Gianni Amelio Ju rrefej familjen time shqiptare

Gianni Amelio: Ju rrefej familjen time shqiptare
Plot 20 vjet nga zbarkimi i emigrantëve shqiptarë në Itali, Gianni Amelio rrëfen sesi, ndërsa realizoi filmin “Amerika”, takoi djalin e tij. E nëse rikthehet në kohë pikërisht në vitin 1991, kur mes marsit dhe gushtit zbarkuan anijet e para me 47 mijë njerëz që vinin nga vendi i shqiponjave, mendimi i shkon te filmi i tij “Amerika”. Një film që hapi shumë polemika për mënyrës sesi regjisori italian rrëfente shqiptarët që zbarkonin në Itali. Shumë shqiptarë e panë veten të ofenduar e shumë të tjerë jo, realistë për atë çfarë Amelio ishte përpjekur të trajtonte në filmin e tij “Amerika”. Fotot e anijeve në det ngatërroheshin në fakt me lokandinat e filmit të Gianni Amelios të realizuar në vitin 1994. 20 vjet më pas regjisori rrëfen historinë e tij mbi Shqipërinë.

Çfarë të shtyu të rrëfeje atë eksod?

Unë jam lindur në Kalabri në vitin 1945. Jam djali dhe nipi i një emigranti nga Argjentina dhe nuk e kisha parë babanë tim për 16 vjet me radhë. Isha në kërkim të rrënjëve të mia. Titullin “Amerika” e huazova nga një letër e shkruar nga babai im kur ishte në emigracion. Doja të kuptoja se çfarë e shtynte një popull që të largohej nga vendi i tij në kërkim të një jete më të mirë.

Dhe e gjete atë motiv?

Gjeta shumë më tepër. Si fillim, pashë një Itali që nuk ekzistonte më, veçse në kujtimet e mia: Kalabrinë e viteve ’50. Më pas gjënë më të rëndësishme: Familjen time. Në vitin 1992, në një fshat në Shkodër (Shqipëri), takova një burrë më të madh se unë dhe familjen e tij: nuk u ndava më prej tyre. Një nga djemtë e tij, që quhet Luan ishte 18 vjeç dhe u bë djali im, trashëgimtari im që më bëri dhe gjyshin e tre vajzave të mrekullueshme. Më e madhja mban emrin e nënës sime.

Shkon shpesh në Shqipëri? Vazhdon t’i mbash kontaktet me djemtë që punuan në realizimin e filmit?

Sigurisht. Njëri që e ndihmova të kryente studimet universitare, është tani drejtor në spitalin e Shkodrës. Një tjetër drejton një hotel të madh. Këtë e zbulova kur më dhanë një suit në këtë hotel, të cilën në fakt nuk e kisha kërkuar. Zemërimit tim për këtë “ngatërresë” iu përgjigj pronari i hotelit, i cili më tha se isha i ftuari i tij, sepse falë punës që i kisha dhënë gjatë realizimit të filmit, ai kishte mundur të përballonte Universitetin.

Sot çfarë Shqipërie sheh, krahasuar me atë të vitit 1994?

Shqipëria e 1994-s me atë që është bërë sot është si të krahasosh “Roma qytet i hapur” (“Roma città aperta”) me “E ëmbla jetë” (“La dolce vita”). Atëherë nuk kishte as rrugë dhe as restorante, sot sheh bare në çdo cep.

A mund të themi se në Shqipëri ke gjetur Amerikën tënde?

Ajo që mund të them është se jam 2 herë më i pasur: një herë sepse rigjeta një botë që mendoja se e kisha humbur përgjithmonë dhe së dyti, arrita të sjell në Itali familjen time. Në realitet mendoj se jemi pasuruar nga pak të gjithë ne italianët.

Në çfarë sensi?

Në sensin e mikpritjes së popujve që janë ndryshe nga ne, është një gjest që na ka maturuar të gjithëve. Mendo që mbesat e mia janë italiane dhe flasin gjuhën tonë, por dhe gjuhën shqipe dhe duke qenë se kanë mamanë polake flasin edhe gjuhën polake. A nuk është kjo një pasuri për të gjithë ne?

Beson se filmi juaj ka ndryshuar disi këndvështrimin e italianëve karshi emigrantëve?

Përkundrazi, besoj se atëherë kishte më shumë solidaritet. Puljezët u treguan të mrekullueshëm me shqiptarët. Sot nuk llogarisim as të vdekurit që mbyten në det. Kemi arritur në një pikë që jemi krejtësisht indiferentë.

Sot ku do të mund ta gjenim “Amerikën”?

Mendoj se ekziston një Shqipëri në çdo vend të botës, në Senegal, në Rumani… por nëse do ta sillja në Itali: rreth meje unë shoh shumë varfëri dhe mijëra të rinj që emigrojnë, largohen edhe ata në kërkim të një jete më të mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama