Fati tek kodet e vjetra

Fati tek kodet e vjetra
“Ata ishin, ata. Po ti gjete rastin të lexosh pak…”. Vajza gjysmë e zhveshur mbyll derën dhe hyn në dhomë. Djali qëndron mbi shtrat me një libër në duar. Është duke prekur dy ëndrra, studimet dhe të dashurën. Ëndrra që ndërpriten në mes sepse një i çmendur nga fshati i të atit, kujtohet se përpara 60 vjetësh, gjyshi i studentit kishte vrarë dikë nga fisi i tij.

Është skena e parë e xhirimit të filmit “Gjallë” me regji të Artan Minarollit. Pasi i është dashur kohë e gjatë të kërkojë dhe të gjejë financuesit, bashkëproducentë të huaj, më në fund kamerat zbritën në sheshxhirim. Rrugë e gjatë i pret më tej. Janë plot 7 javë xhirime në Tiranë, në rrethina të saj, në Lurë (10 ditë) e Durrës. Shkëndijën filmi e merr nga tema e gjakmarrjes, por ngjarjet zhvillohen në ditët tona. “Gjakmarrja është vetëm një nxitje, por në të vërtetë flitet për fatin e individit, fatin e një djali të ri, një studenti, të cilit i pritet rruga dhe nuk mund të realizojë ëndrrën për të vazhduar studimet. Filmi zhvillohet në ditët e sotme dhe rrok të gjitha nivelet shoqërore. Po ka shtrirje edhe në hapësirë, duke përfaqësuar të gjitha zonat, që nga zonat rurale, tek pjesa më e kultivuar e shoqërisë në Tiranë, që janë studentët. Pra filmi pretendon të kapë një gamë sa më të gjerë të jetës sociale sot në Shqipëri”, - shpjegon regjisori pak minuta përpara se të rinisin xhirimet. Skena e parë u xhirua në një shtëpi tiranase, pas Piramidës, a më saktë në shtëpinë e regjisorit të ndjerë Gëzim Erebara.

Në korridorin e banesës, duket se janë mbledhur Kombet e Bashkuara. Njerëz që hyjnë e dalin, teksa komunikojnë në anglisht, frëngjisht, shqip… “Gjallë” do të jetë një film ku rreth 50% e buxhetit financohet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, ndërsa pjesa tjetër nga kompani filmike franceze dhe austriake. Aktorët janë të gjithë shqiptarë, por prapavija është shumëkombëshe. Stafi përbëhet nga 12 vetë me bashkëpunëtorë austriakë, francezë, gjermanë, maqedonas. Mes tyre dhe drejtori i fotografisë Jacques Bouquin.

Është çaku i radhës për episodin ku shfaqet e reja Niada Saliasi, e veshur pak “hollshëm”, e cila mbyll derën dhe drejtohet për nga i dashuri i saj, që është edhe personazhi kryesor i filmit. E përsërit dhe e ripërsërit frazën “Ata ishin, ata. Po ti…”. Duhet të jetë e natyrshme. Regjisorit Minarolli i duhet t’ia demonstrojë vetë mënyrën e të sjellurit vajzës simpatike. “Personazhi kryesor është në shtëpinë e së dashurës së tij, ku mësojnë e bëjnë dashuri. Është momenti përpara se të ndodhë kthesa e madhe në jetën e tij, përpara se të mësojë se është i kërcënuar nga gjakmarrja”, - thotë regjisori. Drama e personazhit nis në një ceremoni mortore. Ishte aty ku ai mëson se është në shënjestrën e një gjakmarrjeje të vjetër. Dëshira për të jetuar si gjithë të tjerët dhe frika nga vdekja përplasen brenda tij, duke krijuar situata të forta tensioni. Roli i studentit interpretohet nga Kreshnik Xhelilaj, të cilin e kemi parë të debutojë në filmin e Pirro Milkanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Dhe brenda një kohe të shkurtër, ky është i dyti rol kryesor për aktorin. Nga brezi i aktorëve të njohur, Minarolli ka zgjedhur Reshat Arbanën, Xhevdet Ferin, Bruno Shllakun e Tinka Kurtin. Më në “prapavijë” vjen një trupë e tërë të rinjsh, të cilët në fakt kanë popullaritet me serinë e parodive të quajtura “Portokalli” në ekranin e Top Channel-it. Ata janë Romir Zalla, Elvis Pupa, Marin Orhanasi, Gentian Zenelaj, Julian Deda, Ermal Mamaqi, Florian Binaj, Besart Kallaku.

Mundime paralele

Artan Minarolli sapo ka nisur xhirimet e “Gjallë”, ndërkohë që një tjetër film i tij pritet të shfaqet. Është “Lutje dashurie” me skenar të Ylljet Aliçkës dhe që duhej t’i ishte dhënë publikut me kohë. Regjisori Minarolli thotë se filmi ka përfunduar, por ka disa probleme teknike. “Ka probleme me zërin. Do të ketë një përpunim tjetër e pritet të shfaqet së shpejti.” Paralelisht me “Lutjet” i është dashur të “montojë” pjesët e nevojshme për realizimin e “Gjallë”, që nga gjetja e bashkëproducentëve, nënshkrimi i kontratave apo përpunimi i skenarit.

Të gjithë e duan Ferin

Përveçse ushtrisë së aktorëve të rinj, Minarolli i është kthyer edhe “bukës së vjetër”. Vlen të përmendet rikthimi pas vitesh i Reshat Arbanës, apo angazhimi i Tinka Kurtit. Ndër të tjerë dallohet edhe emri i Xhevdet Ferit, të cilin po e shohim ca më shpesh si pjesë të projekteve filmike. Pas “Dasmës së Sakos”, “pushoi” për ca kohë. Por me tu bërë kryetar i QKK, e cila miraton projektet filmike, nisi të angazhohet mirë. Për hir të së vërtetës ai është aktor me veti të spikatura. E kemi parë tek “Gjoleka, djali i Abazit” i Dh. Anagnostit, pritet ta shohim tek “Koha e kometës” i F. Koçit, dhe është zgjedhur nga Minarolli tek “Gjallë”.

Alma Mile
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama