First Step Film Fest jo me nje aventure

First Step Film Fest, jo me nje aventure
Vitin e kaluar, 6 të rinj që kishin mbaruar për aktrim apo regji filmi në Akademinë e Arteve jo më larg se 5 vjet më parë, por edhe ata që kanë studiuar në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” 2 vitet e fundit realizuan First Step Film Fest, Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve. Nisi si një dëshirë e atyre që nuk donin të infektoheshin nga gjendja e nderë që pret gjithkënd që mbaron një shkollë filmi në Shqipëri.

Dihet tanimë gjendja. Qëndra Kombëtare e Kinematografisë ka një buxhet 0 për këtë vit, pasi ka për të shlyer borxhet e mbartuara. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pret ngritjen e Qendrës së Artit për të derdhur fonde.

Në këtë klimë, ku mungonin fondet, u realizua edhe vjet festivali. Sivjet të rinjtë e dinin çfarë i priste. “Vjet ishte surprizë, nuk e prisnin pjesmëmarrjen dhe vlerësimin e publikut, nuk prisnim që ta ndiqnin aq shumë njerëz të kinemasë shqiptare, po edhe të fushave të ndryshme. Ky fakt na vuri në punë dhe përballë përgjegjësisë për realizimin e edicionit të dytë, që mendohet të mbahet më 26-30 tetor”, tregon Gledis Bica një nga organizatorët kryesorë të “First Step Film Fest” bashkë me Jonida Çungën, që e ndërmorën këtë nismë si një aventurë dhe tani në edicionin e dytë duhet të shtrojnë rrugën që festivali të ecë më tej, duke punuar me pjekuri dhe profesionalizëm.

Megjithë pengesat, një festival filmi u vinte më për mbarë atyre të 6-ve që nuk kishin marrë kurrë përsipër një projekt serioz, duke e ditur që Shqipëria i ka të paktë festivalet e filmave, kështu që nuk do ndienin “goditjet” e konkurrencës. Duke bërë një paralelizëm me Kosovës, kaq pranë nesh, shihet që sot ajo numëron 5 festivale filmi.

Arsyeja e dytë, ndoshta më me peshë, e krijimit të festivalit,  ishte pamundësia që vetë këta studentë të ballafaqonin punët e tyre me ato të kolegëve ndërkombëtarë.

Përveç “Tirana 48 orë Film Project”, që lindi në të njëjtën kohë dhe klimë me “First Step Film Fest” nuk ekziston një hapësirë, të paktën në kryeqytet, ku të rinjtë të matin forcat dhe të njohin vlerat e tyre. Askush nga ata që do shkruajnë historinë e kinemasë shqiptare nesër, nuk mund ta vlerësojë nivelin e tij vetëm duke parë vetveten dhe kolegët që kanë marrë pothuajse të njëjtin ushqim nga shkolla.

Vjet në festival u shfaqën 130 filma, 8 orë program në ditë përgjatë një jave. Këtë vit, në edicionin e dytë programi është më i limituar, në mënyrë që gjithkush të ketë kohën e duhur fizike për t’i ndjekur filmat gjatë orëve të pasdites.

Këto ditë Jonida dhe Gledisi pasi kanë mbledhur prurjet e aplikimeve në faqen zyrtare të internetit, po përzgjedhin filmat pjesëmarrës në festival, duke u bazuar në kritere të thjeshta për një aplikant: filmi të jetë realizuar dy vitet e fundit, regjisori të plotësojë formularin përkatës dhe të dorëzojë një kopje në DVD.

Në një fazë të dytë do analizohet edhe cilësia e filmave. Gledis Bica tregon së për këtë vit kanë ardhur filma nga Shkollat e Filmit në Spanjë, Gjermani, Meksisë, Kubë, Japoni, Korea e Jugut dhe natyrshëm një prurje e kënaqshme e filmit shqip jo vetëm nga regjisorët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë brenda kufijve shtetërore, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Një tjetër burim ku organizatorët mund të qëmtojnë dhe të zgjedhin filma janë festivalet, së fundmi ai i realizuar në Prishtinë. “Në festivalin 9/11 Film Fest ku shfaqen çdo vit afro 15 filma, u surprizova nga cilësia e filmave. Pashë filma që mendoj se duhet patjetër të shfaqen në Tiranë, madje edhe disa që nuk janë bërë nga studentët, të jenë prezent në një seksion të veçantë jashtë kompeticionit. “Kthimi” i Blerta Zeqirit ishte një film mori 5 çmime të merituara, që duhet të jetë në First Step Film Fest”, vijon më tej Bica.

Është herët për të folur për emrat e të ftuarëve, jurisë, apo programin e festivalit. Ky informacion si çdo herë i bëhet i njohur publikut një javë përpara festivalit. Organizatori i First Step Film Fest jep thjesht një guidë titujsh të atyre filmave që edhe mund të jenë pjesëmarrës.

Në listën e të përzgjedhurve mund të jenë: “Sleepyhead” me regji nga Nenko Genov, Bullgari, “Lost’s Springs” nga Andrei Dobrescu Rumani, “Fair as Mr. Moon” nga Taeyi Yong Korea e Jugut, “Shahu” nga Arian Mustafa në Kosovë, “Sister” nga Lena Kocanis Gjermani.

Me rëndësi janë edhe të ftuarit e festivalit, që sjellin me vete përvojën e tyre në realizimin e skenarëve, gjetjen e temave universale dhe më e rëndësishmje për kushtet në të cilat po realizohet filmi shqiptar sot: vjelja e fondeve.

Vitin e kaluar morën pjesë në festival Marcell Iványi, fituesi i Palmës së Artë me filmin “Era” (“Wind”) në vitin 1996. Ka qenë i ftuar dekani i FAMU, Pavel Jech, që solli përvojën e shkollës çeke.

Këtë vit janë të ftuar regjisorët nga Izraeli Effi dhe Amir, që jetojnë në Bruksel dhe merren me art në fusha të ndryshme, të cilët do të realizojnë trajnime, për një projekt që ata bëjnë në të gjithë botën, siç ishte projekti “Tirana 1 min” 2 vjet më parë realizuar në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Ata do të jenë në juri dhe janë të ftuar për të mbajtur një ligjëratë për projektin. I dyti është i ftuar regjisorit hungarez Gabor Harmat, i cili bashkë me disa kolegë të tij ka realizuar një film me metrazh të gjatë, ku secili ka ideuar 10 min të filmit dhe regjisori tregon sesi mund të realizohet një film me skenar të shkruar nga 6 vetë. Pritet që organizatorët të lidhin marrëveshje edhe me të tjerë festivale si “Doku-Fest”, “Skena-Up” në Kosovë, apo me festivale që priten të realizohen së fundmi siç është ai i Filmit në Fier, për të qarkulluar produksione të viteve të fundit. Pastaj sigurisht që peshën më të madhe të kalendarit e mbajnë prurjet e huaja. Për çfarë ndihmojnë shkollat e huaja? “Të mësojnë të bëjnë filma ndryshe. Të mësojnë si të trajtohen tema universale, duke iu larguar paska temave lokale dhe japin leksione me vlerë mbi skenarin, që në fakt është pika jonë më e dobët”, vijon më tej Gledisi, që e vë theksin te praktika e vleljes së fondeve, që përfaqësuesit e shkollave pritet tua transmetojnë të rinjve shqiptarë nga 26-30 tetor.

Gledis Bica: Ne guxuam

Në edicionin e parë të First Step Film Fest, që u mbajt vitin e kaluar më 25-29 shtator, organizatorët, ca të rinj që sapo kishin dalë nga Akademia, ishin skeptikë nëse do t’ja dilnin mbante. E kush mund t’i besonte një të riu, që prezantohej me fjalët: “Nuk e kam mbaruar ende shkollën e regjisë apo aktrimit, por dua të ngre një festival”. Dhe kështu ndodhi. Qindra dërgesa nëpërmjet postës elektronike dhe përgjigjet vinin negative. Nisi si një aventurë, nga krijimi i një faqeje zyrtare, krijimi i një shoqate filmike (vitin e kaluar për mungësën e shoqatës që t’i përfaqësonte, projekti i First Step Film Fest as nuk u mor në shqyrtim nga Këshilli Miratues i Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Më tej u shpallën formularët online dhe u çuditën, me numrin e lartë të atyre që aplikuan për të marrë pjesë nga vende të ndryshme të botës. Atëherë u detyruan të kërkonin fondet. Të gjitha u volën nga sipërmarrjet private, nga platforma Digitalb, nga një shkollë provate “Isat”, kinema “Imperial”, “Dea Print”, shtypshkronja ku kanë shtypur katalogët, ftesat, ndërsa kinemaja siguroi sallat. Në këto salla do donte Gledisi që të vazhdonin të shfaqeshin edhe këtë vit filmat. Kështu ia dolën mbanë të rinjtë të realizonin të parin First Step Film Fest me një fond që i kapte 10 mijë eurot, ku u pranuan 130 filma nga shkolla të ndryshme. Këtë vit shpresojnë edhe mbështetjeten e të vetmit institucion shtetëror, që është Bashkia e Tiranës.

Kthehemi sërisht te 2010. E pamundur të mos bësh krahasime më të parën përvojë të këtij festivali filmi. Ja se si i ndanë detyrat ata të 6-të që e morën përsipër këtë punë. Jonida Çunga ishte drejtoresha artistike, Klodian Hoxha u mor me anën organizative, Odeta Çunaj me pritjen e të ftuarëve dhe akomodimin, Edon Agushi me kameran, Tomi Kallanxhi uebmaster, Devis Muka koordinator. Gledis Bica, kujdesej për të gjithë procesin që nga përzgjedhja e filmave deri në ndarjen e çmimeve. Edhe këtë vit do të ndahen të njëjtat çmime, për Filmin më të Mirë, Regjinë, Skenarin, Montazhin, Kamerën më të mirë, si dhe Çmimi i Publikut dhe Staff Aëard.

Në fund të bisedës, Gledisi me të drejtë, pohon që sot arrijnë të realizojnë edicionin e dytë të First Step Film Fest, vetëm “sepse guxuam”. Ai vetë e di shumë mirë se çështë guximi. Ende në shkollë të mesme, arriti të realizonte dokumentarin e parë me titull: “Shën Dou” në moshën 17-vjeçare, film dokumentar. “Mora një kamerë amatore dhe shkova e xhirova. Në atë kohë, vetëm një person pati besim te unë dhe ajo ishte nëna ime, producentja ime. Më dha lekët, më besoi. Filmin e prezantova te Tirana Film Fest dhe mendoj se ishte nga filmat më të dobët, nuk duartrokiste njeri veç një gruaje. Kjo nuk më ndaloi”, tregon me thjeshtësi, Gledisi i cili do vazhdonte më tej me zhanrin e dokumentarit, me “Ëndrra të mbytyra” (2008, ‘12), “Racizm” (’10, 2008). Më 2008, kohë në të cilën filloi studimet në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” u kthye nga fictioni. Arriti të realizonte “Portreti i Familjes” (‘7), “Cigarja e fundit” (’12, 2009), “Bábá” (’20), film me të cilin mbrojti diplomën këtë vit. Nuk ka hequr dorë nga dokumentari, dashuria e parë. “Pula e Komshiut” (’15) është një film dokumentar i realizuar këtë vit, në bashkëpunim me Nerta Veliun dhe Lena Kocanis, studente e shkollës së filmit në Këln. Më tej erdhën festivalet, ai i ZagrebDox, Festivali i Filmit Dokumentar më i madh në rajon, Docu-Fest në Prizren, Festivali i të Drejtave të Njeriut në Glasgou etj.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama