Filmat ballkanas pushtojne Pogradecin

Filmat ballkanas pushtojne Pogradecin
Ceremonia e çeljes së Festivalit të Filmit dhe Kulinarisë organizohet sot në mbrëmje, me projeksionin e filmit “Maya” të regjisorit Pluton Vasi. Ndërsa në ditën e parë të festivalit do të shfaqen filmat kroatë.

Qyteti i Pogradecit mirëpret sot edicionin e parë të Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë. Festivali do të vazhdojë deri më 4 shtator. Të gërshetuar në këtë festival do të jenë filmat bashkë me shijen dhe kulturën ballkanike. 60 filmave të zhanreve të ndryshëm që do të projektohen në një kinema të hapur në qytet, u shtohen edhe gatimet tradicionale të shteteve ballkanike të cilat do t’i japin më shumë shije festivalit. Ceremonia e çeljes do të organizohet sot në mbrëmje, me projeksionin e filmit “Maya” të regjisorit Pluton Vasi. Në ditët në vazhdim janë programuar për t’u shfaqur mbi 60 filma të shkurtër dhe artistikë nga nëntë vende si Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Greqia.

Mes filmave që do të shfaqen, do të ketë filma eksperimentalë, dokumentarë, të animuar, por edhe artistikë. Për ditën e parë të festivalit i është lënë stafeta Kroacisë. Do të jenë shtatë filma me metrazh të shkurtër dhe dy filma me metrazh të gjatë, të cilët do të shfaqen më datë 30 gusht. Në mesin e filmave kroatë janë “Një natë e bukur në Split”, i regjisorit Arsen Ostoviç, si dhe “Posta e Kufirit” nga Raiko Gërliç. Filmat do të fillojnë të shfaqen në orën 11:00 të paradites për të vazhduar më pas në orën 16:00 dhe 21:00. Ideja që lindi muaj më parë mes regjisorit Eno Milkani dhe gazetarit Fatos Baxhaku bëri të mundur konkretizimin e festivalit. “Para një viti kam qenë i ftuar në një festival të ngjashëm në Rumani. Ishte shumë i vogël, intim dhe në fund nuk u ndanë as çmime. Shërbeu si një takim i njerëzve të filmit nga vende të ndryshme të Ballkanit, ku për një javë u gjendën bashkë buzë lumit Danub, 400 kilometra larg Bukureshtit.

Mes shfaqjeve të filmave prezantoheshin gatime tradicionale të këtyre shteteve. Kur u ktheva, u tregova miqve të mi për këtë aktivitet, duke menduar se do të ishte mirë që një i tillë të organizohej edhe në Shqipëri. Duke e zhvilluar idenë, besuam se një vend më të mirë se Pogradeci nuk mund të kishte me liqenin afër. Meqenëse me Fatos Baxhakun do të realizonim një dokumentar në Pogradec, folëm me kryetarin e bashkisë, Artan Shkëmbi, të cilit i pëlqeu kjo ide dhe e mendoi të realizueshëm këtë festival. Kjo na ngacmoi t’i viheshim më tej punës, të hartonim një program, të ftonim të njohur, por edhe të tjerë për të qenë në juri e në këtë mënyrë, për të njohur më mirë njëri-tjetrin”, thotë Eno Milkani. Qëllimi i festivalit është përfaqësimi i kulturës së vendeve ballkanike nëpërmjet filmave.

Ky ka shërbyer edhe si një kriter për të gjithë filmat e kërkuar. Festivali nuk merr përsipër të ndryshojë kursin e historisë, por të njohim më mirë njëri-tjetrin”, shprehet Milkani. Ndërsa Fatos Baxhaku thotë se “ky është një aktivitet shumë i veçantë edhe pse jo shumë pompoz. Është një takim mes miqsh ballkanas. Ne jemi munduar të bëjmë atë që politika nuk e ka bërë”. Baxhaku i referohet edhe shprehjes së vjetër se “ata që hanë bukë në një sofër, bëhen edhe më miq”. Sipas tij, ky festival është një shans i mirë për t’u njohur edhe me regjisorët e rinj nga Ballkani. Për gazetarin e emisionit “Fiks Fare”, Gent Pjetri, “ky festival është një format shoqëror, artistik dhe për më tepër, miqësor. Me anë të këtij aktiviteti synohet të bëhet art për art, ndryshe nga festivalet e tjera që janë vetëm komercialë”. Në konkurrim, përveç disa filmave të shkurtër, nga Shqipëria është zgjedhur “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, një film që i vendos ngjarjet mes Pogradecit dhe Tiranës.

Programi parashikon edhe filma të tjerë që sjellin histori shqiptare, siç është “Përtej liqenit” i regjisorit Antonio Mitrikeski, i cili e merr fillin nga një dashuri mes një maqedonasi dhe një shqiptareje, një lidhje që do të pasojë shumë peripeci, apo filma të tjerë me tematikë sociale siç janë një grup filmash eksperimentalë nga Greqia. Të ftuarit do të jenë të përfshirë edhe në aktivitete të tjera argëtuese si peshkim, një shëtitje në Volorekë, Lin apo ndonjë piknik siç bëjnë vendasit”, thotë Milkani. Mes projeksioneve të filmave, të pranishmit do të shijojnë gatime tradicionale të shteteve që marrin pjesë në këtë festival, si dhe përreth kinemasë do të ketë stenda ku do të ekspozohen prodhime tradicionale. Juria e përbërë nga aktori francez Pajam Maxhlesi, aktori rus Evklid Kurxhizis, gazetarja Ane Pulsen, e cila ka qenë në vitin ‘98 në Shqipëri, skenaristja dhe gazetarja italiane Maria Pia Ebreo, Iva Dobrovcka, producente ekzekutive filmash nga Çekia, historiani dhe studiuesi Karl Kaser nga Austria dhe Maria Koropova nga Rusia do të zgjedhin prodhimet më të mira. Çmimet që do të ndahen, nuk do të jenë në vlerë monetare por do të jetë një pjatë prej qeramike e punuar në mënyrë artizanale, që tregon një tjetër mënyrë shprehjeje të kulturës. Festivali do të jetë i hapur për të gjithë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama