Filmi Bota konkurron ne Sofia International Film Festival

Filmi 'Bota' konkurron ne 'Sofia International Film Festival'

Filmi “Bota” me skenar dhe regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit konkurron në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Bullgari, duke shënuar deri tani dhjetë pjesëmarrje në festivale të filmit në botë.

“Sofia International Film Festival” këtë vit mbërrin në edicionin e 19-të, dhe zhvillohet nga data 12 deri më 15 mars. Filmi shqiptar “Bota” konkurron në garën zyrtare të seksionit të Filmit Ballkanik, ndërsa garojnë filma nga Serbia, Bosnja, Kroacia etj. Lista e filmave bashkë me filmin shqiptar “Bota” përfshin edhe “Aferim”, “Come to my voice”, “Hombre”, “Love Island”, “Sivas”, “These are the rules”, “Travelator”, “Why Me”, “Xenia” etj. Në film luajnë aktorët: Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Erand Sojli, Guljelm Radoja dhe Alban Ujkaj.

Projekti i filmit “Bota”, i aprovuar për financim në vitin 2011 nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ka marrë edhe mbështetjen e “Eurimages”, por edhe bashkëprodhuesve evropianë. Më herët mbi filmin, regjisorja Iris Elezi ka pohuar se ka qenë një punë kolosale e kompanive “EraFilm e PMI, I's Continuum & Flex Video”; producentëve Sabina Kodra, Andrea Stucovitz e Burim Berisha, si dhe e aktorëve që janë protagonist.

Ndërkaq që Robert Budina njëri nga producentët, thekson faktin se tashmë filmi është në rrugën e tij dhe ka marrë pjesë në disa prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë. “‘Bota’ konkurron dhe në seksionin e filmit ballkanik në ‘Sofia International Film Festival’, një festival i rëndësishëm ku garojnë filma nga regjisorë të njohur, dhe arrin me këtë pjesëmarrje konkurrim në 10 festivale”, ka pohuar producenti Robert Budina për mediet.

“Bota” rrëfen Shqipërinë e ditëve të sotme, fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C. Skena ku regjisorja Iris Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e 3 personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama