Filmi i Anri Sales 1395 dite pa te kuqe

Filmi i Anri Sales: 1395 dite pa te kuqe
Rrethimi i Sarajevës zgjati 1395 ditë. Nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996, mijëra qytetarë duhet të kapërcenin rrugët të kërcënuar nga snajperët përditë: për të shkuar në punë, për të blerë ushqim, për të parë të afërmit… Kamera ndjek një grua ndërsa përshkon rrugën e saj të zakonshme e njohur si Rrugina e Snajperëve. Në çdo cep, gruaja është e ekspozuar ndaj plumbave, dhe në çdo ndalesë duhet të bëjë mirë llogaritë për ta kapërcyer rrugën. Kjo grua që përcjell në ekran përvojën e traumës së rrethimit, është aktorja spanjolle Maribel Verdú (parë në “Labirintin e Panit” të Gulliermo del Toros). Udhëtimi i saj individual në kujtesën kolektive të qytetin përshkohet nga i njëjti ankth: kur një sarajevas duhej të kapërcente rrugën, duke ditur se është një shënjestër për snajperët serbë të vendosur në tarracat e ndërtesave, gjaku i ftohet, stomaku i dhemb, një top i rëndë si prej çeliku i bën gropë në bark, e kur ia merr vrapit, gjymtyrët i ndjen të mpira. Është i rrezikuar nëse nuk vrapon sa duhet edhe nëse nuk ecën ngadalë sa duhet. Për të mposhtur ankthin, gruaja në foto murmurin “Patetikën” simfonike të Çajkovskit.

“1395 Days without red” u konceptua si një projekt i përbashkët nga Sejla Kameric dhe Anri Sala, por rezultati është: dy versione të një filmi 1 orësh.

Duke ndjekur gruan e këtij kuadri, ritmi ndryshon sipas shpejtësisë me të cilën ajo ecën. Në shoqërinë e Çajkovskit përjeton përvojat e të tjerëve në vendet e ngjarjeve dramatike të asaj kohe që ndodhin sërish në të tashmen.

E kuqja e 1395 ditëve të rrethimit të Sarajevës ka të bëjë me një ligj të qarkullimit që sarajevasit duhet ta respektonin: jo rroba me ngjyrë të çelët. E kuqja duhet shmangur me çdo kusht sepse snajperi është si demi. Edhe laramanet nuk janë zgjidhje e mirë. Snajperi është i çmendur dhe si çdo i çmendur, i pëlqen lara-larat. Ndaj këshillohen veshjet gri, të kafta.

“Gjithë atmosferë dhe thellësisht prekës” e vlerëson Adrian Searle në artikullin e para dy ditëve në “The Guardian”. Në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Mançesterit (2-17 korrik) ku pati premierë botërore, filmi shfaqet në Whitworth Art Gallery (Mançester), krahas një numër projektesh prodhuar nga Artangel, filma dhe instalacione realizuar dekadën e fundit nga Francis Alÿs, Atom Egoyan dhe Catherine Yass. Në bashkëprodhim është përfshirë SCCA e Sarajevës. Deri më 4 shtator vazhdon shfaqja.

Duke qenë se Kameric dhe Sala kanë punuar në mënyrë të pavarur mbi të njëjtin material, të dy filmat mund t’i nënshtrohen edhe një krahasimi. Të dy artistët kanë filmuar të njëjtat rrugë, të njëjtën Orkestër Filarmonike të Sarajevës nën drejtimin e kompozitorit amerikan Ari Benjamin Meyers. Muzikantët luajnë “Pathetique”, simfonia e gjashtë e Çajkovskit me palltot veshur, si në vitet e rrethimit, në një ndërtesë të kohës së Titos që përdorej si një lloj rruge e brendshme.

Në versionin e Kamericit, nuk dëgjohen të shtëna, megjithëse ankthi që dikush do të qëllojë shfaqet në sytë dhe në mollëzat e futura të aktores Maribel Verdú. Në versionin e Salës, në sfondin e të njëjtit veprim i filmuar nga një kënd tjetër, dëgjohet një mori të shtënash por nuk sheh të vrarë.

Kameric dhe Sala kishin për të bërë një film të përbashkët, por mosmarrëveshjet i çuan që të punojnë veç e veç. Adrian Searle vë në dukje se rezultati janë dy filma njëorësh me të njëjtin titull, të njëjtin mjedis, me të njëjtët sarajevas, të cilët të gjithë e kanë provuar rrethimin. Janë të njëjtët muzikantë dhe i njëjti dirigjent, e njëjta aktore. “Kjo është e gjithë atmosfera dhe vendi, evokimi i frikës dhe shpirtit, përjetimi i çasteve, humbjes dhe shpresës. Të dy filmat janë një lloj kthimi, një dyfishim i kujtesës dhe pranisë… një shëtitje e përsëritur, një simfoni e interpretuar sërish, një rrethim i dytë, jetë të jetuara dy herë”. Autorit të “The Guardian” i duket pak problematike për shikuesin shfaqja e filmave njëri pas tjetrit.

Në një tjetër kritikë për filmin, Deanna Delamotta shkruan: “Shkoni ta shihni nëse ju intereson arti i kinemasë dhe nëse tregoni interes për gjyqin e krimeve të luftës në Hagë ndaj serbit Ratko Mladic. Mladic është akuzuar se ka urdhëruar vrasjen e mijëra civilëve gjatë rrethimit, një nga krimet më të egra të luftës dhe rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në luftën moderne. Mos shkoni ta shihni nëse nuk e duroni dot një film pa dialogë. Mendoj që kjo ishte arsyeja që disa njerëz u larguan kur unë isha atje.”

Sejla Kameric (Sarajevë, 1976) jeton ndërmjet Sarajevës dhe Berlinit, qyteti ku jeton prej disa vitesh edhe artisti shqiptar Anri Sala (Tiranë, 1974). Me punët e saj, fotografi dhe video, reflekton mbi pasojat e regjimeve komuniste në Ballkan, bën një kërkim në çështje të identitetit të këtyre vendeve sot. Vetë Kameric e ka kaluar adoleshencën në rrethim. Ajo ka ekspozuar disa herë në Tiranë, në kuadër të Bienales së Tiranës. autori tjetër, Anri Sala, me rastin e kësaj premiere botërore të filmit “1395 ditë pa të kuqe”, prezantohet si një nga artistët e rinj të shquar të momentit. I rritur nën regjimin komunist, në fillimet e karrierës ndërkombëtare, Sala realizoi filmin e shkurtër “Intervista” ku personazh është nëna e tij, për devocionin e saj entuziast ndaj regjimit të Enver Hoxhës

Festivali

Manchester International Festival, prezanton punë të reja, ngjarje të veçanta nga fushat e muzikës, kinemasë, teatrit. Janë një ofertë jo vetëm për Britaninë por për një rang botëror të artit. Një nga të rejat interesante të këtij festival, është prezantimi i “Biophilia” nga Bjork, ndër punët e saja më ambicioze që ka realizuar deri më sot. Një projekt multimedial që merret me funksionin e tingullit në natyrë, eksplorimin e hapësirës pa fund të universit, nga sistemet planetare te struktura atomike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama