë nuk shkakton ndonjë reagim te publiku shqiptar, por nëse thua Tano Karidi, atëherë vjen menjëherë një “ahh”. Kështu ka ndodhur edhe dje, teksa Remo Girone zbriste për herë të parë në Shqipëri, shoqëruar nga bashkëshortja Victoria Zinny. I ftuar special në natën gala të Festivalit të 13 të Filmit Shqiptar, që u mbajt dje në Teatrin e Operës dhe Baletit, aktori i njohur italian ka organizuar një konferencë shtypi me median. Atij i kanë treguar për popullaritetin që ka ndër ne, por pranon se di shumë pak për Shqipërinë. Flet veçanërisht për rolin e tij të Tano Karidit te filmi “Oktapodi”, por edhe për gatishmërinë për të shqyrtuar ftesën e ndonjë regjisori shqiptar. Intervista e mëposhtme është ndërtuar me disa prej pyetjeve të bëra në konferencën e shtypit.

Ju jeni një aktor shumë i njohur për publikun shqiptar. Sa njohje keni ju për Shqipërinë?

Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri, di shumë pak nga për vendin dhe kinematografinë tuaj. Njoh një pjesë të italianëve që janë me origjinë shqiptare dhe në Sicili ka një vend që quhet “Piana degli Albanesi”

Cila është përshtypja që keni krijuar për ne?

Unë nuk kam paragjykime ndaj asnjë populli. Në mediat italiane janë përfolur shumë fakte të hidhura me shqiptarët dhe shpesh është shumë e lehtë t’u thuash të tjerëve se janë kriminelë. Një herë, në Çeki, kishte një tabelë ku shkruanin: kujdes nga romët se vjedhin, por në fakt ishin ata që vidhnin. Prej aq pak orësh sa jam këtu më duket njësoj me Italinë, ndoshta me pjesën e Italisë së Jugut, nga Roma e poshtë. Duhet të rri më shumë ditë që t’ju jap një opinion, është pak herët për të folur.

Shqiptarët ju duan, sepse ju kanë urryer në film. Si e keni realizuar rolin dhe sa i keni njohur krerët e mafies në Itali?

Në fakt ishte një zgjedhje e skenaristëve, ata e shkruan këtë personazh, i cili u bë i njohur sidomos pas serisë së katërt. Ishte hera e parë që në një film shfaqej fakti që mafia komandonte deri në nivele të larta financiare. Personazhi im ishte interesant, sepse kishte karakteristika njerëzore dhe nuk ishte jo human, ishte i keq por dinte të ishte edhe i mirë në disa momente. Ishte bukur ta realizoja këtë rol, sepse historitë deri në njëfarë pike ishin shumë të lidhura me realitetin e vërtetë. Para asaj që quhet “Mani Pulite” (hetimi që u bë rreth 20 vjet më parë në Itali për përfaqësues të politikës dhe gjyqësorit), thuajse asnjë fakt nuk publikohej në gazetë. Përmes këtij seriali fiction, mund të thuheshin edhe gjera të tilla. Në fakt disa seri të “Oktapodit” kalonin edhe në censurë. Më kujtohen që shumë ndryshime bëheshin edhe në sallën e dublimit, një personazh që ishte deputet, bëhej ish-deputet. Një herë kishin xhiruar një skenë në pallatin ku Andreoti kishte zyrën. Bëhej fjalë për një mafioz që takonte një politikan, dhe e montuan skenën në plan të parë, në mënyrë që të mos dallohej se ku ishte xhiruar. Kinemaja duhet të ketë një raport kritik me politikën dhe këtu i referohem politikës që bëhet sot në Itali. Besoj se ju i keni ndjekur përmes shtypit skandalet e shumta, rrogat e parlamentarëve tejet të larta dhe një qeveri teknike që përpiqet të zgjidhë situatën.

A ka sot kinema që denoncon?

Sigurisht që ka. Filmi “Gomorra” është një prej atyre që denoncon situatën aktuale. Por kjo lloj kinemaje sot është më e butë dhe nuk e ndan të keqen dhe të mirën me thikë. Atë e gjejmë gjithnjë të përzierë, ashtu siç është në realitet. Sot në Itali është e vështirë të gjesh se ku është e mira apo e keqja.

Duket sikur pas “Oktapodit”, personazhi negativ ju ndoqi edhe më tej në karrierë. Është e vërtetë?

Emri i këtij personazhi më ndjek edhe sot. Është e vërtetë që shpeshherë më kanë caktuar personazhe negative, por jo vetëm. Një nga rolet e fundit që kam bërë në televizor është Papa Pio XII dhe ndoshta kam mësuar shumë nga ky rol. Kam dy filma në proces ndërkohë, një në Kanada ku bashkë me time shoqe, Viktorian, luajmë një çift dhe një tjetër film që quhet “Mirëdita president”, një komedi mbi politikën italiane. Ndaj nuk ka vetëm role negative në karrierën time.

Për një aktor është më e vështirë të bëhet i njohur apo ta mbajë këtë status?

Është më e vështirë për ta mbajtur.

Jeni selektiv në rolet tuaja?

Unë zgjedh mbi bazën e asaj që më ofrojnë. Në radhë të parë shoh rolin nëse më pëlqen. Në teatër, ka qenë më e thjeshtë se kam pasur si pikë referimi aktorët e mëdhenj që i kanë bërë më parë ato role, qofshin këta amerikanë, anglezë, rusë. Në kinema lexoj fillimisht skenarin, shoh nëse është një personazh i rëndësishëm apo jo në historinë që rrëfehet dhe pastaj besoj se i rëndësishëm është regjisori që do ta realizojë. Ka regjisorë të famshëm me të cilët mund të bësh edhe role të vegjël, por ka edhe regjisorë jo aq të famshëm ku merr role të mëdhenj. Idealja do të ishte një rol i mirë.

Do ta pranonit një rol shqiptar?

Patjetër, mjafton që të ma përktheni në italisht që ta kuptoj. Me kënaqësi.

Kur Michele Placido vdiq në film, pati lot nga femrat në Shqipëri. Si janë raportet tuaja me publikun femëror?

Janë raporte të mira, por unë, në të kundërt nga Michele Placido nuk jam martuar 25 herë (Qesh). Unë jam martuar me Viktorian prej 30 vjetësh dhe vetëm një herë. Edhe kur shkojmë në aktivitete, fotografët na thonë: po këtë fotografi e kemi tashmë. Do të doja t’u jepja material gazetave rozë, por unë kështu jam besnik, kemi dy fëmijë dhe jo si Michele që ka 7-8 fëmijë me gra të ndryshme. Besoj se kam një raport shumë të mirë me publikun femëror. Duhet të them se veçanërisht me “Oktapodin” kam pasur më shumë sukses sepse gratë e pëlqejnë pushtetin dhe fuqinë. Por po bëj edhe komedi, sepse e di që femrave u pëlqen edhe të qeshin.

Cila ka qenë periudha më e artë, sipas jush, e kinemasë italiane?

Periudha e artë e kinemasë italiane është me regjisorë si Visconti, Fellini, dhe pastaj ata të komedisë italiane si Monicelli, De Sica, Sergio Leone, etj. Nuk kemi më atë industri të dikurshme, sepse televizioni i ka përfshirë të gjitha këto zhanre, të cilët prodhonin edhe më shumë të ardhura. Ne sot në Itali nuk kemi as ligjet që kanë francezët dhe spanjollët. Filmat amerikanë që dalin në Francë duhet të investojnë para rreth 20 apo 25% të të ardhurave në industrinë e filmit francez. Në këtë mënyrë, ata kanë shpëtuar kinemanë e tyre. Ndërsa te ne, filmat amerikanë vijnë, njerëzit i shohin dhe paratë shkojnë në Amerikë. Është e vërtetë që filmat e tyre kushtojnë shumë dhe vështirë që ne t’i realizojmë, por nëse do të kishim një ligj si ai, do të investonim më shumë në kinemanë tonë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama