Fati i njeriut te ri ne film

Fati i njeriut te ri ne film
Regjisori Isa Qosja mendon se kinemaja ballkanike po sheh me një optikë tjetër vitet e fundit. Subjektet e suksesshëm: ata që trajtojnë fatin e njeriut të tranzicionit.

Kinemaja shqiptare të heqë dorë nga e kaluara

Ceremonia e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës u mbajt dy net më parë në Amfiteatrin Romak në praninë e njerëzve të kinemasë, kulturës, përfaqësuesve diplomatikë.

Në natën e parë u shpërndanë çmime për katër njerëz të kinemasë shqiptare dhe u shfaq filmi "La vie en Rose" (2007) i regjisorit francez Olivier Dahan. Prezantuesi i festivalit, aktori Timo Flloko, ua dorëzoi trofetë e karrierës miqve të artistëve Dhimitër Xhuvani, Agim Qirjaqi, Bekim Fehmiu, Tinka Kurti.

Trofeun e shkrimtarit dhe skenaristit Dhimitër Xhuvani e mori në duar shkrimtari Nasi Lera, të aktorit Agim Qirjaqi kolegu i tij Bujar Kapexhiu dhe të Bekim Fehmiut e tërhoqi aktori Enver Petrovci. Emocione, kujtime dhe falënderime për kontributin që këta njerëz, të ndarë nga jeta dy vitet e fundit, i dhanë kinemasë shqiptare.

Më tej, të pranishmit ndoqën në ekran jetën tragjike të këngëtares së jashtëzakonshme franceze Edith Piaf, nën interpretimin e shkëlqyer të aktores Marion Cotillard. Dahan diti të rrëfente bukur në dy orë e gjysmë jetën e vrullshme të ikonës së muzikës franceze të shek XX. Nga ambienti i pasur i njerëzve të kinemasë iu drejtuam regjisorit Isa Qosja, president i jurisë ndërkombëtare, për të folur për kinemanë ballkanike dhe sfidat me të cilat po përballet.

Z. Qosja, po ju shkëpusim pak nga angazhimi që keni në këtë festival si kryetar i jurisë ndërkombëtare të filmit, për të folur për kinemanë ballkanike, nivelin dhe sfidat me të cilat ajo ballafaqohet këto vite. Mund të flas dhe të vlerësoj kinemanë ballkanike në atë nivel që e kam ndjekur dhe për prurjet e viteve të fundit. Mendoj se kinemaja ballkanike është në kërkim, një kërkim që duhet të intensifikohet më tepër.

Kurse kinemaja shqiptare rrethohet nga një ciklon. Kjo nuk është e dëmshme. Në Evropë pritet filmi shqiptar. Kemi shumë histori dhe ngjarje për të rrëfyer. Cilin film duhet të rrëfejmë? Filmin që ka në përmbajtjen e vet ekzotikën tonë, brengat tona, rezistencën tonë. Në rritjen e nivelit të kësaj kinemaje, mendoj që vendimtarë janë subjektet. Ata duhet të merren nga jeta dhe koha e sotme. Të duken të vërteta dhe të besueshme te njerëzit që i shohin.

Pra, regjisorët duhet të heqin dorë nga tema e së kaluarës?

Le të themi se i kemi mbetur borxh shumë historisë sonë. I kemi mbetur borxh ngjarjeve dhe rrëfimeve të së kaluarës. Ne kineastët duhet t'ia kthejmë këtë borxh.

Kjo gjë duhet realizuar duke mos e ekzagjeruar me temat e së kaluarës, duke mos e ngushtuar optikën tonë.

Jam i mendimit që optika duhet të zhvendoset drejt fatit të njeriut të ri. Te shqiptarët dominon mosha e re. Ata kanë shumë shqetësime, që shpesh nuk janë pjesë e subjekteve filmike. Fati i njeriut të ditëve tona është një temë e pashtershme. Ky subjekt i ka mbijetuar të gjitha kohërave.

Nuk duhet të jetojmë akoma me të kaluarën. Ato subjekte janë konsumuar në nivelin e duhur. Tani duhet të kërkojmë më tepër. Në këtë kërkim ndodh edhe që të jemi humbës. Motivet shqiptare i shohim në filmat tanë, por edhe të të huajve. Pikërisht në seksionin "Botë Ballkanike" kemi një film që trajton motivin e besës, dhe në atë "Vizione Bashkëkohore" kemi filma për gjakmarrjen

Motivi i Besës nuk i përket vetëm së kaluarës. Kur flasim për të kemi parasysh moralin e njeriut. Mund të jetë një motiv që trajtohet edhe në këtë kohë. Varet si e dizenjon një autor në film. Protagonisti i një filmi mund të jetë fare mirë një njeri që lind prej kësaj vlere. Ky hero, natyrisht, mund të jetë humbës. Edhe pse në këtë kohë shohim heronj të fortë, të robotizuar.


Këtë periudhë duhet ta kalojmë. Por, jam i mendimit që kineastët duhet të marrin personazhe nga jeta dhe koha që po jetojmë. Shihni kinemanë rumune. Në filma trajtohet ajo që i ndodh njeriut të sotëm. Njeriu në raport me pushtetin, me njerëzit e posteve. Këto janë tema të vendeve në tranzicion. Ne nuk i kemi trajtuar ende këto tema në kinemanë tonë.

Përballja dhe konfliktet sjellin një rrëfim të besueshëm. Filmi "Vdekja e zotit Lazaresku" ishte një film i shkëlqyer. Apo filmi i regjisorit Cristian Mungiu, "4 muaj, 3 javë, 2 ditë", fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës. Rumunët tani kanë hyrë në arenë dhe kineastët janë më të motivuar. Ata mund të mbijetojnë për një kohë të gjatë edhe me vepra mesatare.

Si e shpjegoni interesin e të huajve për motivet shqiptare?

E shoh këtë interesim edhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë. Ndërkohë, ne vuajmë brengat e kohës sonë. Të huajt e shohin të kaluarën tonë me një optikë tjetër.

Këtë vit, studentët tuaj, konkurrojnë në një seksion më vete në festivalin e filmit në Durrës. Si pedagog i regjisë në fakultetin e Arteve të Prishtinës, ç'mund të na thoni për nivelin e tyre?

Duhet ndarë çështja e fondeve nga niveli i tyre. Ata realizojnë projekte me mundësitë e veta. Interesimi i institucioneve për kinematografinë në Kosovë është në nivel shumë të ulët. E tërë Kosova merret tani me politikën. Aktorë tani janë njerëz të politikës, protagonistë janë njerëz të politikës, heronj janë njerëz të politikës. Humbës të paregjistruar janë kineastët. Filmi është art i shtrenjtë dhe ka nevojë për financa, për përkrahje, për vëmendje. Kjo nuk ndodh. Në Shqipëri ka një milion euro për tre projekte. Në një mënyrë ato janë ngushëlluese. Në Kosovë ndahen vetëm 300.000 euro në vit. Aty nuk është themeluar ende rrjeti i komunikimit, i bashkëpunimit dhe i produksioneve evropiane. Ende nuk janë vendosur ato ura.

Kurse, studentët janë akoma në nivelin e zbulimit të vetvetes. Të rinjtë kanë shumë perspektivë, kanë shumë informacione, por u duhet përkrahje. Po s'e patën këtë përkrahje, ngelen në një planet të vetmuar. Mendoj që opsionet politike për çështjen e statusit politik kanë sanksionuar të gjitha fushat e tjera. Dhe krijuesit, po nuk punuan, mësohen me një ritëm mjaft dëshpërues.

Cili është projekti që po merr kohën tuaj tani?


Ka 6 vite që unë përpiqem të realizoj një projekt që quhet "Bishti i qenit".
Këtë projekt e kam prezantuar edhe herë të tjera në qendra kinematografike.
Nuk e kam realizuar dot. Kam siguruar një bazë modeste të të hollave, por nuk mjaftojnë.

Nga Radio-Televizioni i Kosovës ka një premtim serioz që do ndihmohemi në hapat e parë, por mungojnë të hollat e tjera. Tani jam në përpjekje me një grup kineastësh, njerëz që në fakt e duan filmin dhe duan të realizohet ky projekt, për të gjetur rrugën e realizimit.

Një dokumentar për jetën e Milos Forman

Filmi i parë shqiptar "Tana" (1958) me regji të Kristaq Dhamos, nis sot ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu", në orën 10:00, rrëfehet historia e dashurisë mes Tanës me Stefanit. Filmi shfaqet në nderim të aktores Tinka Kurti, e cila mori çmimin e karrierës dy net më parë. Në nderim të aktorit Agim Qirjaqi, në Amfiteatrin Romak shfaqet në orën 20:30 filmi "Dasma e Sakos" (1998) me regji të Vladimir Priftit.

Në seksionin "Vizione Bashkëkohore" konkurron filmi "Animal Heart" (2009) me regji të Séverine Cornamusaz. Shfaqet në orën 23:00 në Amfiteatrin Romak. Kurse, në orën 22:00, në teatrin "Aleksandër Moisiu" konkurron: "Can go Through Skin" (2009) i Esther Rots.

Në orën 18:00, në ekranin e teatrit "Aleksandër Moisiu" vijnë dy filma të seksionit "Botë ballkanike". Fillimisht shfaqet prodhimi serbo-gjerman "Këtu dhe atje" ("Tamo i Ovde", 2008) me regji të Darko Lungulov. Në orën 20:00, shfaqet "Medalje nderi" ("Medal of Honor", 2009) me regji të Peter Netzer.

Në orën 12.00, prezantohet jashtë konkurrimit, filmi dokumentar "Milos Forman: Ajo çka s'të vret" (" Milos Forman: Co Te Nezabije", 2009) i regjisorit Milos Smídmajer. Jeta e aktorit çeko-amerikan mbetet burim frymëzimi për regjisorët. Smídmajer rrëfen pasazhe nga jeta e Formanit, mënyra e tij e të menduarit dhe karriera.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama