Falja e gjakut

'Falja e gjakut'
Filmi pati dje premierën për median, ndërkohë që prej datës 17 shtator do të shfaqet në të gjitha kinematë e vendit. Ajo që e dallon “Faljen e gjakut” është se tingëllon i vërtetë. Nuk ka sajesa letrare që kërcasin fort me realitetin shqiptar, as përpjekje për ta paraqitur këtë vend në një prapambetje të thellë duke i ikur synimit për ta bërë sa më ekzotik në sytë e një publiku të huaj

Kur regjisori amerikan, Joshua Marston, dhe skenaristi shqiptar, Andamion Murataj, udhëtuan drejt Shqipërisë, për të xhiruar filmin “Falja e gjakut”, u mendua se fenomeni i gjakmarrjes tërhoqi sërish vëmendjen e kineastëve. Në një farë mënyre paragjykimi ishte i pashmangshëm, referuar edhe përvojës shpesh jo pozitive të trajtimit të këtij fenomeni. Ende pa u shfaqur për publikun shqiptar, nga ky film erdhi jehona e “Ariut të Argjendtë” në festivalin e Berlinit për skenarin më të mirë dhe vlerësime nga kritikët e huaj. Dje filmi pati premierën për median në kinema “Millenium”, ndërkohë që prej datës 17 shtator do të shfaqet në të gjitha kinematë e vendit. Ngjarjet zënë vend në një fshat verior(xhirimet janë bërë kryesisht në Gurin e Zi) ku Marku(Refet Abazi) me një karrocë të vogël me kalë shpërndan bukë për mbijetesën e familjes.

Një mëngjes, rruga që kalonte në një rrip toke ishte zënë nga fqinji i tij, Sokoli. Teksa me Nikun(Tristan Halilaj) lëvizte gurët, jeta e familjes po trazohej. E nesërmja do ta shtynte më tej konfliktin. Marku debaton me Sokolin në prani edhe të vajzës, Rudinës(në rol Sindi Laçej) dhe gjithçka kthehet në një çështje nderi. Bashkë me të vëllain, Marku vret Zenelin dhe familja shkon pa rrugëzgjidhje drejt ngujimit. Këtu filmi bën kthesën. Në ekran nuk shfaqet krimi dhe ngjarjet në vazhdim nuk do të fokusohen në fenomenin gjakmarrje dhe trajtimin sipas Kanunit apo të drejtën që i takon secilit. Mësojmë shumë pak edhe për familjen e të vrarit. Ata ekzistojnë në film si shkaku që sjell pasojat në familjen e Markut.

Gjithçka përqendrohet në shtëpinë e tij. Që pas ditëve të para, ngujimi vë në rrezik marrëdhëniet familjare dhe e gjitha kthehet në një perceptim personal të lirisë. Marku arratiset, Niku nuk mund të dalë nga porta e shtëpisë e as të takojë vajzën që pëlqen, ndërsa e ëma Drita(Ilirie Çelaj) është drama e të gjithë familjes, por pa zë. Për mbijetesë të familjes Rudinës i duhet të lërë shkollën e të dalë rrugëve që herët të shpërndajë bukët. Gjendet e vetme para konkurrencës dhe kërcënimeve të familjes tjetër.

Motiv i njohur edhe më parë në trajtimet kinematografike të kësaj teme, i tillë si filmi “Busulla” i regjisorit Bujar Alimani. Regjisori dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë kanë synuar në një film realist dhe ajo që e dallon “Faljen e gjakut” është se tingëllon i vërtetë. Nuk ka sajesa letrare që kërcasin fort me realitetin shqiptar, as përpjekje për ta paraqitur këtë vend në një prapambetje të thellë duke i ikur synimit për ta bërë sa më ekzotik në sytë e një publiku të huaj. Skenaristi Andamion Murataj, i pranishëm në një konferencë për shtyp së bashku me dy aktorët e rinj, Tristan Halili dhe Sindi Laçej, e quan këtë një proces kërkimi paraprak. “Kur vendosëm me regjisorin Marston të realizonim këtë film, nuk kishim një ide apo skenar të gatshëm, por donim të bënim një film për jetën reale të të rinjve në Shqipëri. Unë isha më në kontakt me Shqipërinë përmes shtypit të përditshëm dhe ndonëse kisha disa vite që isha larguar nga Shqipëria, pretendoja se dija më shumë se regjisori për gjakmarrjen. Kur udhëtuam drejt Veriut të Shqipërisë gjetëm një realitet krejt tjetër.

Nuk kishte qeleshe ashtu siç unë imagjinoja, por të rinj që kërkonin të ishin koherentë me teknologjinë, vajza që përdornin motor dhe e gjithë kjo për shkak të një lëvizjeje urbane që ka ndodhur gjatë këtyre 20 viteve. Sigurisht që një pjesë e popullsisë ka mbartur problemet e pronësisë, të gjakmarrjes, por edhe mënyrat se si ata i zgjidhin këto probleme. Më shumë se respektime të Kanunit, janë mekanizma brenda komunitetit që sigurojnë zgjidhjen e konflikteve. Sigurisht që ne kemi takuar shumë nga familjet e ngujuara, kemi folur me ta, jemi munduar të kuptojmë jetën e banorëve që jetojnë në këto zona dhe mentalitetin e tyre. Në këtë pikëpamje, skenari i këtij filmi nuk është nga ata klasikët. Janë histori të vogla të bëra së bashku. Edhe vetë filmi merr më shumë ngjyra dokumentareske të jetës së këtyre zonave”, ka theksuar  Murataj. Dinamika e filmit ndryshon në këtë situatë të re. Niku, një djalë i ri e me ëndrra e ka të vështirë ta pranojë këtë realitet të ri. Ai kërkon me çdo kusht të bëhet pjesë e vendimmarrjes së familjes duke i dalë ndesh jo vetëm të atit, por edhe gjyshit Ded(Çun Lajçi). Ai kërkon të gjejë një rrugëzgjidhje duke përfshirë këtu edhe pajtuesit e gjaqeve, pa i zhveshur ata nga qëllimi për të bërë edhe biznes me këtë fenomen.

Ndërsa më parë e mbronte, tashmë Niku e sheh të atin si një pengesë të lirisë së familjes së tij. Burgosja e tij pas arratisjes, ia përforcon këtë mendim, kur arrijnë të sigurojnë besën për dy javë nga gjakësi. Marrëveshja prishet sapo Marku del nga burgu. Karakteret e filmit janë të vërteta dhe krijojnë së bashku një ansambël që nuk cenohet nga niveli i njërit apo i tjetrit. Ndërsa gjuha dialektore e zgjedhur për filmin i qëndron natyrshëm vendit ku janë vendosur ngjarjet. Dy aktorët e rinj jo profesionistë, Tristian Halilaj dhe Sindi Laçej, të zgjedhur mes shumë të rinjve nga shkollat e Shkodrës dallojnë për origjinalitetin me të cilin sjellin karakteret. Të pa rrahur me konceptet e aktrimit, laboratori i tyre krijues kanë qenë dhjetëra bashkëmoshatarë të ngujuar me të cilët janë takuar. “Takimi me shumë vajza, secila me histori të ndryshme ishte ajo çka formoi Rudinën në mendjen time. Më parë nuk isha gjendur në një situatë të tillë dhe nuk kisha njohje të plotë për gjakmarrjen. Ato vajza më frymëzonin. Të përcillnin gjithë çfarë kishin me anë të një shikimi, të një fjalie. Më ka goditur më shumë besimi që kishin se çdo gjë do të rregullohej”, tregon Laçej. Tristani ndan të njëjtin mendim për krijimin e karakterit të tij, ndërsa thekson se i ka ndihmuar shumë fakti që regjisori u ka lënë dorë edhe të improvizonin.

“Ne u kemi dhënë skenarin dhe i kemi lënë të lirë të flasin në dialektin e tyre. Edhe pse kam jetuar në Shkodër, unë nuk mund ta shkruaja skenarin në një gjuhë të tillë”, shprehet skenaristi Murataj. Kjo përvojë e parë ka shënuar rrugën edhe të dy aktorëve të rinj. Tristan Halilaj, pasi u skualifikua si i patalentuar nga Akademia e Arteve në Tiranë, studion për aktrim në Tetovë, ndërsa Sindi Laçej vazhdon vitin e parë të shkollës së mesme në Shkodër me dëshirën për të qenë sërish protagoniste e kinemasë. Linjës së një filmi realist i është përshtatur edhe teknika e xhirimit në Super 16mm, ndriçimi natyral dhe ngjyrat e përdorura. “Unë jam i interesuar të rrëfej karaktere modernë, të vërtetë, thelbësorë, që luftojnë me sfidat e ndërlikuara të të jetuarit në një shoqëri, e cila po përjeton ndryshime të forta e të shpejta. Unë dua të hetoj tensionin që krijohet në familjet shqiptare, të cilat jetojnë në ngujim. Si preken prej ngujimit marrëdhëniet familjare? Si ia del mbanë një adoleshent të ruajë lidhjet me të dashurën, teksa është i detyruar të rrijë mbyllur? Si ndrydhet, por njëkohësisht merr edhe fuqi një vajzë

adoleshente, të cilës i duhet të braktisë shkollën për të punuar? Si shndërrohet marrëdhënia e atit me birin, kur ky i fundit fillon ta fajësojë babanë për gjendjen e mjeruar të familjes?”, thotë regjisori. Në fakt, Niku nuk sheh zgjidhje tjetër veçse të shkojë të përballet i vetëm me problemin. Kalon rripin e tokës që nisi sherrin dhe hyn në oborrin e familjes së të vrarit. “Jeta ime është në duart tuaja. Më qëlloni tani ose na lini të lirë përgjithmonë”, janë fjalët e tij për të zotin e shtëpisë. I gjendur përballë vdekjes po aq sa edhe jetës, Niku guxon për të fituar. Do ta gëzojë lirinë, por larg familjes, larg fshatit dhe larg zonës. “Nëse kthehesh, do të varrosim pranë djalit tim”, janë fjalët e fundit të të zotit të shtëpisë. Marku, i ati i tij thyhet para lirisë së të birit, edhe me kushtin për të mos e parë më, të paktën derisa të gjendet një zgjidhje...Andamion Murataj nuk e quan këtë një “open end” klasik. Sipas tij, synimi ka qenë të vënë në pah se Niku guxoi dhe hapi derën për negociatat e para. Ai nuk shkoi larg.

“Kur e kam pyetur një djalë të ngujuar se çfarë dëshironte më shumë, isha i bindur se do më thoshte të largohem jashtë shtetit. Në fakt, më tha se donte të ecte rrugës pa e kthyer kokën prapa”, tregon Murataj, për të theksuar edhe detajet që kanë formësuar karakteret e këtij filmi. “Falja e gjakut” hap sot Festivalin e Filmit në Toronto, ndërsa më 24 shtator “PriFilm Fest” në Prishtinë. Në premierën shqiptare do të jetë i pranishëm edhe regjisori amerikan, Joshua Marston.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama