Falja e gjakut premiere ne kinemate e Tiranes

'Falja e gjakut', premiere ne kinemate e Tiranes
Filmi “Falja e Gjakut” i regjisorit amerikan, Joshua Marston, dhe skenar të Andamion Murataj, përveçse do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Toronto, vjen premierë edhe në kinematë e Tiranës. Prej 17 shtatorit, në kinematë e kryeqytetit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë filmin me temë shqiptare, atë të gjakmarrjes, një bashkëprodhim amerikan, shqiptar, danez dhe italian. Filmi është i tëri në gjuhën shqipe dhe në të luajnë  vetëm aktorë shqiptarë- të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, i xhiruar në periferi të Shkodrës. Jetët e Nikut adoleshent, dhe të motrës së tij më të vogël Rudina, trazohen kryekëput kur një vrasje ndodh pas një zënke për një rrip toke, e cila e hedh familjen e tyre në gjak.

Ky akt e shtrëngon Nikun së bashku me anëtarët e tjerë meshkuj të familjes, të ngujohet në shtëpi pa afat - gjë që i shkatërron krejt planet e tij të mëdha për të ardhmen. Gjendja ekonomike e familjes varet çdo ditë e më shumë nga puna e Rudinës, e cila papritmas e gjen veten të shtrënguar të kthehet në fituesin e bukës për pjesën tjetër të familjes. Ndërkohë që përgjegjësitë e saj rriten çdo ditë e më shumë për shkak të punës që i tashmë i duhet të bëjë, Nikut gradualisht brenga për ëndrrat e tij të ndërprera fillon t’i shndërrohet në zemërim e më pas në rebelim, teksa ditë pas dite ai thur një plan për t’i dhënë fund gjendjes se ngujimit të tij. Filmi është shfaqur deri më tani në disa festivale prestigjioze ku dhe është vlerësuar për vlerat e larta artistike. Po në muajin shtator, filmi do të shfaqet edhe në Shkodër dhe Prishtinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama