Një tifoz spanjoll u bë personazh dy ditë më parë, pasi në internet u publikuan foto të tijat duke iu afruar me not jahtit të Lionel Mesit për të parë nga afër yllin argjentinas. Por 24 vjeçari spanjoll i identifikuar si Suli, nuk ka fituar vetëm një përshëndetje nga Mesi, por edhe diçka më shumë.
Suli, tifoz i Atletiko Madrid, notoi 1 kilometër nga bregu i Ibizas për të arritur jahtin e Mesit dhe për të bërë një foto me të. 24 vjeçari ishte me pushime në këtë lokalitet turistik kur pa në distancë jahtin e argjentinasit para plazhit të Salines.
Ai tregoi për "Mundo Deportivo" se nuk ishte menduar dy herë dhe ishte hedhur në ujë duke marrë me vete vetëm një qese plastike ku kishte futur celularin, ndërsa shoku i tij kishte preferuar të qëndronte në breg. Kur iu afrua jahtit "Seven C", ekuipazhi i mjetit lundrues kishte lajmëruar Mesin për atë që po ndodhte dhe se kishin një person të paftuar pranë varkës.
Mesi kishte dalë menjëherë në kuvertë dhe kishte përshëndetur tifozin. Ky i fundit dëshironte vetëm një fotografi me argjentinasin, por kishte zbuluar se gjatë udhëtimit, celulari i tij ishte lagur dhe tashmë ishte i papërdorshëm. Mesi e kishte ngjitur atë në jaht dhe i kishte kërkuar një prej punëtorëve t'i bënte foto me këtë tifoz, foto të cilën ia kishin dërguar më vonë.
Përveç kësaj, argjentinasi e kishte ftuar të qëndronte dhe të pushonte në barkë, duke i ofruar edhe një lëng frutash. Gjatë bisedës, Mesi e kishte pyetur edhe prej nga vinte dhe nëse kishte takuar ndonjëherë futbollistë të tjerë.
"Unë humba telefonin por fitova një foto me Mesin", tregoi Suli. "Ndërsa ai më fliste, nuk dukej aspak si një yll ndërkombëtar. Ai ishte shumë i thjeshtë, shumë mikpritës. Si ai, ashtu edhe familja e tij ishin të mrekullueshëm".
Në fund të bisedës prej rreth 20 minutash, Mesi kishte udhëzuar pjesëtarët e ekuipazhit të tij që ta dërgonin me varkë në breg Sulin, i cili ishte kthyer si fitimtar mes shokëve të tij duke u treguar për takimin me yllin argjentinas.