Filmi i shkurter kaq shume gjykim subjektiv

Filmi i shkurter, kaq shume gjykim subjektiv
Shqipëria është një vend që nuk ka traditë prodhimi për filmin e shkurtër por as është përpjekur seriozisht të krijojë një të re. Nga historia e re e kinemasë sonë e cila nis me themelimin më 1997 të Qendrës Kombëtare për Kinematografinë dhe me filozofinë e financimit të subjekteve private nga fonde publike, dimë se prej vitit 2002 deri më 2011 janë prodhuar afro 30 filma të shkurtër.

Kjo është një gjini që përbën shkallën e parë të skermës për atë që kërkon me zemër të bëjë kinema. Treguesit për filmin e shkurtër shqiptar flasin për rezultate të papërfillshme, për përdorim pa efiçencë të burimeve njerëzore e financiare.

30 filma të shkurtër në 10 vjet nuk janë pak. Po ku janë? Prodhohen dhe nuk shfaqen; shfaqen vetëm një herë në kinema sa për të justifikuar për sy e faqe një pikë në marrëveshjen me Qendrën që i financon; nuk njohin ballafaqim me publikun e gjerë dhe shërbejnë si rrogoz i krijuesit mediokër për të ofruar groshën e radhës. Me një film në xhep ky krijues ka shanse për të fituar një projekt të dytë, e kështu secili me radhë deri në fund të jetës.

Po kur je rishtar në një konkurs, çfarë ndodh? Çfarë marrin parasysh gjykuesit e projekteve?

Më 2011 Qendra Kombëtare e Kinematografisë refuzoi kategorikisht të fusë në prodhim ndonjë nga 15 projektet për metrazh të shkurtër. I cilësoi të dobët.

Në mars 2012, Këshilli Miratues i Projekteve me kryetar Teodor Laçon, merr në dorë 17 projekte nga autorë të rinj dhe miraton tri: “Këmbëza” skenari dhe regjia Kelmend Karuni (i vlerësuar me 72 pikë, me vlerë financimi 1. 5 milionë Lekë); “Bunkeri”, skenari Roland Gjoza, regjia Suela Demiraj (60 pikë, 1. 9 Lekë); “Simon”, skenari dhe regjia Xhoslin Rama (60 pikë, 1. 9 milionë Lekë). QKK e ktheu mbrapsht vendimin dhe e kaloi edhe njëherë për diskutim te këshilli i sapokrijuar që përbëhet nga Elvira Diamanti (kryetare), Bashkim Hoxha, Ergys Faja, Esat Ibro, Nasi Lera, Skerdi Mahmutaj dhe Ylli Pepo. Ata kualifikuan 8 dhe prej këtyre, më 7 qershor, shpallën fitues: “Ndjenja informale”, skenari dhe regjia Lorena Beci, producent “Onfilm Production” (92 pikë); “Më në fund në shtëpi”, skenari dhe regjia Kreshnik Saraçi, producent Niko Treni (78 pikë); “Parking”, skenari Renato Kalemi, regjia Klajd Papadhimitri, producent “Papadhimitri Film Production” (76 pikë) dhe “Simon”, skenari dhe regjia Xhoslin Rama, producent “Erëfilm” (70 pikë).

Nuk është ndonjë kënaqësi t’i japësh lexuesit emra dhe tituj që nuk i thonë ndonjë gjë. E gjejmë të nevojshme ta bëjmë këtë kur shumë vendimeve për fonde publike nuk u jepet zë publik dhe nuk ballafaqohen me të interesuarit. Nuk ballafaqohen as me atë qytetar i cili nuk e di që taksat që i vilen për shumëçka, shkojnë edhe për të bërë art ca njerëz që qytetari s’i ke takuar kurrë në jetë. Por ky besim mes të panjohurve, artist-qytetar, do të shpërblehej një ditë me një vepër të mirë arti, një film për së mbari për jetën.

Është e dukshme që rezultatet mësipërme për të njëjtat projekte nga borde të ndryshme, nuk përputhen. Bordi që kryeson Diamanti nxjerr fitues me pikë gati maksimale një projekt që bordi i Laços s’e ka kualifikuar. Dy projektet e tjerë fitues në bordin e ri, del që s’ishin llogaritur në bordin paraardhës.

Si është e mundur qëndrime kaq të skajshme?

Në të dyja rastet vlerësimi është bërë me pikë, në zbatim të Rregullores së QKK-së. Këshilli diskuton aspektet artistike dhe financiare të projekteve e më pas procedon me votim të fshehtë. Aspektet financiare janë punë e matematikës dhe QKK e konsulton paraprakisht këtë anë të projektit.

Mbetet të dimë se çfarë aspektesh artistike diskuton ky bord ku e vetmja gjë konkrete që anëtarët kanë në dorë për gjykim është skenari.

Në Redaksinë e “Shekullit” erdhi një letër në të cilën autori i ka kërkuar disa muaj më parë Qendrës Kombëtare Kinematografike, kryetarit të saj Artan Minarolli, se çfarë kritereve u është nënshtruar projekti i tij. Letërshkruesi është regjisori Sokol Keraj. Ai ka konkurruar me projektin “Zogu” (skenari dhe regjia Sokol Keraj, producent “Bunker Film +”, kompani që drejtohet nga Piro Milkani). Projekti nuk ka fituar. Por problemi që shtron Keraj mbetet, sepse nuk është personal.

Sokoli është autor i filmit “Dita e fundit e Loro Shestanit” që u prezantua në kinema Millenium në dhjetor 2011. Është ndoshta realizimi më i mirë i prodhuar nga një autor shqiptar në gjininë e metrazhit të shkurtër e të mesëm në 20 vjet.

Për ata shumë që nuk do të kenë rast ta shohin, kujtojmë shkurt ç’është “Dita e fundit e Loro Shestanit” (bashkëprodhim shqiptar-rumun-bullgar-kolumbian) duke i mbetur atij gjykimi te “Shekullli” pas premierës (artikulli me titull “Të fala nga Laçi”): “Vizualisht dita e fundit është një tregim i fjalëpërfjalshëm i banalitetit të një njeriu që ka vendosur të mos zvarritet më: zgjohet, zhvishet lakuriq, lahet në banjën e rrjepur, rruhet, shihet në pasqyrë, pështyn veten, vesh kostumin, pi një kafe, hedh sytë nga portreti i të shoqes, përmbys filxhanin, hedh sytë jashtë nga vargu i pelegrinëve drejt një kryqi dhe me cigaren e fundit kryen aktin e fundit në apartamentin e tij parafabrikat në një qytet të vogël që nuk identifikohet gjëkundi si Laçi, një Bermudë, një trekëndësh i djallit, ndërmjet detit, uzinës së braktisur dhe kishës së Shën Ndout. Sokol Keraj, 35-vjeçar, ishte një emër i padëgjuar për publikun shqiptar deri në prezantimin e kësaj historie nga qyteti i tij i lindjes. Ky emër ka për t’u dëgjuar gjatë. Sokoli ka studiuar regji filmi në Bukuresht dhe gjatë kohës së shkollës ka realizuar gjashtë filma të shkurtër.

Ka jetuar në Bogota gjashtë vjet dhe është angazhuar me projekte të ndryshme të filmit artistik e dokumentar. E pohon që është i influencuar nga shkolla rumune e kinemasë që i hyn më këmbë detit të përditshmërisë njerëzore. Në rend me “Amnistinë” e Bujar Alimanit, për nga zhanri dramatik dhe stili i zhveshur realist, filmi i Sokol Kerajt fut në kinema lëndën e përditshmërisë shqiptare. Kinemaja e tranzicionit, – duke quajtur me këtë emër kinematografinë e kësaj periudhe social-ekonomike që kalon Shqipëria, me referenca të qarta tematike, – po shkëputet nga krijimtaria e paraardhësve po edhe e bashkëkohësve me një vetëdije që nuk e kemi parë. Kinemaja e të vërtetave të rëndomta mund të ketë jetëgjatësinë e kushteve ku lindet, por nga anën tjetër ajo përgatit për të kaluar në një stad zhvillimi më të lartë se ai ku e gjeti veten. Mbetet ta shohim në veprat e ardhshme të këtyre dhe të tjerë regjisorëve.”

Kujtojmë që ky projekt i Kerajt ishte skualifikuar dy herë nga bordet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Rastësi është që po këto borde kishin skualifikuar njëherë tjetër edhe “Aministinë” e Alimanit? Sepse u miratuan të tjerë projekte pa kurrfarë efekti, pa kurrfarë shqetësimi për të dyshuar për vendin dhe njerëzit ku jetojmë, krijime të verbra që ia shtrijnë kurrizin realitetit ku jetojmë.

Pyetjes për kë donit ta bënit këtë film, “Dita e fundit e Loro Shestanit”, Sokoli do t’i përgjigjej: “Për veten. Shumë njerëz pyesin veten pse? Lidhja me vetëvrasjen është gjithmonë rreth Pse-së. Unë në këtë film pyes veten si? Si arrin njeriu, ai njeri zhovial në pamje të jashtme, i fortë? Ku është në fakt limiti ndërmjet jetës dhe vdekjes, sa zgjat, kur fillon, si zhvillohet, kur mbaron? Është diçka e jashtëzakonshme apo është një zgjatje e banales dhe e të përditshmes ky kalim drejt vdekjes? Sepse ky personazh kishte një banalitet të përhershëm, të përditshëm, kur në një moment të caktuar bëhet i jashtëzakonshëm përmes aktit të tij.”

Sokoli jeton larg Shqipërisë, por kjo është një distancë gjeografike. Mënyra e tij e të bërit kinema duhet marrë si shenjë për t’u shqetësuar e për të zbuluar, dëgjuar e për të mbështetur të tjerë si ai, këtu, apo atje ku janë, në mërgim, e që duke riardhur sjellin me vete përvoja që përbëjnë pasuri për kinemanë tonë, për botën tonë që duhet shkundur, duhet futur në krizë.

Pyetja, çfarë vlerash gjykojnë këshilltarët e projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, pret një përgjigje. Nëse kjo përgjigje nuk vjen në të ardhmen, atëherë ajo lë në fuqi gjykimin subjektiv. Ai vendos. Gjykimi subjektiv është hallka më e vajisur në mjedisin tonë të ngushtë ku “të gjithë marrin në një çanak”. Gjykimi subjektiv përligj shijet personale, po aq sa përligj sugjestionimin e këshillave, bordeve, komiteteve nga mbiemrat e konkurrentëve, nga epimi te ta i hijes së baballarëve.

Letra

I dashur z. Minarolli,

Shpresoj të jeni mirë me shëndet dhe me punë.

Z. Milkani më njoftoi për vendimin e bordit dje, dhe gjithashtu më tregoi për mbështetjen që projekti im “Zogu” pati nga ana juaj.

Përfitoj nga rasti t’ju falënderoj për dashamirësinë dhe vullnetin e mirë.

Pashë se u ishin akorduar edhe disa pikë projekteve fituese. Mendoj se normale do të ishte afishimi i pikëve të të gjithë konkurrentëve si dhe sasia e pikëve sipas kategorive përkatëse, nëse ka patur të tilla si p.sh arsimimi i regjisorit, eksperienca akademike dhe profesionale, pjesëmarrje në festivale dhe çmime të fituara, përmbushjen e “standardeve” artistike, ekonomike, ligjore dhe kohore në lidhje me QKK-në për projektet e mëparshme, gjetjen e mbështetjes financiare dhe bashkëproducentëve të ndryshëm, paratë e marra nga QKK dhe shumëfishimin e tyre në projektet e realizuara, promovimi i filmave, skenari, platforma regjisoriale etj. etj. Pra këto vendime nuk mund të mbeten kurrsesi arbitrare, e kuptoj dozën e subjektivitetit në lidhje me skenarët, por ka shumë kategori objektive në këtë dhënie pikësh, pra këto dhënie pikësh me votim të fshehtë mund t’i përkasin, e përsëris vetëm skenarit, po pjesa tjetër ku është?

Nuk më çuditi aspak vendimi, por parimi i veprimit. Duhen krijuar mekanizma mendoj që këto punë të kenë njëfarë transparence.

Kam përshtypjen se me ardhjen tuaj në krye të QKK-së gjërat filluan të marrin për mbarë, duke patur parasysh gjithë sukseset e vitit të kaluar.

Në krye të fituesve pashë dikë, të cilin ma kishin rekomanduar për asistent regjie. Kur e takova më tha se kishte studiuar në Bukuresht për regji filmi, pra i binte që të kishte qenë shok klase me mua… kështu përrallash shesin njerëzit dhe kulmi është se këta edhe fitojnë.

Mendoj se është detyrim moral dhe profesional t’ju shpreh disa nga mendimet e mia.

Ju falënderoj edhe një herë
Sokol Keraj

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama