Filmat shqiptare ne ekranin e madh kinez

Filmat shqiptarë në ekranin e madh kinez

"Njësiti gueril" është mjaft i preferuar edhe nga audienca kineze. Vetë fakti që këta filma kanë në qendër të tyre luftën e kryer ndaj pushtuesve, nuk mund t'i linte pa tërhequr vëmendjen edhe shikuesit kinez.

Subjekti i filmit
Është mbështetur mbi romanin me të njëjtin titull dhe pas një pune jo pak të lodhshme, duket mëse i kënaqur që ka mundur të sjellë për të gjithë një krijim artistik tepër të bukur. Regjisori i njohur Hysen Hakani thekson se ky nuk ka qenë filmi i tij i parë, por njëri ndër filmat shumë të preferuar të tij.

"Edhe pse kryesisht ideja dhe skenari u bazuan mbi romanin me të njëjtin titull, që kishte kohë që kishte dalë, unë përsëri u frymëzova edhe nga dy heronjtë kryesore të filmit. Një hero i vdekur dhe tjetri i gjallë që ishte po aq i madh, por për fat nuk u vra. I pari për të cilin flas është "Heroi i Popullit" Vojo Kushi", tregon Hakani.

Tjetri është Myslym Keta, por që vetë Hakani i kishte vënë vetes detyrë që të jepte pjesë nga ato që ai ka bërë. "Çudia më e madhe është që njeriu kalon një luftë të re dhe nuk vritet, por vdes aksidentalisht me makinë. A nuk e meritojnë këta aktorë një film? Të dy heronjtë kryesorë të filmit kanë bërë edhe shumë heroizma të tjera, por që një film nuk arrin t'i përmbledhë dot të gjitha bëmat e tyre", shton Hakani.

E përbashkëta
"Kina dhe Shqipëria, edhe pse dy vende shumë larg njeri-tjetrit, përsëri kanë qenë dy prej vendeve heronj në luftën ndaj pushtuesve fashistë. Kina në luftë ndaj pushtuesve japonezë, ndërsa Shqipëria ndaj fashistëve italianë dhe gjermanë. Kjo luftë e bën edhe më të përbashkët atë se ç'kanë këto dy vende", rrëfen producenti i programit "Magjia e filmave artistikë" në televizionin qendror kinez "ÇTV", Cin Yongyuan. Ngritja e çetave partizane, lufta për pavarësi, nderimi i heronjve dhe respekti ndaj fëmijëve, të cilët rrezikuan për shpëtimin e vendit, është ajo që nuk mund të harrohet nga të dyja vendet. Producenti Youngyuan, rrëfen se i ka parë disa herë filmat shqiptarë, dhe për këtë shkak ata janë bërë edhe më të dashur për të. Madje ai rrëfen se kanë qenë vetë këta filma, të cilët i kanë dhënë spunto për t'u ulur dhe nisur punën deri në shfaqjen e këtij programi special.

"Oshtima në bregdet"
Pas filmit "Ngadhënjim mbi vdekjen" dhe "I teti në bronz", ka qenë filmi tjetër i njohur shqiptar "Oshtimë në bregdet" ai që ka zënë radhën e maratonës së programit "Magjia e filmave artistikë".

Krijimi i filmit
 Në krijimin e këtij filmi, një nga elementët kryesorë është deti, pasi bëhet fjalë për një familje peshkatari dhe personazhi kryesor madje del për peshkim.

Lëviz buzë detit, punon me varkën dhe shumë skena zhvillohen në bregdet. Regjisori i njohur Hysen Hakani, i cili është edhe shtylla kryesore e këtij filmi, bën të ditur se tema e filmit 'Oshtimë në bregdet' është marrë nga drama e autorit Sulejman Pitarka, por skenarin e kanë zhvilluar bashkërisht.

"E mora këtë skenar pasi kishte një ide tepër të madhe, një mesazh të madh ku thuhej se shqiptari i ndershëm, patriot, harron gjithë hallet familjare dhe mbi të gjitha vë interesat e atdheut dhe atë që për ne shqiptarët është më e rëndësishmja, lirinë.  Filmi bën fjalë për një familje të varfër peshkatare, e cila kapet pas hallit të përbashkët të shqiptarëve, të degdisjes së okupatorëve të vendi", rrëfen Hakani.
Vështirësia e skenarit

Rreziku i realizimit të filmit ishte në ndërtimin e tij mbi një dramë të shfaqur prej vitesh dhe me sukses. A do të arrihej të ngrihej ky film mbi këtë dramë, apo filmi do të mbetet nën të, pasi atëherë nuk kishte kuptim pse ta realizoje.
Por puna e regjisorit Hakani dhe ajo e Sulejman Pitarkës bënë që të eliminoheshin të gjitha dialogët e shumtë dhe të ngrihej më këmbë skenari aq shumë i mirëpritur.

Ndryshimet u bënë rrënjësorë, pasi kishte shumë ngjashmëri me dramën 'Familja e peshkatarit', dramë ku edhe personat kryesorë u mbështetën në ngritjen e këtij filmi të njohur.
"Madje aq shumë u pëlqye ky film, saqë u dekorua", shton Hakani.
Në këtë film, u futën mjaft aktorë të rinj, pasi u duhej lënë vend të gjithëve dhe për më tepër që asnjë aktor nga ata që kishin marrë pjesë në dramë nuk ishte pjesë e filmit për të mos rrezikuar.

Aktorët
 Nuk kanë qenë të gjithë të rinj në këtë film të suksesshëm. Madje disa prej tyre kanë qenë edhe emra që i kanë dhënë më shumë se askush skenës shqiptare.
Hysen Hakani flet për zgjedhjen e Pavlina Manit, e cila asokohe ishte në aksionet e rinisë. "E pashë dhe mu duk tip interesant për pjesën e skenarit që unë kisha për të realizuar. E futa në pjesën që kisha zgjedhur dhe u befasova kur ajo e luajti shumë mirë.
Madje tashmë ajo është një nga ikonat e skenës shqiptare dhe bashkëshortja e regjisorit tjetër të njohur, Piro Mani", tregon Hakani.
Bashkëpunimi shqiptaro-kinez
Realizimi i filmave shqiptarë ka patur për bashkëpunim edhe regjisorë kinezë, por ndonjëherë edhe ndonjë aktor kinez ishte i pranishëm, ndonëse shumë rrallë dhe në ndonjë rol fare episodik. Në përgjithësi bashkëpunimet, sipas Hakanit, kanë qenë të natyrës teknike. Kryesisht filmi i regjistrimit dhe aparaturat vinin nga Kina dhe përdoreshin në kinostudion "Shqipëria e Re", një punë dhe një bashkëpunim që pati vërtet sukses, duke patur parasysh edhe shfaqjen e filmave shqiptarë në kinemanë dhe ekranin më të madh të televizionit kinez për shikuesit e tij.

Edison Myrteza  Hermesnews.org


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama