Francois Truffaut arsye per te shpresuar

Francois Truffaut, arsye per te shpresuar
Portreti i kineastit përmes veprës dhe disa dëshmitareve, aktore që kanë punuar me të, që i ka dashur dhe e kanë dashur. François Truffaut, Një autobiografi (Une Autobiographie, Francë, 2004, 78') shfaq sonte, ora 19:00 në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, portretin e kineastit përmes veprës, mbi njëzet filma me metrazh të gjatë dhe disa dëshmitareve, aktore që kanë punuar me të, që i ka dashur dhe e kanë dashuruar. Autorja e dokumentarit Anne Andreu (1939) është bashkëkohëse e "turqve të rinj" të kinemasë franceze, protagonistë të stilit të ri, nouvelle vague, vitet '50-'60. Si regjisore, Andreu ka realizuar portrete artistësh: Juliette Binoche, Romy Schneider, Youssef Chahine.

Portreti i Truffaut-së (1932 - 1984) ndërtohet me dëshmitë e tij që i ka me shumicë. Ai ka qenë figurë shumë e pranishme në media. Kishte reshtur së shkruari kritikë për kinemanë kur nisi të merret me regji, por guxonte të komentonte situata kritike politike në vend. Kinemanë nuk e ngatërroi megjithatë me ideologji e politikë. Kujtojmë qëndrimin që bashkë me të nouvelle vague-ës mbajti ndaj sulmit të ministrit të Kulturës André Malraux Kinematekës Franceze dhe ndaj drejtorit të saj Henri Langlois. Ishte ai vendi dhe ai njeriu nëpërmjet të cilëve thelloi dijet estetike për kinemanë, dashuroi regjisorët amerikanë Orson Welles, Howard Hawks dhe Alfred Hitchcock. Aty ishte takuar me André Bazin, udhëheqësin e tij kritik për te tribuna "Cahiers du Cinema". Aty u njoh me Alain Resnais, Jean-Luc Godard, Jacques Rivette dhe Erich Rohmer. Te ajo klimë nisi të shkruajë si akademik për kiinemanë, edhe pse formimi i tij ishte krejt autodidakt.

U vetëshkollua falë regjimit: tre filma në ditë, tre libra në javë. Në fokus të kritikave të tij ishin regjisorë si Claude Autant-Lara, Jean Delannoy, Yves Allégret dhe skenaristë si Jean Aurenche dhe Pierre Bost. Kritikonte te ata kinemanë artificiale, jo të natyrshme, dialogun shumë letrar, realizmin psikologjik që nuk i dukej as real dhe as psikologjik. Punonte shumë dhe bëri armiq jo pak.

Përpjekja e tij e parë regjisoriale ishte më 1954 me filmin e shkurtër "Një vizitë". "400 goditje" (Les quatre cents coups, 1959) filmi i tij i tretë, zuri vend. Është vepra më autobiografike e tij. Truffaut e kaloi fëmininë dhe adoleshencën në arrati nga shtëpia. Nuk e takoi kurrë babanë biologjik, ndërsa me nënën Janine, prej të cilës trashëgoi pasionin për kinemanë, i theu marrëdhëniet përgjithmonë kur mori vesh se babai që e kish rritur nuk ishte babai i vërtetë.

Jeanne Moreau, është aktorja që dëshmon në dokumentarin e sotëm. Punuan bashkë për një film kult në periudhën e parë të karrierës së Truffaut-së: "Jules et Jim" (1961). E quajnë kryevepër poetike. Bashkëpunim me kompozitorin Georges Delerue dhe aktorët Henri Serre, Oskar Werner dhe Moreau në rolin e Katerinës së bukur dhe enigmatike me të cilën dashurohen dy shokë. Truffaut dhe Moreau ishin miqësuar më parë, dhe ky film i hodhi në dashuri të shpejtë dhe intensive. Ai kujton: "Jeanne Moreau më jepte kurajë sa herë dyshoja. Cilësitë e saj si aktore dhe grua e bënë Katerinën të vërtetë para syve tanë, ekstravagante, pasionante dhe mbi të gjitha të adhurueshme."

Me Catherine Deneuve, një tjetër aktore e intervistuar në dokumentarin që shfaqet sonte, Truffaut punoi për "Sirenën e Misisipit" (1969). Ajo luante përkrah Jean-Paul Belmondo-së. Në fund të xhirimeve regjisori dhe Deneuve nisën një marrëdhënie që e bëri Truffaut-në "burrin më të lumtur në botë", siç do të shprehej ai diku. Lidhja e tyre u ruajt nga sytë e të tjerëve.

Në fund të kësaj marrëdhënieje, më 1972, ai ra në depresion.

Kjo përkonte me një periudhë jo të mirë për krijimtarinë e tij. Kishte realizuar deri atëherë "Fahrenheit 451" (1966) me aktorin Oskar Werner, më 1969 "L'enfant sauvage" bazuar në një hisori të vërtetë, filma si "Tirez sur le pianiste" (1960), "L'amour à vingt ans: Antoine et Colette" (1962), "La peau doce" (1964), "Baisers volés" (1968), "Une belle fille comme moi" (1972), "La nuit américaine" (1973). Ishte nga pak regjisorët francezë që kishte krijuar një profil të qartë dhe të konsoliduar për kritikën ndërkombëtare dhe individualizmi i tij ishte pranuar nga publiku i gjerë.

Me "Historinë e Adela H." (L'histoire d'Adéle H., 1975), vjen bashkëpunimi me aktoren Isabelle Adjani, 19-vjeçare, në rolin e vajzës së Viktor Hygosë. Filmi bazohej në autobiografinë e saj. Thuhet se Truffaut ishte si i hipnotizuar nga bukuria e aktores së re. I shkruante një miku: "Ta filmosh atë do të thotë të kundërshtosh dëshirën, është vuajtje e përditshme për mua, dhe gati një agoni për të."

Filmi nuk pritet mirë, kurse Adjani kandidohet për Oscar.

Edhe kjo aktore është intervistuar nga Anne Andreu për dokumentarin François Truffaut, Një autobiografi. Filmi që i ngre me të dyja duart fundin e Truffaut-së është "Metroja e fundit" (Le Dernier Metro, 1980) me aktorët Catherine Deneuve dhe Gerard Depardieu. Sukses i madh në Francë: fitues i disa Çmimeve Cesar.

Pas tij, janë edhe tre vite punë, disa filma që ruajnë një konstante suksesi. Hyn në skenë aktorja dhe gruaja e fundit në jetën e tij, Funny Ardant, me filmin "La Femme d'à côte", 1981, realizuar me buxhet modest. Përballë saj aktori Gerard Depardieu. Truffaut e kishte parë Ardant në TV. Thotë për të: "Menjëherë dallova dhe vlerësova te Fanny Ardent, ato cilësi që unë kërkoj nga protagonistet në filmat e mi: vitalitetin, guximin, entuziazmin, humorin, intensitetin por gjithashtu, si kundërpeshë e gjithë këtyre, një prirje për fshehtësi, një anë të papërmbajtur, një grimë egërsie dhe mbi të gjitha drithëruese."

Gjatë xhirimeve ky admirim profesional u bë personal. Ishte pasioni i fundit i madh dhe romantik Truffaut-së që u kurorëzua me një fëmijë. Me Ardant dhe Jean-Louis Trintignant ai realizon edhe "Vivement dimanche!" 1983. Një vit më vonë ndërroi jetë, për shkak të një tumori. Edhe intervistën e Fanny Ardant për Truffaut-në mund ta ndjekim sonte te ky dokumentar. Regjisorja Anne Andreu ka dashur të japë portretin e një artisti jo duke konfirmuar lavdinë e tij, por t'ia japë fjalën një brezi të ri kinemadashës që gjejnë në artin e Truffuat-së si dje edhe sot arsye për të shpresuar.

Filmi shfaqet në kuadrin e Muajit të Frankofonisë 2011, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama