Premierat e filmave më të rinj shqiptarë janë e vetmja "festë" për 10-vjetorin e themelimit të Qendrës Kombëtare Konematografike. U bë një dekadë plot që nga dita kur mbi bazën e "Ligjit pë Kinematografinë" u krijua QKK, si një institucion kombëtar i pavarur.
Pavarësisht refuzimit të festave të këtij lloji, QKK, e ka futur pak dorën në xhep për këtë rast dhe një shpenzim të vogël e ka bërë. Ditën e diel zhvillohet një spektakël me mbështetjen financuar nga QKK, e cila nuk ka hezituar të ndihmojë një aktivitet ku përsëri filmi është sebepi. Bëhet fjalë për një mozaik me muzikë filmi kompozuar nga Aleksandër Peçi.
Sipas kryetarit të Qendrës, Xhevdet Feri, festa më e mirë është shfaqja e 4 premierave që realizohen së shpejti në Tiranë. "Nuk kemi as mundësinë dhe as para për të zhvilluar dasma të tilla, ndaj është më mirë të shfaqim ato që kemi", - thotë Feri. Qysh kur nuk mbahet mend, më në fund po ndodh që brenda një viti të prezantohen katër prodhime të reja kinematografike, a më saktë bashkëprodhime ndërkombëtare të filmit shqiptar që sipas Ferrit kanë për t'u shfaqur shumë shpejt. Kështu pritet premiera e filmi "Lutje dashurie" me regji të Artan Minarollit, ku interpretojnë violinisti Tedi Papvrami, Arta Dobroshi, Ndriçim dhe Margarita Xhepa, Sheri Mita, Mirush Kabashi etj. Ngjarjet e filmit me skenar të Ylljet Aliçkës vendosen në vitin 1992 në Berat dhe ka si strumbullar një konflikt fetar.
"Lehje nëpër natë", filmi i Spartak Pecanit, ku interpretojnë Ndriçim Xhepa, Ermela Teli, Neritan Liçaj, etj, është gjithashtu një nga filmat që priten të shfaqen.
Që nga koha e "Vdekja e kalit", i parit film televiziv i realizuar me frymën e një vepre arti pas "rënies së murit", rikthehet në ekranin e kinemasë emri i regjisorit Saimir Kumbaro. Ka përfunduar dhe pritet të shfaqet filmi "Ne dhe Lenini" ku interpretojnë Lazër Filipi, Elvira Diamanti, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, etj. Ngjarjet zhvillohen në një shtëpi të moshuarish, ku ngjashmëria e njërit prej bujtësve me Leninin, i përfshin të moshuarit në një "aventurë" nostalgjike.
I shfaqur pa përfunduar ende procesin laboratorik, gjatë Festivalit të Filmit Shqiptar, projektohet për publikun e gjerë edhe filmi i regjisorit Pirro Milkani, "Trishtimi i zonjës Shnajder", bashkëprodhim shqiptaro-çek. Interpretojnë Kreshnik Xhelilaj, Anna Geslerova, Ondrej Moravec, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, Michele Placido, Arta Dobroshi, etj.
Është drejt përfundimit edhe filmi me regji të Fatmir Koçit, "Koha e Kometës" bazuar në romanin "Viti i mbrapshtë" i shkrimtarit Ismail Kadare. Sipas drejtorit të QKK-së, Xhevdet Feri, pritet që kalendari të mbyllet në fund të këtij muaji, pasi të jenë mbyllur të gjitha kontratat dhe marrëveshjet mes producentëve dhe kinemave, ku do të shfaqen filmat. Prodhimet e reja shqiptare do të qëndrojnë në ekranin e madh nga dy javë secili, të alternuar me kalendarët e vetë kinemave.
Alma Mile :Gazeta Shekulli