Filmi i ndaluar per zgjedhjet ne Bjellorusi premiere ne Tirane

Filmi i ndaluar per zgjedhjet ne Bjellorusi premiere ne Tirane
Më 19 dhjetor të vitit 2010 Aleksandër Lukashenko u rizgjodh President i Bjellorusisë në një garë të manipuluar, që pasoi me protesta, të cilat u shtypën me brutalitet nga qeveria. Janë pikërisht këto ngjarje që sjell në dokumentarin e saj Ekaterina Kibalchich, titulluar “Ëndrra bjelloruse”. Filmi i parë i pavarur, i ndaluar në Bjellorusi, u shfaq mbrëmë në Akademinë e Filmit “Marubi”.

Regjisorja Ekaterina Kibalchich, gazetare në profesion, ka përdorur edhe pamje origjinale të mbulimit nga mediat të zgjedhjeve dhe protestave që pasuan në Minsk. Në vetëm 60 minuta ajo arrin të na japë një pasqyrë të artë të politikës bjelloruse që nga viti 1991, duke u përqendruar në zgjedhjet e 2010-ës dhe pasojat e tyre. Pyetja që shtrohet është se çfarë ndodh më pas.

Autori pranon se edhe pa Lukashenkon, Bjellorusia nuk do të ndryshojë brenda natës dhe është pak skeptik ndaj opozitës bjelloruse dhe politikanëve perëndimorë. Megjithatë, fundi është “Ëndrra bjelloruse”. Producenti i filmit, Anton Kurhanovich, ka ardhur nga Minski për të prezantuar filmin “Ëndrra bjelloruse” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Në intervistën e tij për “Mapo”-n ai rrëfen pak nga prapaskenat e xhirimit dhe premierës sekrete me një grup të ngushtë miqsh në një holl të improvizuar. Asnjë lajmërim publik, gjithçka u mbajt sekret, derisa filmi mori rrugën e suksesit në festivale ndërkombëtare jashtë Bjellorusisë. “Ëndrra bjelloruse” ka fituar çmimin e Organizatës Botërore kundër Torturës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit 2012, çmimin e Forumit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe atë të Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut në Poloni.

Përse ky film është censuruar në Bjellorusi?

Nuk është censuruar, por është ndaluar nga mediat zyrtare, sepse në Bjellorusi ekziston vetëm media zyrtare. Gjithçka që nuk vjen nga burime zyrtare apo qeveritare nuk shfaqet në media, nuk promovohet. Pas asaj që ndodhi me zgjedhjet e 2010-ës dhe protestat që pasuan, ne e kishim parashikuar një gjë të tillë, që nuk do të na lejohej ta shfaqnim filmin.

Po janë dhe mediat private. Edhe atje ua mbyllën dyert?

Media private është pak e përhapur në Bjellorusi. Janë disa kanale dhe disa gazeta të vogla të pavarura, që dhe ato përballen  çdo ditë me presionin e vazhdueshëm të qeverisë. Edhe stacionet radiofonike janë të gjitha private, por ato më së shumti transmetojnë emisione argëtuese, sepse duan të mbijetojnë. T’ju tregoj një shembull. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2010-ës një stacion radiofonik dha në transmetim direkt platformën politike të kandidatëve dhe që të nesërmen ajo radio u mbyll. Për të mbijetuar, mediat ose duhet të jenë në mbështetje të qeverisë, ose të mbyllen.

Publiku bjellorus nuk ka pasur mundësinë ta shohë këtë film as në kinema. Nuk ka pasur një premierë në Minsk?

Jo, nuk është shfaqur as në kinema, por bjellorusët e kanë pasur mundësinë ta shohin atë në YouTube. Interneti është i hapur dhe të gjithë kanë akses për ta parë filmin në faqen e YouTube, ku ne e kemi hedhur. Kur realizuam filmin menduam edhe për premierën. E organizuam në fshehtësi të plotë. Nuk bëmë asnjë njoftim publik, gjithçka u organizua në sekret të plotë, në një holl të improvizuar me pak miq e të njohur. U mblodhëm rreth 80-100 persona për të parë dokumentarin që ne kishim realizuar.

Ju thatë që e dinit që në fillim se ky film do të ndalohej të shfaqej për shkak të tematikës që trajtonte. Kur lindi si projekt ky film dhe kur vendosët të fillonit xhirimet?

“Ëndrra bjelloruse” është filmi i parë i pavarur. Xhirimet kanë filluar pak ditë pasi ndaluan protestat, të cilat u shtypën brutalisht. Zgjedhjet dhe manipulimi i tyre ishin çështja e ditës në Bjellorusi. Regjisorja Ekaterina Kibalchich e mori shumë për zemër këtë film, sepse ashtu si të gjithë ne e kishte përjetuar atë situatë. Ideja ishte e regjisores, një ide që u mbështet edhe nga unë si producent. Unë i përkas atij brezi që është rritur nën Bashkimin Sovjetik, ishim të rinj kur përjetuam Perestrojkën dhe pas kësaj kaluam vite të tjera nën një regjim që u kthye në totalitar autokratik. Të gjithë i përkasim këtij brezi.

Tek ai i riu nga Minski (personazhi i filmit) është secili nga ju?

Gjithçka tregohet përmes një të riu nga Minski. Ai është përfaqësues i gjithë gjeneratës së tij. Ai nuk rrëfen thjesht eksperiencën personale, por rrëfen atë që kaloi gjithë brezi i tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama