Federata
Zë/presidenti i federatës së FIGC, Albertini, mbërriti rreth orës 10, dhe hyri në një derë të shërbimit, duke dashur që të evitojë turmat. Ka takuar të afërmit e Morosinit, duke bërë ngushëllimet në emër të federatës së futbollit dhe ka deklaruar se federata do të ndjekë me vëmendje autopsinë dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me humbjen e papritur të Piermarios. Albertini nuk ka dhënë deklarata, por është parë dukshëm i tronditur ndërsa dilte nga morgue.
Polemikat
Por polemikat nuk kanë të sosur në lidhje me vonesën e ambulancës në fushë. Kryebashkiaku Marshia ishte i qartë. “Do të hedhim dritë nga ato që kanë ndodhur dhe përgjegjësit e mundshëm që duhej të drejtonin makinën me policinë bashkiake do të ndëshkohen. Ka nisur që dje (të shtunën) një hetim i brendshëm dhe do të jemi të gatshëm për t’i dhënë mbështetje një hetimi nga prokuroria. Nëse dalin faje, nuk do të hezitojmë për të pezulluar apo edhe shkarkuar përgjegjësit e mundshëm. Por duhet thënë se disa gjëra nuk kanë funksionuar të shtunën dhe shoferi i ambulancës duhet të ishte më i kujdesshëm”. Kryebashkiaku Mashia ka thënë se qyteti i Peskarës do të mirëpresë të fejuarën e Morosinit gjatë qëndrimit të saj.
Autopsia
Autopsia e Morosinit do të bëhet sot dhe funerali do të kryhet nëBergamotë mërkurën. Por mund të shtyhen nëse ekspertiza mjeko-ligjore do të nxjerrë të dhëna të reja për vdekjen e lojtarit.
Homazhet
Në Livorno, përpara stadiumit, janë mbledhur me mijëra për të vendosur lule apo edhe për të qenë prezentë aty. Tifozët kanë ndezur qirinj dhe kanë qëndruar gjatë në këmbë me kokën ulur në respekt të Morosinit 25-vjeçar, që luante me skuadrën e Livornos i huazuar nga Udineze.
Solidaritet
Diçka më shumë ka bërë Udineze, pronarja e kartonit të lojtarit. Shoqëria friuliane në sajtin e saj zyrtar ka lajmëruar se “është thellësisht e lënduar nga humbja e parakohëshme e Piermario Morosinit dhe nëpërmjet rrjetit “Udinese per la Vita”, do të garantojë asistencën për të motrën e lojtarit të pafat, që ka mbetur e vetme pas ngjarjes tragjike. “Udinese per la Vita” do të garantojë një mënyrë të shpejtë për të siguruar fonde së bashku me të gjitha klubet e tjera të Serie A dhe B, për të krijuar një asistencë e cila të jetë e vazhdueshme dhe e gjatë.” Motra e Piermarios, jetime dhe që ka humbur edhe dy vëllezërit e saj, është e paralizuar.
Kujtimi
Është kohë dhimbjeje, por edhe fjalësh. Për të mos harruar, për t’i bërë të ditur Italisë dhe botës se cili ishte Morosini: “Erdha tek Atalanta në një situatë të vështirë – tregon Delio Rosi, trajneri aktual i Fiorentinës, që e ka lëshuar në Serie A kur ishte në Bergamo – dhe organizova një grumbullim me djemtë e skuadrës së të rinjve. Në skuadrën e parë mora atë, Kapelin dhe Motën. Më dukej një mesfushor me ide të mira taktike dhe luajti me mua gjatë gjithë vitit. E dija për dramën e tij familjare dhe i qëndroja pranë, por ai ishte një djalë plot diell”. Nga e shkuara në të tashmen. “Në tre-katër muaj u bë shok me të gjithë”, shpjegon Atilio Peroti, përgjegjës i sektorit teknik te Livorno. “Ishte një djalë i jashtëzakonshëm – tregon Di Natale, kapiten i Udinezes -. Pavarësisht të gjitha probleme që kishte, ishte gjithnjë në dispozicion të skuadrës. Imazhet janë befasuese. Kishte dëshirë të ngrihej, por ra sërish. Dje thashë menjëherë se nuk do luanim, nuk ishte e drejtë”. Dukshëm i mallëngjyes Marko Mota i Katanias. “Jemi njohur kur ishim shtatë vjeç duke gjuajtur topat e parë tek Atalanta dhe që atëherë kemi grumbulluar paraqitje të rëndësishme me Udinezen dhe kombëtaren e të rinjve. Ishte një preson i shkëlqyer, një djalosh me një forcë shpirti të pabesueshme që e lejonte të përballonte goditjet e një jete vërtet të pafat”.
Nderimet
Pastaj ka nga ata që kanë shkuar përtej fjalëve. Bernardo Korradi, që e ka pasur Morosinin shok skuadre tek Udineze, i ka dedikuar një gol shokut të humbur. Sulmuesi ka shënuar golin e parë në MLS, duke transformuar një penallti të akorduar për Montreal Impakt në sfidën e humbur 2-1 me Dallasin. Korradi, pas shënimit, ka shkuar te trajneri Xhes Marsh për ta falënderuar që e la të godiste penalltinë. “Ishte një ditë e çuditshme për mua sepse humba një nga miqtë e mi. Ishte një djalë i zoti, buzëqeshte gjithnjë”.
Doktorët dyshojnë: Lojtari mund të ketë vdekur nga përplasja në kokë
Mesfushori i Livornos, Piermario Morosini vdiq të shtunën pas kolapsit që pësoi në minutën e 31-të të ndeshjes kundër Peskarës në Serie B. 25-vjeçari thuhej se ndërroi jetë si rezultat i sulmit në zemër. Por, ekzistojnë teori se vdekja e tij mund të jetë shkaktuar nga një përplasje kokash gjatë takimit. Autopsia do të bëhet sot, por qarkullojnë sugjerime se shkaktari i vdekjes mund të mos ketë qenë sulmi në zemër. “Sulmi kardiak mund të jetë i një natyre tjetër, për shembull neurologjik. Gjithçka do të sqarohet nga autopsia”, deklaroi doktori Paloskia nga spitali i Peskarës. Është e mundur që kolapsi të jetë shkaktuar nga aneurizmi, (shpërthim i enëve të gjakut, kryesisht në tru), sidomos për shkak se pak minuta para incidentit, Morosini ishte ndeshur kokë më kokë me futbollistin e Peskarës, Emanuel Kashione.











