Filmi i Xhuvanit premiere ne Tirane

Filmi i Xhuvanit, premierë në Tiranë
Pas Prishtinës, filmi më i ri i Gjergj Xhuvanit vjen premierë në Tiranë. "Lindje, Perëndim, Lindje", një histori e vendosur në prag të rrëzimit të diktaturës, do të shfaqet mbrëmjen e 4 nëntorit në kinema "Millenium". Një ditë më parë, më 3 tetor, ora 10:00 është menduar një projeksion i veçantë për median që do të pasohet nga një konferencë shtypi. Një prodhim italo-shqiptar, ky është i pari film i regjisorit Xhuvani që i sjell ngjarjet deri në fillim të viteve ‘90. Me një qasje tipike, deri më tani Xhuvani ka sjellë në ekranin e madh fenomene kryesisht shoqërore të diktaturës e të viteve të mëhershme.

"Lindje, Perëndim, Lindje" ndalet në ndërrimin e dy epokave. Rrëzimi i diktaturës dhe hapja ndaj botës, simbolikisht njohja e Perëndimit. Skenari është realizuar si një bashkëpunimin i Gjergj Xhuvanit me të atin e tij, shkrimtarin Dhimitër Xhuvani i ndarë veç pak kohë më parë nga jeta dhe Jani Durit. Pesë çiklistë, me në krye trajnerin e tyre, Ilo Zoto, në një ditë të vitit 1989 u vjen rasti të kalojnë për të parën herë kufijtë shqiptarë. Në Ministrinë e Sportit dhe Kulturës së asaj periudhe, mbërrin një letër e ardhur nga Europa, e cila fton çiklistët shqiptarë të marrin pjesë në një kampionat që do të organizohet në Francë.

 Ilo, interpretuar nga Ndriçim Xhepa, ishte një kampion i harruar. Nga ajo kohë e lavdishme i kishte mbetur vetëm pasioni i biçikletave, hekurishtet e të cilave i rregullon në një qoshe të tijën. Pesë çiklistë (interpretuar nga Helidon Fino, Gentian Hazizi, Lulzim Zeqja, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina) nën thirrjen e partisë mobilizohen për udhëtim. Drejt Perëndimit. Nisen me një anije mallrash në Itali. Do të shkonin në një garë çiklizmi, por në fakt mbeten rrugëve.

Në Itali dëgjojnë për protestat në Tiranë, për njerëz që hyjnë në ambasada, për shembjen e të shkuarës dhe nisjen e një ëndrre të re. E gjejnë veten të braktisur në Trieste. Zyrtarët e ambasadës shqiptare në Itali i humbin lidhjet me ta. Nuk shkojnë dot në Francë, por nuk dinë si të kthehen as në Shqipëri. Shteti nuk ekziston më. Trajneri dhe çiklistët nuk e prekin dot Perëndimin. Mbi biçikletë, do të udhëtojnë nëpër Jugosllavinë e asaj kohe për të mbërritur në Shqipëri. Xhirimet e filmit nisën në ambientet e Kinostudios në Tiranë, u zhvendosën në disa qytete shqiptare, në Maqedoni e Itali.

Që në fillimet e punës, regjisori Gjergj Xhuvani pranoi se nxitja për këtë skenar ka ardhur nga ngjarje që brezi i tij i ka përjetuar e i ruan të gjalla në kujtesë. Ashtu siç ka bërë edhe me filmat e tjerë të mëparshëm, "I dashur armik" apo "Parullat", edhe në këtë rast, janë zgjedhur disa karaktere njerëzore të cilëve u është veshur një histori simbolike për të aluduar mbi atë kohë. "Lindje, Perëndim, Lindje" së pari u shfaq për publikun kosovar.

Filmi i Xhuvanit çeli edicionin e parë të PriFilmf Fest që u mbajt në Prishtinë nga 23 deri më 30 shtator. Po në këtë festival u vlerësua me çmimin special të jurisë. Pas premierës së datës 4 nëntor në Tiranë, filmi do të bëjë edhe ciklin e shfaqjes për publikun e gjerë. Në konferencën e shtypit do të sqarohet edhe rruga e mëtejshme e këtij prodhimi italo-shqiptar duke iu referuar pjesëmarrjes në festivale botërore të kinematografisë, ku tentojnë realizimet kinematografike shqiptare të pas ‘90-ës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama