Fjetja ne lulishte dhe kritika nga Barici Mihali Ja 22 vitet e mia kuqezi

Fjetja në lulishte dhe kritika nga Bariçi, Mihali: Ja 22 vitet e mia kuqezi

Kardif, Uells, 1994. Njerëzit në këtë vend nuk janë si skocezët. Ata s'e kanë pasur asnjëherë problem që ishin praktikisht në Angli, përkundrazi ata ishin aq të lumtur që përfaqësonin Britaninë e Madhe, sa shumëkush u habit se si ka mundësi që Rajan Gigs, kapiteni i shkollave të Anglinë, në adoleshencën e hershme zgjodhi të vishte fanellën përfaqësuese të Uellsit.

13081879_10208313515372098_160802275_n

Ansi Agolli, Ylli Mihali dhe Isli Hidi

Atë shtator, Gigs ishte në kulmin e formës. 21 vjeç, lojtar i Mançester Junajtid, drejtonte një Kombëtare që dëshironte që më së fundi të bënte diçka në arenën ndërkombëtare.

2-0 kundër Shqipërisë, 1 gol dhe një asist për yllin e ri të futbollit europian. Gigs nuk ia doli dot të shkonte në një Europian apo Botëror.

Nuk ia doli dot as Rudi Vata, i cili në atë sezon luante në Gllasgou, rivalët e përjetshëm me fanellën e Sëlltikut, pikërisht në Skoci, aty ku njerëzit s'i kuptonin uellsianët. 22 vite më vonë në një Europian shkoi edhe Uellsi dhe Shqipëria.

Shkoi Garet Bejl dhe Ylli Mihali. Po, po Ylli Mihali, fizioterapisti i Shqipërisë, i cili u ngjit në atë avion në 1994 për të mos zbritur ende pas 22 viteve. Askush sot nuk është më i vjetër se ai në këtë bord kuqezi.

Si ka qenë afrimi juaj në skuadrën përfaqësuese dhe si u bëtë pjesë e stafit kuqezi?

Në vitin 1987, kam punuar në klubin Partizani, sepse në atë kohë bëja ushtrinë në atë klub. Trajneri në atë periudhë ka qenë Neptun Bajko. Pas incidenteve që ndodhën në Lisbonë kundër Benfikës, drejtuesit u shkarkuan dhe kësisoj për disa vite nuk punoja në sport. Sa herë që takohesha rastësisht me Bajkon, gjithnjë i thosha me shaka që kur do vinte dita të merrte përfaqësuesen dhe, në këtë mënyrë, të rivendosim raporte pune. Një ditë, rastësisht, dëgjoj në TV që ishte zgjedhur stafi i përfaqësueses dhe ishte dhe emri im. Trajneri ishte Neptun Bajko.

Cila ka qenë ndeshja e parë si pjesë e stafit të përfaqësueses?

Ka qenë shtator 1994, luhej ndeshja e parë eliminatore e Europianit dhe shkonim në Uells. Mbaj mend që atë moment ka pasur një organizim ndryshe nga herët e tjera. Udhëtimi ishte disi më komod, duke qëndruar një natë në Lubjanë dhe madje kishte dhe premio. Humbëm 2-0, mbi të gjitha, sepse për Uellsin sapo kishte filluar të shkëlqente Rajan Gigs që ishte një ndër talentet më të mëdhenj të Europës, ai dha krosimin e golit të parë dhe shënoi vetë golin e dytë.

Për hir të së vërtetës, ai nuk ka qenë edicion për t'u hedhur poshtë?

Jo, besoj që jo. Atë vit kemi barazuar në Tiranë me Uellsin e Moldavinë dhe kemi fituar dy herë ndaj Moldavisë. Në Moldavi fituam për herë të parë në histori një ndeshje zyrtare jashtë fushës. Udhëtimi ka qenë shumë i këndshëm dhe ka pasur festë gjatë gjithë kohës në avionin që na ktheu në Tiranë. Mbaj mend që në një ndeshje kundër Gjermanisë ka pasur ndoshta rekord shikuesish. Duhet të kenë qenë rreth 25 mijë tifozë.

Kemi humbur 1- 2, por ka qenë një ndeshje me shumë emocione pas golit të shënuar nga Zmijani.

Kombëtarja ka qenë e pashmangshme të mos ndikohej dhe nga zhvillimet politikosociale në gjithë ato vite. Megjithatë, ajo le të themi ka qenë praktikisht shpeshherë një pikë referimi?

Sidomos në vitin 1997. Ngjarjet në Shqipëri kishin marrë një drejtim të frikshëm dhe ishte vendosur të luanim në Spanjë kundër Gjermanisë.

Ka qenë avioni i vetëm që ka udhëtuar nga Rinasi dhe kemi shkuar fillimisht në Athinë. Aty jemi pritur nga shumë gazetarë dhe fotoreporterë, të cilët ishin shumë kuriozë të dinin diçka për Shqipërinë. Pritja e federatës spanjolle ka qenë madhështore. Kemi shkuar në Madrid dhe, më pas, në Granada, ku kemi luajtur ndaj Gjermanisë.

Në pak muaj kemi humbur 2 herë me Gjermaninë, por kemi shënuar 5 gola dhe kjo nuk është pak. Kombëtarja në përgjithësi u ka dhënë kënaqësi njerëzve dhe kjo ka ndodhur dhe më vonë, sidomos në ndeshjet ndaj Greqisë.

Në ato vite janë luajtur të paktën 3 ndeshje kundër Greqisë në Tiranë?

Po, po. Në 1998, u rikthyem të luanim në Shqipëri. Ndonëse përfundoi 0-0, ka pasur shumë entuziazëm. Në atë kohë ndeshja ishte në kujdesin e veçantë të ministrit të asaj kohe Edi Rama. Ka qenë me fanellën e përfaqësueses në tribunë.

Edhe sot është shumë aktiv ndaj përfaqësueses?

Po, edhe sot që është kryeministër, madje më duket më shumë aktiv sot.

Po politikanët e tjerë a qëndronin pranë përfaqësueses?

Berisha më pak. Mbaj mend që në 1995-ën, në një fitore ndaj Moldavisë, ka qenë në stadium dhe fituam 3-0. Nano diçka më shumë. Në 2004, ne fituam 2-1 kundër Greqisë dhe ai ishte i pranishëm në çdo moment, madje akordoi dhe një premio 500 mijë dollarë për skuadrën. Kurse Ilir Meta, kur ishte kryeministër në 2001, pas fitores 2-0 me Greqinë e pajisi skuadrën me pasaporta diplomatike duke krijuar shumë lehtësi për të lëvizur. Sot duken detaje pa vlerë, por për kohën ishin lehtësira të mëdha.

Meqë jemi te Greqia, na e shpjegoni pak çfarë ndodhi në ndeshjen e vitit 1999 kur ra tërmet?

Po, është e vërtetë. Ne ishim në Greqi dhe ra tërmet, unë isha duke u futur në ashensor. Pashë gjithë skuadrën që vraponte të dilte jashtë sepse tërmeti ishte shumë i fortë. Atë natë thuajse të gjithë fjetëm në lulishten e hotelit. Vetëm mjeku Lluka Heqimi dhe Rudi Vata guxuan të flinin brenda në hotel, pjesa tjetër fjeti jashtë...

Ju keni punuar me shumë trajnerë shqiptarë dhe të huaj, si do t'i vlerësonit ata?

2 prej tyre nuk jetojnë më dhe unë duhet t'i kujtoj me respektin më të madh. Zhega, për shembull, ishte trajneri në fitoren 2-0 ndaj Greqisë dhe sigurisht ka meritat e tij në atë fitore, ndërkohë që Kuzhe ishte shumë i talentuar, një trajner shumë i aftë, nga më të mirët me të cilët kam punuar.

A keni pasur ndonjëherë problem me trajnerët?

Jo, nuk mbaj mend. OK, ndoshta vetëm një herë me Bariçin për orarin e zgjimit të një lojtari, por normalisht nuk ishte faji im. Keqkuptim i vogël.

Cili ka qenë trajneri më i rreptë?

Brigel, por vetëm në fillim ishte shumë gjerman. Më pas, u bë dhe ai pak shqiptar. Në stafin le të themi mjekësor ka pasur shumë të huaj.

Si kanë qenë raportet me ta?

Shumë pozitive, sidomos me pjesën italiane të stafit që bashkëpunojmë tani.

A është e vërtetë që shumë lojtarë rrëfejnë sekretet e tyre, apo le të themi dhe pakënaqësitë pikërisht në minderin e masazhit?

Po, mund ta konfirmoj. Kam kaluar shumë lojtarë, i kam pritur dhe përcjellë nga aventura e tyre kuqezi. Masazhi ishte moment ideal i tyre për të shfryrë ndonjë pakënaqësi, ose për të kritikuar trajnerin apo zgjedhjet e tij në konfidencë.

Si i menaxhonit këto raporte?

Me urtësi, mendoj se të qenit i urtë është çelësi i suksesit të kujtdo. Gjithnjë u kam propozuar të jenë të qetë dhe sidomos të evitojnë daljet publike. Por nuk ka qenë e thjeshtë sepse ndonjëherë lojtarët ankoheshin dhe për njëri-tjetrin. Megjithatë, këto janë gjëra normale në një skuadër futbolli, sepse kështu ndodh pothuaj kudo edhe në botë.

Cili lojtar ka qenë miku juaj më i ngushtë?

Ervin Skela, edhe tani që nuk luan më futboll, vazhdon të jetë miku më i mirë.

Cili është lojtari që në këto 22 vite ju ka transmetuar idenë e njeriut me më personalitet?

Për karakter sportiv... Altin Lala.

Po lojtari më me humor?

Lala, dhe në këtë fushë ishte më i miri.

Kush është lojtari që ankohej gjithnjë?

Bulku ankohej dhe ankohet gjithnjë. I duket përherë sikur ka ndonjë gjë që nuk shkon ose ndonjë dëmtim, që më së shumti e ka në kokën e tij.

A keni munguar në ndonjë ndeshje të përfaqësueses?

Jo, asnjëherë. Kam munguar vetëm një herë në ndeshjen Shqipëri- Milan, por nuk mendoj se ajo duhet llogaritur si ndeshje e skuadrës Kombëtare.

A i keni numëruar vendet që keni vizituar?

Jo, por janë shumë. Kemi shkuar deri në Argjentinë dhe San Diego për të luajtur me Meksikën.

Cili është vendi më i bukur që keni vizituar me Kombëtaren?

Spanja, pa asnjë mëdyshje.

Po vendi që ju ka lënë shijen më të keqe?

Gjeorgjia. E kemi vizituar disa herë. Asnjëherë nuk na dha kënaqësi.

Cili ka qenë momenti më i vështirë për skuadrën në 22 vite nga ajo që keni parë nga stoli dhe dhomat e zhveshjes?

Humbja në Elbasan kundër Serbisë. Kam parë lojtarë që qanin në dhomat e zhveshjes.

Si u ndjetë personalisht për atë që ndodhi në Beograd?

Kam qenë personalisht në një gjendje jo të mirë fizike, sepse kisha disa probleme dhe kisha bërë një ndërhyrje me injeksion vetëm para ndeshjes, dhe lëvizjet personale i kisha shumë të kufizuara e të pamundura. Realisht ka qenë dhe kam pasur frikë. Ajo çka është parë në TV, nuk ka shumë të përbashkët me atë që realisht ka ndodhur në Beograd.

22 vite dështime dhe befas pa e menduar Shqipëria kualifikohet në Europian. Pritja nuk ka qenë e vogël?

Nuk kam qenë shumë i bindur nëse do të kualifikoheshim apo jo, madje kur mësova shortin, isha le të themi pesimist. Nuk e besoja as pas rezultateve të para, sepse realisht dhe shumë herë të tjera e kishim nisur mirë edicionin, por rrugës gjithnjë gabime që na kushtonin suksesin. Megjithatë, këtë radhë shkoi gjithçka ndryshe dhe një gjë e tillë ishte fatlume për ne. Për mua personalisht ishte si një ëndërr. Të arrish një aktivitet të tillë pas 22 vitesh punë, është një shpërblim i madh.

Marrë nga "Supersport"


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama