Flamurmbajtes per Oscar

Flamurmbajtes per Oscar
Jo më përpara se 30 shtatori mund të kemi kandidatin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë "Filmi më i Mirë në Gjuhë të Huaj" në Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences", e njohur me emrin popullor Akademia e Çmimit Oscar. Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Artan Minarolli e bëri këtë deklaratë i pyetur nga "Shekulli". Kanë nisur të shfaqen në horizont kineastë shqiptarë që po kërkojnë mbështetje për të qenë pjesë e këtij procesi zgjedhjeje, si në rastin e bashkëskenaristit të filmit "Falja e Gjakut", Andamion Murataj.

Po si do të funksionojë zgjedhja e një flamurmbajtësi drejt Best Foreign Language Award?

Qysh prej vitit 1996 filmi shqiptar ka aplikuar jo rregullisht në Akademinë Amerikane. Në dhjetëvjeçarin e fundit, u arrit të prodhohet edhe 1-2 filma në tre vjet, e bashkë me të edhe pretendimi për t'u matur me kinemanë botërore, pra me kinemanë joanglishtfolëse, pikërisht ajo që hyn në Kategorinë e Filmit më të Mirë në Gjuhë të Huaj. Strukturat tona kinematografike me në krye Ministrinë e Kulturës nuk e kanë stabilizuar ende një mekanizëm i cili çdo vit do të kryente zgjedhjen e filmit shqiptar në një konkurrim ku vlerat kinematografike, gjithsesi, mbajnë një flamur të vendit që i përket prodhimi.

Sa qesharake u bë situata kur për përfaqësimin e "Trishtimit të Zonjës Shnajder" në vitin 2008 ish ministri Pango e bashkë me të edhe ishe kryetari qendrës Xhevdet Feri jepnin e merrnin shkresa nën dorë, ndërsa regjisori Milkani dilte në konferencë për shtyp pa praninë e njërës strukturë e as të tjetrës.

Së paku dy vitet e fundit QKK ka adaptuar kriteret e Rregullore së Akademisë për këtë kategori. E meqë filmat e këtij paraqesin në vetvete një larmi të termit film shqiptar, i kryetari Minarolli na jep këtë përkufizim të Filmit Shqiptar për kategorinë "Filmi më i Mirë në Gjuhë të Huaj" në "Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences", në bazë të disa kritereve.

Filmi duhet të jetë shfaqur për jo më pak se një javë rresht dhe jo më parë se 1 tetor 2010 e jo më vonë se 30 Shtator 2011;

Aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë në të paktën 2 nga këto 3 kategori: producent/ët, regjisor/ët, skenarist/ët;

Aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë në këto kategori: kamera, montazh, drejtim artistik, kostumografi, kompozitor, miksim zëri;

Aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë në rolet kryesore të filmit.

"Në bazë të së njëjtës rregullore", thotë kryetari i Qendrës, parashikojmë mbledhjen e një komisioni jo më përpara se 30 shtatorit. Komisioni merr parasysh prodhimet shqiptare apo bashkëprodhimet shqiptare me të huajt që kanë dalë në qarkullim prej 30 tetor 2010 deri më 30 shtator 2011. Ky komision i posaçëm do të ngrihet nga shoqatat e kineastëve dhe do të ketë miratimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I përbërë nga 5-7 anëtarë."

Minarolli nga dita e sotme iu bën thirrje shoqatave shqiptare të kineastëve, gjashtë janë, të paraqesin pranë Qendrës propozimet e tyre për anëtarët e këtij komisioni të veçantë. Gjithashtu ai fton të gjithë producentët shqiptarë të dorëzojnë pranë QKK kërkesën për të aplikuar pranë këtij komisioni.

Minarolli kujton se 6 janë filmat që do të kenë premierë në harkun vjeshtë 2010-vjeshtë 2011. Janë "Maja" i Pluton Vasit, "Ballkan Bazaar" i Edmond Budinës që janë shfaqur në kinema, "Out of touch" i Andi Delianës dhe "Pharmakon" i Joni Shanajt që pritet deri në verë, "Amnistia" i Bujar Alimanit që është shfaqur premierë botërore në Berlin ndërsa në Shqipëri pritet brenda majit. Ky film paraqet ecurinë më të mirë, e që me siguri do të merret parasysh në bilancin final që do të bëjë komisioni për zgjedhjen e filmit përfaqësues drejt Oscarit.

Kryetari i QKK na përmend edhe filmat "Shqiptari" i Johannes Naber dhe "Falja e Gjakut" i Joshua Marston dhe ndalet te këta dy, sepse paraqesin specifika të ndryshme nga katër të tjerët ku nuk diskutohet më pasaporta shqiptare e prodhimit.

Minarolli thotë se përfaqësimi i Shqipërisë nga një regjisor i huaj është jashtë çdo hamendësimi, por është komisioni për filmin shqiptar në Oscar ai që do të vendosë. Në rastin e filmit "Shqiptari" çështja do parë njëlloj, pavarësisht se është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë me rreth 30 milionë lekë.

Edhe "Falja e gjakut" me një bashkautor, bashkëproducent si edhe casting director shqiptar, me një histori shqiptare që flet shqip, ka të ngjarë sipas këtij shqyrtimi paraprak të kritereve që të mos merret fare në konsideratë nga komisioni i posaçëm.
Stafi i filmit amerikan ka filluar një farë promocioni, por në fund të fundit, konfirmimin e jep pala shqiptare.

Minarolli kujton se "Muajt e mjaltit" i Goran Paskaljeviçit u përjashtua dy vjet të shkuara për të njëjtën arsye. Edhe pse i pari bashkëprodhim i Shqipërisë me Serbinë, rezultoi jo më shumë se një film vullnetmirë për vëllazërimin e vendeve.

"Sukseset janë rastësore akoma", shton Minarolli, "ka grimca interesante, ka ndonjë fatlum tek-tuk, por kinemaja shqiptare nuk është futur akoma në shinat e një kinematografie të mirë. E vërtetë dhe jo pa rëndësi është që ka nisur të thuhet "film shqiptar", pra prania e këtij filmi është më e madhe përtej nesh. Koha, autorët me përpjekjet individuale, bëjnë punën e tyre.

Por e gjithë kjo nuk paraqitet si një zhvillim normal organik. Ka të bëjë me prodhimin shumë të vogël të filmit, me gjendjen e producentëve shqiptarë, të cilët nuk kërkojnë, por merren me punë të tjera që s'kanë të bëjnë me kinemanë."

Edhe kjo histori pa një status dhe ngritja më në fund e një strukture permanente që nuk do të angazhonte as bordin e filmit artistik të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe as kryetarin e Qendrës që do të merret me organizimin e kësaj pune, reflekton gjendjen ku ndodhet kinemaja shqiptare.

Mund të ishte "Falja e gjakut"?

Andamion Murataj, bashkëskenaristi shqiptar i prodhimit amerikan "Falja e Gjakut" me regji të Joshua Marstonit mendon ta bëjë zyrtare kërkesën në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. "Unë uroj që Qendra Kombëtare e Kinematografisë të nisë procedurat zyrtare për të zgjedhur filmin "Falja e Gjakut si filmi përfaqësues i Shqipërisë për t'u nominuar në "Oscar for Best Foreign Language Film", pasi filmi deri më tani ka dëshmuar se i ka të gjitha shanset reale për të arritur në nivelin më të lartë të konkurrimit", ka thënë Murataj në një prononcim për "Shekullin".

Filmi që fitoi Ariun e Argjendtë për Skenarin më të mirë në Berlin International Film Festival 2011, do të jetë në kinema në Amerikë në muajt e parë të viti 2012 ndërkohë që është kërkuar nga shumë festivale të filmit.

Në lidhje me këtë ecuri të filmit Murataj shton: "Ne jemi përpjekur të bëjmë një film të ndershëm që sheh drejt e në sy problemet e atyre të rinjve në Shqipëri jeta e te cilëve është ngërthyer midis modernitetit dhe traditës. Ky është një film plot ndjenjë dhe humanizmi buron nga çdo kuadër i filmit. Unë jam i sigurt që ky film do të komunikojë fuqishëm dhe qartë në Amerikë, siç komunikoi edhe në Berlin pasi në qendër të tij është një histori e triumfit të shpirtit njerëzor në rrethana të zymta dhe si i tillë mbetet një histori universale, po aq sa është një histori specifike Shqiptare."

Regjistri

Pak janë filmat shqiptarë që janë regjistruar zyrtarisht prej vitit 1996 për konkurrimin e përvitshëm "Best Foreign Language Award" në Akademinë Amerikane të Filmit Arteve dhe Shkencave. Konkurrimi në këtë kategori njihet prej vitit 1956, për një filmin e gjatë artistik që nuk prodhohet në SHBA e që kryesisht flet në një gjuhë që nuk është anglishtja.

Academy of Motion Picture Arts and Sciences fton industrinë filmike të vendeve të ndryshme që të aplikojnë me filmin që i përfaqëson më mirë në Academy Award for Best Foreign Language. Një komitet i akademisë për këtë kategori mbikëqyr filmat e vendeve të ndryshme dhe prej tyre arrin të nxjerrë nëpërmjet një votimi sekret një listë me 5 kandidatë.

Vetëm katër filma shqiptarë, bashkëprodhime të huaja me polakët, francezët, italianët, kanë aplikuar për Academy Award for Best Foreign Language Film, dhe asnjëri nuk është nominuar për një Oscar. Në këtë histori thuhet që megjithëse filmi shqiptar nuk ka pasur asnjëherë përfaqësim ambicioz, vendet rreth e rrotull nesh kanë shkuar drejt kësaj kategorie të Oscarit me filma për Shqipërinë ose diasporën shqiptare.

1996 "Kolonel Bunker" i Kujtim Çashkut
2002 "Slogans" i Gjergj Xhuvani aplikon për edicionin e 74 të Academy Awards për Best Foreign Language Film. Këtë vit fitues është "No man's Land" i Danis Tanovicit, Bosnje - Hercegovinë
2008 "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Eno Milkani & Piro Milkani
2009 "Gjallë!" i Artan Minarollit
2010 "Lindje-Perëndim-Lindje" i Gjergj Xhuvanit

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama